Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Përshtypje dhe ndjesi letrare

Dritero Agolli

Këtu s’do jem

Këtu s’do jem do jem larguar
Ne toke i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do te rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do më kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryjë erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe un do të zbres do t’vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshesh
Si një blerim pas një rrëkeje.

Letrat

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me bicikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.
 
Drita Çomo

Dashuri siberiane

Po bie shi...dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri... Në shpirt- kaq akull
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash
Të urrej dhe të dua njëkohësisht

Të urrej për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa grade nën zero paske lindur
Dashuria ime siberiane

Në të tërë qenien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je kaq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë!
 
Xhevahir Spahiu

Vajzë e bukur

Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
në kafe “Tirana” hyre,
ti e rralla si dëbora
që në Tirane bie.

Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar,
qofsh e dashuruar dhe prej meje,
prej syrit tënd
lulëzojnë dhe sendet.

Ekspresi gjallërohet
e gjithçka bëhet sy.

Në tavolinën e fundit
dy pleqve kafja po u ftohet.
Të shikojnë ty.


Rekuiem për orën 6...

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
qe s’ekziston

Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika!
 
Bardhyl Londo

Dashuri

Gjithçka si në ankthin e Noes
Si në rregullsinë pedante të një manastiri gjithçka;
Gjithçka e kristaltë, akull.
Gjithçka si krater vullkani
….rrëmujë
Kokën e ndezur të cigares shuaj në një gote ujë


Gratë e poetëve

Sytë e bukur mbyllin. Po gjumi
nuk e di ku është mërguar, nuk e di.
Njëra përsërit me vete një varg. Tjetra
një figure sjell ndër mend...
Si një lirikë dashurie
ledhaton pastaj jastëkun bosh në krahët e saj.

(...Vallë me ke u martuan burrat tanë,
me ne, apo me ty, poezi?...)

Një fjale, një rimë,
një lumë dashurie dhe pak xhelozi,
Mesnata e krijimit çapitet si plak i ngadalshëm.

Vonë. Sytë e bukur mbyllin.
dhe në ëndrra shohin vjershat e librave
të ardhshëm
 
Teodor Keko

E dashur

E dashur , erdha
E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

E dashur, erdha, pse vrenjtesh kot,
ti po më prisje përsëri.
Mos u çudit! Unë jam një zog.
Po e mbylle ti derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!
 
Ali Podrimja

Dashuria

Koha është te duhemi
te kesh besim ne mua kur te them: Trime,
te kem besim ne ty kur me tha: Trim.
Për kokën time kryeneçe shume kurthe ngrite,
shume e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mije e një te zeza kurdise ku do ma zije priten.
E nen kulm banonim,
nga frëngjia me drite me peshove,
me dite lexoja Shekspirin ne hijen e Kullës,
se mos do te takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frike se ma therin syrin cubat e territ,
kam frike se me vrasin pas shpine te pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë
ujë te madh,
i huaj s’jam as vij nga toke e vdekshme.
Ne fund te livadhit te kositur a po sheh:
ai kali i bardhe është yni e tash përgjithmonë.
Me shikon drejt ne sy, leri zënkat, fjalët, sharjet,
Unë do te të sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën në Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoja dashurie me një grua të marrë,
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, s’menduam pak edhe për vete,
Koha është të duhemi.
 
Jorgo Bllaci

Netës

Kaq e shtrenjte kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shëmbëllim!
Ah, moj Neta, sytë e tu te bukur
Çmendurisht i deshte miku im!

Nëse këtë çast i ngrysur mbeta
Duke të vështruar ty kështu
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta
Me kujtuan mikun sytë e tu

Sa dëshirë do te kisha sonte
T’ju vështroja bashke që të dy:
Vetëm ta dëgjoje te këndonte
Vargjet qe me zjarr t’ë thuri ty!

Ndoshta sot, qe vite pas la jeta,
Miku prapë ne shpirt te mban diku…
Ish e bukur dhembja e tij, moj Neta,
Aq sa ç’janë edhe dy sytë e tu.
 
Vath Koreshi

Shpesh ti s’di ç’bën

S’është e thjeshtë të dish të bësh.
Shpesh ti s’di se ç’bën e dashur!
Ç’doje që ishe ngritur si në ethe,
ç’doje që vije ashtu tek unë?
Kishe këputur ca lule në kopësht,
kishe ndërruar tualet e krehje flokësh,
kishe marrë me vete dy sy të shndritshëm plot mall.
Në jakën e xhaketës në vend të një luleje,
kishe vënë një sqep skifteri xanxar.
Ah, s’ishe as grua, as vajzë e vogël atë çast,
ishe një hutim plot ditë e gaz.
Ishe një shpirt i mbushur me frikë,
një zemër drithëruese me natë e me dritë.
Eja pra, të thashë, mbështetma kokën tani,
mbushmi supet me ujëvarën e flokëve,
dhe puthmë nëse erdhe për të më puthur,
dhe çelma shpirtin, nëse erdhe për të ma çelur.
 
