Leanës
Nën zjarrin e cilit yll, në arin e cilit breg,
I kemi ngrohur ndonjëherë këmbët tona të rënda ?
Në cilën hapësirën të kotë që lundron në humbje
Dhe të brejtur nga lebra e padukshme e ditëve ?
Kush jemi ne, të humbur si një ngashërim shkume
Ndërmjet lumenjve të lodhur ku gjakosen hovet tona ?
Kush jemi ne, të ngjyer me diell dhe mjegull
Dhe kaq të pasur me dhurata dhe me urime çalamane ?
Lamtumirë ! Të qeshura të bukura të kthjellëta, lamtumirë ! Hukama grabitqare ;
Lamtumirë ! Psherëtima të përziera nën qiellin stolisës.
Gëzimi i dashurisë shpërthen plot me dantellat e tij
Por vdekja është e strukur në mes të çdo luleje.
Ah ! A nuk e dime ne që gjithçka dekompozohet,
Që agimi vrapon tashmë, duke u dridhur, drejt mbrëmjes,
Që ne nuk do të marrim kurrë aromën e të njëjtit trëndafil,
Që gjithçka pason gjithçka dhe shkrihet në errësirë ?
Mëngjese të freskëta ! Gishta të lëmuar ! Epope e dehur dhe e dhembshur !
Fatet tona të verbra ikin me një hap kokëfortë.
Të përjashtuara ! Zemrat e çmendura gjithmonë gati për t'u lajthitur,
Të groposura ! Fjalët e pëshpëritura në një këngë që ka heshtur.
Eh ! Si mundemi, me qepallën e shpartalluar,
Të lëmë atje botën tonë me verëra ndjellëse ?
Si të largohemi nga brohorima e udhëve të gjata në festë
Dhe të mos shohim më tokën e të mos shohim më qiejt ?
Epo xhuxha të mjerë të kafshuar nga e përkohshmja,
Si kemi besuar që do të grabisnim perjetësinë
Duke përkëdhelur pasuritë tona me një afsh të hidhur,
Duke ngrohur bizhuteritë tona me një mallëngjim vëllazëror !
Për ca pasione të paqëndrueshme dhe largimtare,
Ne kemi shtrënguar fort deri në babëzi
Krahë marramendës dhe duar të zalisura
Të lulëzuara nën sytë e ngrohtë të s'dihet se cilës verë.
Ne kemi çmuar aq herë lavdi të rreme
Aq herë pabesisht kemi bërë të tingëllojë krenaria jonë,
Aq herë përqafuar ëndrra të papërfillshme
Megjithëse imazhi mbytës i arkivolit.
Gjatë pleqërisë që armatoste grushtin e saj të rreptë,
Sa shumë kemi vënë urrejtje e furi
Për të thyer tavanin e kafazëve tonë të qelqtë,
Duke mallkuar kohën tinëzare dhe masakruese !
Si na është dashur, të lodhur nga botë të prapambetura,
Të kultivojmë duke u drithëruar ndonjë të përtejme të vëngër :
Eldorado naive që ngordhin nga shpresa të pështira !
******* të kalbëzuara të vjellura me pamje galaje !
Dhe si për të mos paralajmëruar kurrë shkatërrimet,
Ne kemi çdo ditë kaq shumë, e më shumë
Puthur balle rinore aq të bukura sa yjet
Dhe gishta të shtrenjtë me nyje, të dridhur dhe të tharë !
Por që këtu poshtë të paktën një flakë mbetet,
Një shpatull magjike me konture të shndritshme !
Që gufojne të paktën, të vjedhura në të njëjtën orë,
Klithmat diellore të miliona dashurive !
Aq më bën! Nëse duhet nesër për t'u shuar nga një goditje e kobshme.
Është e tepërt për të jetuar zhveshur gëlltitur nga hiçi,
Tepër për të gjunjëzuar idealin që na ngelet,
Tepër për të çuar në gijotinë vrullet tona prej gjigandësh.
Oh ! Punë e madhe ! Nëse qafa madhështore e mjelmave
Duhet të shpërthejë së shpejti si një frut vulgar.
Punë e madhe ! Nëse ca zvarrisin dhimbje të thella
Dhe të tjerë një sërë lumturish që prej shumë kohësh të shkatërruara.
Leana, kukulla ime nën dritën bjonde,
Erërat e pastra, këtë mëngjes, lajmërojnë universin ;
Këmbët e tua të bukura të zjarrta, më të valëzuara se vala,
Fluturojnë mbi shtratin e vakët dhe të mëndafshët të lëndinave të gjelbra.
Çfarë të duhen të çmendurit e përlyer me natë të zbehtë
Dhe gjëmat e tyre të mëdha që kuqëlojnë nga gjaku !
Jeta brenda teje, Leanë, e dhënë pas vetes
Rrjedh, si e adhurueshme, një ujë i shenjtë në zgjim.
Po, nisu duke mbushur hapësirën e mahnitur që të admiron ;
Duket sikur kaltërsia pi çdo hap tëndin ;
Ne kemi në sy të njëjtën aurorë të ëmbël
Dhe unë do të të mbuloj me atë që ti nuk ke.
Leanë, ora është e bollshme për atë që ndjehet me flatra ;
Diçka e mirë magjeps dhe pushton ajrin ;
Kam dëlirsinë tënde, shtojzovallja ime, në fund të bebëzave të mia të syve
Si të ishte se për mua vetëm zemra jote të dallohej qartë.
Njëqind kundërmime gëzimi ndrisin gjestet e tua ;
Bota shtrin së largu shëndetin e saj pjellor ;
Pushtim rrezatues ! Aventura qiellore !
Ti vrapon, plot me një ëndërr bukurie të padëgjuar. . .
Oh të dy ! Të duhemi pa re dhe pa vel !
Leanë , ti mishi im , fëmijë e fëmijës tim
Që duart e tua të vogla bëjnë të qeshin yjet,
O Leanë, aq e brishtë nën diellin triumfues !
Thierry Cabot