Vjeshtë në shi.
Valsi i pikave të shiut, buronte nga era që i lëshonte si dallgë duke trokitur, të kthyera në një marshim të furishëm prej ushtrie. Forca e tyre mbizotëronte gjithçka, godiste degët i përkulte dhe ato ktheheshin në vend me të dridhura, i tundte të trembura dhe me frenezi i bindeshin energjisë së tyre që krijonte valëvitje hipnotizuese dhe koreografi përsëritëse.
Hera-herës një pikë uji lotonte në majë të gjetheve dhe shkëlqente duke rënë më rëndë mes mijërash. Shkëputej e lëshohej me një tejdukshmëri të lëngët drejt tokës ku do të përpihej.
Shiu me fije të bardha ndërthurej me një shpejtësi të njëtrajtshme e me pjerrësi të ndryshueshme prej trilleve të erës, krijonte një iluzion mjegulle.
E gjelbra e thellë e gjetheve, e përshkallëzuar me llustrimin shkëlqyes të ujit, krijonte kontraste dhe unë kërkoja me sy detaje të përlyera me shkëlqime. Kërcejt e tyre kontrastonin më qartë duke mbajtur yje pikash që binin e që më bënin të shprehja dëshira në mendime, psherëtima të pashprehura dhe mallëngjim të brendshëm.
Gjethet llustrafine mblidhnin ujë me reflekse drite mes nervurash.
Lulet, me delikatesën e petaleve të tyre, në ngjyrat, në pistilet e harkuara si qepalla vajzërore, dhuronin gëzimin e jetës me secilën çelje të tyre dhe era i bënte të përkundeshin hirshëm në lartësi qiellore të paarritshme. Aroma e tyre e tretur në lagështi të bënte të mbushje mushkëritë deri në shkalafitje të dehur kënaqësie.
Nën këmbë një shtrojë e butë dhe e kadifenjtë sa e verdhë e sa e kuqërremtë gjethesh të rëna, mbulonte gjithçka, zbuste hapat e mia në fëshfërima e ndonjëherë kërcitje.
Shkeljet e njerëzve i kishin ngjeshur në tokën e baltosur por mua më pëlqente të dilja jashtë shtigjeve të rrahura për të kaluar mbi shpinën e tyre të nderë e për t’i ndier se si jepeshin nën peshën time.
Rrënjët kishin krijuar shkallëzime gjymtyrësh gungaçe e ndonjëherë dalloheshin më pak si damarë të tokës.
Diku më tej, rrallimi i pemëve kishte bërë që gjelbërimi i barit të merrte epërsinë mbi gjethet dhe ndonjë trung i rënë shtrihej në dendësinë e degëve të veta, në madhështinë e trungut të vet të lodhur e të shkëputur si një relike e jetës së tij të shuar. Degët ishin të zhveshura e po aq të bukura sa brirët e një dreri të plandosur.
Pikat rralloheshin dhe loja e tyre me gjethet po qetësohej, gjethet tundeshin më rrallë kur ndonjë pikë i përkulte si veshë të një kali të bezdisur nga ndonjë mizë.
Brendësia ime i dorëzohej ftohtësisë dhe trupi im shkrihej e bëhej njësh me shiun, njëjtësohej me ujin dhe drithërima të ftohta më kaplonin e më shndërronin përtej vetes.
NdIhesha njësh me të dhe qënia ime rridhte në rrëke e mblidhej në pellgje.
Secila pikë krijonte rrathë tek unë, kumbonte me valë në sipërfaqe dhe krijonte dallgëzime që i mohonin njëra tjetrës epërsinë për të qenë mbi të tjerat. Krijonin rrathë të brendashkruar të bukur e të përsosur, të nxituar, që më mbushullonin e më mahnisnin.
Ngrita kokën e me fytyrën lart drejtuar qiellit kundroja formën e reve duke provuar të gjeja forma që më rrëfenin diçka të fshehtë që askush nuk e dinte.
Natyra pikturonte akuarele me bojëra uji në shpirtin tim, afshi i njomështisë e përshkonte dhe i mëshonte me pikëlima të panumërta.