Elisabet BRAUNING

Dhe nëse nuk do të më duash, për gjë tjetër
përveçse për dashuri.
Mos thuaj "të dua” për buzëqeshjen,
për vështrimin, për sjelljen delikate,
për mendimet që përputhen e që një ditë
më kthjelluan.
Këto gjera mund të duhen, por ndryshojnë,
ndryshojnë në ty, ndryshojnë tek unë.
Mos më duaj për mëshirën
që than faqet e mia.
Harro lotët që të dhanë kënaqësi
dhe humb keshtu dashurinë.
Duamë vetëm për hir të dashurisë
së dashurisë,
që rritet tek ty me një dashuri të pafund.
 
Mario Benedetti

Është një mëkat që nuk je me mua
kur shoh orën dhe është katër
Mbaroj llogaritë dhe mendoj dhjetë minuta
shtriq këmbët si të gjitha pasditet
bëj kështu me supet për të liruar shpatullën
kërcas gishtat dhe iu nxerr gënjeshtra.

Është një mëkat që nuk je me mua
kur shoh orën dhe është pesë
jam një makinë që llogarit interesa
ose dy duar që kërcejnë mbi dyzetë taste
ose një vesh që dëgjon si hungërin telefoni
ose një tip që bën numra dhe nxjerr të vërteta.

Është një mëkat që nuk je me mua
kur shoh orën dhe është gjashtë.
Mund të afroheshe papritur
të më thoshe “Ç’kemi?” dhe do t’mbeteshim
unë me njollën e kuqe të buzëve të tua
ti me blozën blu të karbonit tim.
 
Meri Dishnica

Tek ky bar,
tek kjo tavoline,
ne kete ndenjese te ngrohte,
nen kete abazhur te kalter,
para qenies tende,
betohem kam ftohte...

Te betohem para kesaj gote,
se kam thene genjeshtra sonte…
Se nuk jam une ajo guximtarja
qe nis betejat pa u menduar shume,
Apo ai komandanti legjendar
qe shtiret se gjithmone fiton,
Nuk jam as ushtari trim qe sulmon I pari,
nuk jam askund neper faqe heronjsh,
Nuk kam askund ndonje lapidar,
per zemrat qe kam vrare...

Jam kjo qe jam,
pa drite por e ndricuar,
kur rrefej se sot,
kam ulur mbrojtjen…
…me koshience te plote.
 
Hans Magnus Enzensberger

Ti mike, që shtrëngon dorën time,
ku të fluturon mendja? Kur ndër kambanore
kambanat ëndërrojnë që janë thyer,
në ç`kubera endet
zemra jote?
Ku, në cilin rrah bredh ti,
kur unë ta përkëdhel faqen e brishtë?
Ç`lule nate të fshik e të trullos,
o ëndërrimtare? Cili va e njom
këmbën tënde?

Ku, e dashur, kur mugëllon agimi,
çapitesh ti mes kallamishtesh, ledhaton
dyer dhe kripta ? Me lajmësin e kujt
shkëmben puthje, ethedredhur,
goja jote ?

Ku ndodhet ai fyelli që të pëlqen?
Ku ulërima që, në heshtje, t`i ngre
flokët përpjetë?...Dhe unë rri shtrirë,
si një ulok, i pagjumë, në përgjim
të puplajës tënde!

O ti mike, që shtrëngon dorën time,
ku, në ç`pyje të ndjell e të ngatërron
ëndrra jote?
 
Eqrem ÇABEJ

I

O ju, si flutra, që ju muar era
E ju përhapi tej-këtej te jeta.
Ju q’afruam bashkë dje pameta
U ftohmë a u ndamë për ngahera:
Në qe se ju gënjeva me të tjera,
U diç kërkova edhe dot s’e gjeta:
Na jemi byk që hedh veriu përpjeta,
Grurët e muar era edhe vera.
N’ato të njoma zëmra t’uaj ka
Nga një si dregëz nga një koh’e parë,
Thomse nga ditët q’ ishin ditët t’ona,
Atyre ditet u kaloi jehona,
Po te kjo zemër mbetet e pavdarë
Fytyra juaj siç pikoi e ra.

23.-24.V. 1949.

