Une sot e ndjeva per here te pare vjeshten.
Nuk ishin qiejt e ngrysur, as bubullonte gjetke, as shi nuk binte... vec nje rreke shiu me qasej kordonit te shpirtit.
Kishte kaluar mesdita, e si rrallehere gjendesha e fishkur ne shtrat. Ne cdo dite tjeter zgjohesha heret, ngopesha me ajrin e paster qe sa vinte e zhdukej pergjate dites, shijoja nje leng frutash me gjyshen, rrekelleja zhurmshem ndonje pjate ne kuzhine dhe zhdukesha per vrapin e mengjesit me zerin keshillues te mamase ´´mos e hiq pulovren kur te djersish, se do ftohesh´´.
Sot as alarmin nuk e kisha degjuar, ose me shume mundesi ime me duhej ta kishte caktivizuar pasi kishte rene shume here. Koka me buciste si boria e ndonje treni, trupin e ndieja te lodhur dhe per cudi s´mbaja mend te kisha kaluar as nje nate me makthe. Por kur nisa te pulisja syte, shikimi i mjegulluar nisi te me sinjalizonte per gotat e tepruara te veres qe kisha rrekellyer pasi kisha ndjekur nje drame romantike qe me kishte kujtuar ty. Nuk kisha as nje grime fuqie te ngrihesha nga shtrati, vura koken nen jastek, dhe truri nisi te me bente nje rezyme te nje nate me pare, derisa ndieva hapat e shqetesuara te mamase qe renden drejt dritares per te hapur perdet ngjyre oker leshuar te renda plumb sa ne njerin skaj te murit ne tjetrin. Pastaj u afrua tek shtrat duke me zgjatur nje gote uje ku me siguri duhej te qe tretur ndonje takipirine per dhimbje koke.
E mora pa e pare ne sy.
Me vinte keq ta zhgenjeja me teper. Dhe mbi te gjitha me vinte keq te zhgenjeja veten. Une nuk kisha vene kurre alkool ne buze, as diten e pare qe i kisha dhene fund marredhenies sime 5-vjecare, dhe duhej ta beja tani pas 5 muajsh? Kisha qene gjate gjithe kohes, edhe pergjate atyre muajve pa nje ´´Ai´´, nje ´´alarm zgjimi´´ sic me thoshte gjyshja ime, sepse nje dreq e dinte ku e gjeja energjine te zgjohesha qe pa gdhire ende, vetem per te shijuar diellin ne agim, te merresha me pune shtepie qe heret (qe duhej thene me shume i prishja sesa i rregulloja), te me shkrepte ne tru te beja pazarin, apo t´i bija qytetit rrotull ne kembe, te ushqeja qente e rruges se shtepise sime, te gatuaja embelsiren me te komplikuar qe kane pare recetat e gatimit, te motivoja njerez per te qene te lumtur, te shoqeroja gjyshen tek okulisti, t´i beja tim eti vizita te papritura ne pune, t´i flisja edhe te panjohurve me doza te medha dashurie,...dhe sot, si nje bateri e rene, pas pese muajsh, une gjendesha pas mesdite ende ne shtratin tim, me rimelin e rene faqeve, veren e derdhur mbuleses se shtratit, dhe ndonje lot tradhetar te thare cepave te syrit. Por mbi te gjitha gjendesha me zemren, qe nuk e njihja se ishte e imja.... Une nuk isha ajo. Ose isha, por nje lloj fasade me kishte penguar kete ane prej kohesh. Megjithate une s´doja ta pranoja. E dija qe tipi im nuk perkonte me te nje vajze te afte te priste damaret kur ndahej nga dikush, apo qante e deshperuar per muaj te tere, perkundrazi e njihja veten per nje rebele aq te cmendur sa edhe ne pusin me te thelle kredhesha vetem sepse e dija qe isha e afte te gjeja nje burim drite.
Mamaja ime me shkoi doren ne floke, e njihte ´´motorin´´ qe kishte per bije, e ta gjente tani krejt papritur pa karburant ishte e dhimbshme, por e dinte me se miri edhe arsyen, po aq sa e dinte se nje shperthim i imi i tille pas gjithe asaj qe kisha mbajtur perbrenda ose do te me clironte njehere e pergjithmone ose fundoste njehere e pergjithmone.
-Ngrihu, me tha, atje jashte eshte e njejta bote e cmendur e disa diteve me pare qe pret nje te cmendur si ty.
-Por une nuk ndiej te jem e njejta e cmendur e diteve me pare, -thashe pa i menduar fjalet.
Mamaja ime u pertyp, mu duk nje cast sikur po fshihte prej meje ngasherimin qe i shtriqej fytit ndersa me shihte ne ate gjendje.
-Mos eshte me mire qe te vrapoje koha? I rrefeva vrenjtur.
Nje dite me pare te me kishte thene dikush qe une e kisha thene ate fjali, as vete nuk do ta besoja, pasi kurre nuk kisha kohe te mjaftueshme per gjithcka. Por me siguri ne gjendjen qe isha, duhej te kisha humbur fillin, por jo lajthitur krejtesisht...
-Kam nje dhimbje ne kraharor qe me shtrengon, vijova. Une qesh dhe gezoj por ajo me shfaqet si nyje ne fyt per te me kujtuar qe eshte aty, qe nuk iken, qe do te behet jetike per frymemarrjen time. Keshtuqe e di cfare, me mire te mos rende koha, por te ndaloje fare.
Mamaja ime me pa me ca sy te lebetitur sikur te kishte humbur cdo lloj gjurme njohese qe e dergonte per tek e bija, u ngrit dhe si per te me dhene leksionin rradhes sic nuk nguronte te bente cdo dite tjeter, mori oren e varur ne murin e dhomes dhe me erdhi serish prane.
-E shikon? Tha e inatosur. Pak me pare i kerkove te rende, pastaj te ndaloje. Nderkohe qe ajo nuk beri as njeren as tjetren, ajo vazhdoi te njejten rruge qe ben cdo dite. Por mbi te gjitha ajo nuk kthehet pas, ne momentin qe ne i levizim here pas here para-pas akrepat e saj, ajo resht se funksionuari. Keshtu ndodh edhe me njerezit, nese kthehemi pas mund te lendohemi, nese ecim me shpejt sec duhet nuk do te mund te perjetojme kenaqesine e gjerave te vogla sic jane edhe vete sekondat, nese nuk ruajme nje levizje te qendrueshme do te perfundojme duke qene as pjese e se shkuares, as se ardhmes, por ne vend-numero e nje se tashmeje te plogesht sic po e zhyt ti veten tani.
Ne cdo fjale qe me perseriste zhurmshem ime me, arrija te kuptoja vetem se kisha zbuluar papritur tek vetja nje shpirt te cuditshem si nje gjethe vjeshte, qe nje cast gjendej krenare ne dege, e nje tjeter e therrmuar mijera copeza ne toke. Por une preferoja te isha ´´alarmi i zgjimit´´ dhe jo shpirti i vjeshtes, ndaj fshiva lotet, dhe vendosa te sillem si ora, perpos te gjithave te vazhdoj perpara...