Më duaj, jo vetëm kur të dukem mirë, por edhe kur jeta më bëhet e mjegullt dhe zemra ime është e ngarkuar me pyetje dhe dyshime. Më duaj në ato momente kur humbas rrugën dhe nuk di nëse po ec përpara apo po kthehem pas. Më duaj kur fjalët nuk dalin dot nga goja dhe kur heshtja ime flet më shumë se çdo fjalë. Më duaj kur nuk kam forcë të tregoj se sa shumë të dua, sepse nganjëherë fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar se sa e madhe është kjo dashuri që mbaj brenda. Më duaj edhe atëherë kur dukem e plogështuar, kur shpirti im është lodhur dhe trupi kërkon pushim, por mendimet e mia vazhdojnë të fluturojnë vetëm tek ti. Më duaj kur qesh me shpirt, dhe kur lotët më rrjedhin pa kontroll, sepse me ty mund të jem e sinqertë dhe pa maska. Më duaj edhe kur nuk jam në humor, kur diçka më mban të mbyllur brenda vetes dhe vetëm pranë teje ndiej se mund të jem në paqe. Më duaj për atë që jam, me gjithë të metat e mia dhe pasiguritë që mbart shpirti im, por dhe për ato cilësi që ndoshta as vetë nuk i kam zbuluar ende. Më duaj për çdo hap që hedh, për çdo ëndërr që kam dhe për çdo dështim që përjetoj, sepse me ty kam mësuar që dashuria është më e bukur pikërisht kur është e papërsosur dhe e ndjeshme. Më duaj dhe kur rreth nesh bota duket se po shembet, sepse prania jote është ajo që më jep forcë të qëndroj dhe të besoj se gjithçka mund të kalojë. Më duaj sepse zemra ime është vendosur të të duajë pa kushte, dhe në çdo çast që kalojmë së bashku, ajo e ndjen vërtet thellësinë e ndjenjave që nuk mund të shprehen në asnjë fjali. Dhe më duaj gjithmonë, jo vetëm për atë që jemi sot, por për gjithçka që mund të bëhemi nesër, për të gjithë ato momente që ende nuk kemi jetuar dhe që vetëm dashuria jonë mund t'i krijojë. Sepse, në fund të fundit, është dashuria ajo që na mban të gjallë, që na udhëzon dhe që na bën të besojmë se jeta, pavarësisht vështirësive, është më e bukur kur e kalojmë së bashku.
Dyshimeve e pyetjeve i përgjigjemi me dashurinë për njëri-tjetrin e cila do të ishte ndjenja më e fortë që do të kishim jetuar duke e lënë që të depërtojë tek çdo boshllëk i shpirtit tonë.
Duke na bërë që të jetojmë si në një ekzistencë të re, duke u zbuluar dhe duke u ndarë në gjithë përjetimet, ato që deri dje i mbaja dhe i stivoja në raftet e kujtesës mërzitshëm.
Kur ti ndihesh sikur humbet rrugën, është atëherë kur unë e shoh më qartë se kurrë, një shteg në dritën e hënës së plotë kur njerëzit ndihen më pranë se kurrë. Kur zemrat tona sinkronizohen me të njëjtën rrahje dhe përjetojnë gjithçka me intimitet, me butësi, me plotësi.
Kur të mos mundesh ti, unë do të jem i fortë sa për ne të dy, dhe asgjë nuk do të mund të na përçajë.
Besimi që ti më fal do të më zgjojë dhembshurinë dhe përkushtimin ndaj teje, zemra ime është gjithmonë mirënjohëse dhe falenderuese.
Është koha kur unë duhet të shkëlqej.
Koha kur unë të kërkoj në shkretëtirat e shpirtit tënd, në vendet e braktisura ku ti je tërhequr e fshehur, të të gjej e të të mbërthej me përmallim duke të marrë me vete që të mos braktisesh e vetmuar larg meje.
Më mjafton edhe në heshtje, pulsi i ndjenjës tënde dhe dashuria ime do i përgjigjet derisa të ushtojë në universin e të dyve, të na mbizotërojë si një forcë e tejbotshme që përkryen mrekulli në ne.
Kur ti qesh me gjithë shpirt, unë dëgjoj tastet e bardha të pianos së shpirtit tënd që më këndojnë një melodi të pastër brilante, plot gjallëri e me të cilën unë vallëzoj.
Por një kohë tjetër nëse lotët e tu rrjedhin atëherë do të mbaj vesh me përdëllim tastet e zeza të pianos së shpirtit tënd duke luajtur balada të ngadalta e trishtuara të cilat nuk do të duroja dot deri në fund por do ua ndërprisja dënesat dhe psherëtimat, me përqafime.
Kur të ndiesh se ke nevojë të qëndrosh e mbyllur brenda vetes unë do të jem rojtari yt dhe do të ligjëroj heshtjen shëruese dhe ripërtëritëse përreth teje, të cilën do e ruaj me fanatizëm deri sa të thyhet e të shfuqizohet prej teje.
Të metat e tua sytë e mi nuk dinë t’i dallojnë, nëse do më thoje se ishin si ngjyra të zymta atëherë do të përgjigjesha se vuaj nga një daltonizëm i theksuar.
Cilësitë e tua janë të lindura dhe të shkruara në gjenet e tua me frymëzim hyjnor dhe gjatë jetës tënde me dashuri të pakufijshme prindërore.
Ndjeshmëria jote është një gjuhë që komunikon pa fjalë por me heshtje e me shenja, drithërima e përlotje, më komunikon aspiratat me përdëllim nga largësitë e shpirtit tënd si nga një breg në distancë, e unë i përgjigjem si një detar me anijen që llokoçitet nga dallgët e jetës dhe me flamurin e anijes sime që valëvitet ethshëm nga morrnicat.
Herë herë dallgë të mëdha pasigurish na e mbulojnë pamjen e njëri tjetrit por ato sakaq bien zhurmshëm me gjithë masën e tyre vigane prej së cilës mbeten vetëm shkumëzime, e ne sërish arrijmë të shquhemi, ndërsjelltasi të dëshiruar.
Tek çdo hap i yti do të jem përkrah, ëndrrat e tua do i ushqeja me pasion dhe me shpresë në mënyrë që të gjenin rrugën e tyre në pëlhurën e universit duke u shndërruar në realitet.
Dështimet e tua janë mistere absurde, të paperceptueshme për mua, nuk i shoh si të tilla por si mundësi që të tregoj forcën dhe mbrojtjen time duke të rrethuar me përkujdesje.
Shpirti im do të bëhej mburojë, gjoksi im parzmore, supet e mi bedena.
Do të jesh thesari im, e paprekshme, për të cilën do të luftoj me vetmohim në mënyrë që asgjë e dëmshme të mos mbërrijë deri tek ti. Kjo do të ishte edhe përballja ime e vetme ndaj teje, sepse nëse do të ktheheshe kundër vetes një çast, unë nuk do të ta lejoja.
Jam falenderues një nga një e për çdo ditë, që ti më jep mundësinë ta përjetoj praninë tënde duke më tjetërsuar.
Do ta lija veten tërësisht në blatimin e dashurisë duke marrë trajtën që ajo do, të lirë në shprehjen e saj dhe në prehjen që vjen më pas, të çliruar nga pasiguritë e nga ngurrimet.
Druajtja teksa largohet zbulon një shpirt të zhuritur për ty që dëshiron të të përthithë në çdo frymëmarrje e të të bëjë të jesh tashmë pjesë e imja.