II

U jam ai lis i lashtë degëtharë,
Që fryn veriu e flett i hedh përdhé:
E blera urdhe degënjoma je
Që m’i pështille trungut e pandarë.
U jam ai qiparisi i kohës parë,
Ti je e bardha, je hardhi e re,
Me gjeth të plotë që më vesh me hije,
Me lëng të dlirë posi lot i qarë.
O urdh’e njomë, o hardhi e bardhë,
Pështillmu rreth e rreth me degët tote
Të ndihem një me ty e ti me mua.
Mos të më thajë më thëllim a mardhë,
Të ndjej se jeta edhe nuk m’u shua:
Po m’u përhap si ëndërr magjiplote.

VI.1949.


IV

Sa herë shihemi, jemi si ai
Që shuan etin te i ftohti krua.
Largët kur jemi, malli na u shtua,
Si udhëtarit q’ecën në shkreti.
Kur jemi bashkë vetëm un’ e ti,
Shpirti na hapet, ti je një me mua.
Në syrin tënd rri ëndrra që u dua,
Vera e rëndë që më deh kur pi.
Në gardhin tënd të artin ke rrethuar
Një shpirt që malli nuk e lë të qetë,
Mermeri q’është derdhur n’ato duar.
Zgjidh edhe merr: ose një mall të letë,
Ose një fat, që ka për të na ndruar
Jetën në ëndër, ëndrën në jetë.

Viti 1949.

V

Kur ne u pamë te ajo nat’e re
Një vesë maji kishte zbutur dhenë.
Vetëm veruam e gëzuam denë.
Tani erdh vjeshta – imja nuk më je.
Nuk je më imja mbi të rëndin dhé
Po ndahen rrugët, bashkë më nuk venë.
Ti të marrsh tënden, u do të rrah dhenë:
Po ku të jem, si zogu pa fole?
Në ditt e mia vjeshta që po u bie
Te fund’i but’i asaj zëmrës sate
Folé të ngrohët thashë se më gjeta.
Ajo u prish, u tret posi një hie.
Endër’e jetës shkoi si vesë nate.
Tani po shoh se vetëm jam te jeta.

20.-29. IX. 1949.

VI

Kur shkon sokakut si një sut’e vratë,
Me sy përdhé e me të rëndë hie,
Ndihem gjahtar që me shigjetë bie,
Zëmra më mblidhet dhëmbjes në gujatë.
Pa rri mendonem tek e rënda natë:
Si do të shkosh ti jetë vetëmie?
Më ç’lis do mbahesh, degëzë hardhie?
Do mund të ecësh kësaj rrugës gjatë?
Tani që ëndrra e një jete ra,
Na ra përdhé gjith’ajo hie e parë:
Të qënët bashkë, një e të pandarë;
Ditët e bardha edhe nett e arta,
Kodra jonë me selvi të larta.
Një fat na lidhi e nja fat na la.

X.1949.

VII

Tani q’erdh vjeshta, kodra ç’do të thotë
Që ne nuk vemi si dikur te vera?
Selvit’e gjata presin më të kotë;
Shi vjeshte bie, atje lart fryn era.
Në zall të detit ku kaluam motë
Ditët e gushtit kur na ndritte hera,
Atje jo ne më, po të tjerë botë
Do presin mbrëmjen plot me gaz nga tera.
(Kur të kalosh nëpër të tjera dete
Për dhé të huaj, e me vjet e vjete
Të jemi larg e gjer në fund të ndarë,
Mos të të dhimbset ai mot’i parë,
As dheu Arbrit me selvi të gjata,
As zall i detit ku na ndritte nata.)

10.-21. X. 1949


VIII

Kur u të bie në të rëndin dhé,
Në dhé të rëndë të humbas për jetë,
Mos të më ndjekësh, po me hap të letë
Të ecësh jetës, si m’e re që je.
Pastaj një mall do të na marrë ne,
Do zbreç njëherë n’atë zall të shkretë.
Te nat’e madhe do të dergjesh qetë,
Me gaz të vjetër, me hidhi të re.
O gjum’i rëndë! O i djegur lot!
Sa qemë gjallë s’u bashkuam dot:
Kur jemi bashkë jetë më nuk ka!
Prej meje del një qiparis i lartë,
Prej teje del hardhi me rrush të artë;
Në mes një drizë – bashkë nuk na la!

XI.1949.

IX

Ti je sirena: Me vështrim magjie
Nga larg më ndjell me mall ndaj vetes sote,
Me krip pas erës derdhurë, hirplote,
Gushën mermer, e me të lartë hie.
U jam detar’i regjur mbi anie
Që vetëm rraha valën disa mote.
Tani me mall’i bukurive tote
Më tej në dete s’dua më të bie.
Kur të vështroj, u shoh të tjera dete,
Ditë të bardha, plot me ar qytete,
Jetë pa fund si në një ëndër parë.
Një turbullirë kam në shpirt përhera
Si zmolet vala kur e tundën era:
Dua të reshtem, po nuk kam të ndarë.

XI.-XII. 1949.


X

Ti që më mbushe ditt e nett e mi
Me erë deti si që fryn në verë,
Me gaz të thellë, me hidhi të derë:
Me sy të mbyllur ti më the: Më pi!
U do t’të pi: Me verën tënde plot
U kupën t’ime do t’a mbloj njëherë
Pastaj e kthej të dehem kësaj verë,
Teje të dehem mos të pi më dot.
Një val’e ngrohët më përshkon ahere,
Posi detarin, kur pasdreke vere
Prehet në diell qetas mbi anie.
Dhe fryma jote rrjedh ngadal në mua,
Sa ndjej se jetës tjetër gjë s’i dua:
Të shkoj symbyllur e në dhé të bie.

1.-15. I. 1950


XI

Kur ti në verë anës detit rri
Dhe sheh si mugu ulet mengadalë,
Dhe qetas deti hapet valë-valë
E drita tretet në të natës gji:
Një mall i dhëmbur që ti s’di sesi
Të merr ahere për diçka që s’pate;
Dhe do të dalësh jashtë prej gujate,
Larg! e të bëhesh një me gjithësi.
(Krahët e tua hapen mengadale
Përtej mbi kodra, përmbi det e male,
Duke kërkuar pendët përmbi dhé.
Pastaj, si shtrohet gjithë dheu në natë,
I lodhët shpirti e me krahë ratë
Nga ku qe nisur kthehet në folé.)
 
URAN KOSTRECI

Sa je ti larg, ndjej ankth në shpirt, rrëmujë
As lule, as këngë, as qielli s’më pëlqen;
Kur nuk të shoh un’zverdh si gjeth pa ujë,
Më zbehet bota, dielli nuk shkëlqen.

Në vonon ti, e mbaj veten s’bëj bujë,
Por vuan zëmra, ngërçi... e mbërthen
Më lidhet gjuha, ofshaj, më priten gjunjë
E sa nuk brohoras kur shoh që vjen.

Me vrull un’portën çel, po shpirt çaprazi
Më shuhet kur ti heshtur hyn, ngadalë
E un’qejfprishur ndrydhem nga marazi.

Por sapo nis e flet të ëmbla fjalë
E të shkëlqejn’ si yje syt’ nga gazi,
Më qesh fytyra e zëmra ndizet valë.
 
Mjaltin po ta lëpish
në tehun e një thike,
gjuhën ke për të prerë,
kujdes, në mos, u fike!...

Mjaltin po ta lëpish
Mbi buzët që dashuron,
pak larg buzët e tua,
s`e zemrën të kafshon.
 
Pablo Neruda

Para se të dashuroja…

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s'ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s'kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, -
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata.
 
Cesare PAVESE

Është një guxim i madh ky që po
ju shkruaj, ndërsa Ju as nuk më
njihni. E megjithatë, Zonjushe,
prej kohësh unë ju adhuroj brenda meje,
saqë të paktën mund të më lejoni dhe mos
e bëni këtë letër copë e çikë që në fjalët e
para dhe ta hidhni në një qoshe.
Çfarë mund t’ju them, Zonjushe? Në
fillim të këtij viti kur Ju ishit në Torino, që
kur unë ju pashë për herë të parë dhe qysh
atëherë, sikur të kisha hyrë në një ëndërr të
madhe e që gjithë këtë kohë nuk më la të
qetë. Figurën tuaj e kam gjithmonë para
syve. U lëkunda gjatë, ndonjëherë duke
shpresuar tek marrëzia ime, herë të tjera i
përhumbur, duke ndierë të gjithë padobishmërinë
dhe budallallëkun tim, edhe duke u
kapur gjithmonë me dëshpërim pas ëndrrës
sime.
Ju ndoqa gjatë. Kurrë nuk guxova t’ju
flisja. Dukej kaq e marrëzishme! Pastaj nuk
ju shihja kurrë vetëm. Më falni që ju shkruaj
gjithë këto gjëra, që juve mund t’ju
duken edhe të besdisshme, por ju lutem
edhe një çast, më dëgjoni.
Më tej në ditët e para të Marsit u larguat.
Vuajta prej dhimbjes së madhe. ****
dhe mendova... Mësova në fillim se ndodheshit
në Romë. Më pas asnjë lajm. Dhe
këtë mbrëmje ju pashë përsëri me një emër
tjetër, me shoqe të tjera, por gjithmonë e
njëjta, gjithmonë më e bukur dhe tërheqëse.
Kam një furtunë të tillë në zemër që po
ta dinit, do të ndjenit frikë. Dhe nuk dita të
rezistoja, po ju shkruaj këtë letër për të thyer
më në fund atë angështi të gjatë që më torturon
qysh atëherë dhe sot është bërë më
rrëqethëse.
Kurajo, më dërgoni një fjalën tuaj.
Unë nuk mund t’ju ofroj asgjë, nuk jam
si gjithë ata adhurues të shumtë, e marr
me mend, që janë gjithmonë rreth botës
suaj, jam një student i varfër, një student i
thjeshtë 19 vjeçar, por kaq ndryshe, ju betohem,
nga studentët e tjerë, aq sa ju jeni
ndyshe nga shoqet tuaja.
As nuk guxoj, por ju ofroj të gjithë
shpirtin tim dhe ëndrrat e tij.
Kurajo, më dërgoni të paktën një fjalë të
mirë.
Ju e dashuroni punën tuaj. Vihet re në
të gjitha gjestet tuaja. Nuk mund të keni
veç një shpirt tepër fin dhe të thellë. Edhe
unë lodhem me dëshpërim në një punë me
këtë penë. Nuk jam një i huaj për ju. Mund
të kuptoj shumë gjëra për Ju që askush nuk
i sheh.
Unë jam i sigurt se shpirti juaj, i gjithë
personi juaj, janë shumë të ndryshëm nga
vulgariteti (i përgjithshëm) aq sa figura juaj
është pafundësisht më e bukur dhe e dhimbshme,
se të gjitha ato që ju rrethojnë.
Ju, një mbrëmje shkurti, duke shkuar
për në shtëpi, po lexonit në tramvajë, Mimi
Bluet.
Nëse e keni lexuar atë libër dhe nëse ju
jeni me të vërtetë siç ju imagjinova, duhet
ta dëgjoni të gjithë madhështinë përunjëse
të asaj që ju ofroj.
Kurajo, më dërgoni një fjalë të vetme,
Zonjushë.
 
Lasgush Poradeci

Përse të dua

Se të desha vetë,
Dhe t'u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.

Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t'u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s'të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s'më flet përhera,
Dhe s'më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.
 
Lasgush Poradeci

Do te vish apo s'do vish?
Me qerpikun e syrit tim,
Do te fshij vendin .
Ku do te rrish...
 
Claude Chatron-Colliet

Kurorëzimi

Mëse një ditë hapat e ëndrrave të tua rastësisht do të sjellin
poshtë shtëpisë sime e zemra jote aty do ndalet për një cast
atje,
mes erës së luleve në botën e zemres sime që troket butësisht
për të qenë
së bashku
qoftë edhe një cast,
për një psherëtim,
për nje rrahje zemre,
kokën mbeshtetur mbi timin gjoks,
buzët e mia mbi tëndin ballë,
mes perkëdheljesh ëmbëlsisht pa fund,
në bashkim shpirtrash gjer ne barrierën e kohrave,
s’do na mjaftonin as njëmijë vjet.
E une do flisja me gjuhën e syve të mi,
këtyre liqeneve të thellë që falin gjithmon,
do flisja me gjuhën e duarve te mia delikate rreth fytyrës tënde
cdo rrudhë dhimbjeje është mbushur me dashurinë time.
Me buzët e mia ne gojën tënde dashurinë do e shprehja bukurisht,
në lartësi ndjenjash qiellore që cdo krijesë njerëzore do të ketë njohur,
me të cmendurin passion,
nga thellesitë e trupit drejt syve të ty,
nga duart e mia në të tuat duar,
nga buzët e tua në trupin tim,
nga sytë e tu ne zemrën time.
Dhe me ëmblat duar mbyllmë lehtë,
të rëndat qepalla nga hullitë e deteve,
që të lumtura për të vetmën herë në jetën time,
thithën nektarin hyjnor të jem e dashuruar,
kaq thellësisht me më të bukurën e të zjarrtën menyrë.

Sa herë qe do mbyll sytë e gjer në të fundmen frymë,
para meje do të shfaqen karvana beduinësh,
prej të cilëve zogj të praruar do të fluturojnë
drejt detit e erërave,
duke shkuar drejt brigjeve të reja,
zemër lehtë se kanë jetuar
qoftë dhe një cast të vetëm.
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back