Guardianët kur e morën vesh historinë e tij e përqeshën e tallën dhe e lanë të dergjet në qeli. Të burgosurit e tjerë me shpirtra të rrënuar e ëndrra të thyera e bindnin që të hiqte dorë se sa më shpejt të bëhej si ata aq më pak do të vuante. Por djali edhe në qelitë e errëta ku nuk arrinte asnjë rreze shihte diellin në sytë e princeshës. Kujtimi i atyre ditëve të ngrohta që e kishte parë të kalonte rrezellitëse, pompoze, me elegancë, me aq shumë zbukurime, e rrethuar mes ornamentesh, dantellash e lulesh. Ajo kishte parë gjithë jetën vendet më të bukura, veprat më të bukura të artit për të ishin bërë orendi shtëpie, dhe përkundrazi për djalin vetëm ajo ishte pamja më e bukur, kujtimi që e mbante të gjallë.
Emrin e saj e kishte thërritur me qindra herë, e kishte njohur në mendjen e tij, i ishte prezantuar, i kishte treguar për jetën e tij dhe ajo çuditërisht nuk e kishte larguar me mospërfillje por e kishte dëgjuar dhe ai përhumbej në historitë e çdo ditë ku ajo i fliste, i përgjigjeje me butësi, e ftonte ta ndiqte dhe ai e kishte të vështirë ta besonte por nuk i mbetej më asgjë për të besuar sepse ai nuk besonte më tek askush. Besimi për të rrëfyer ndjenjat e tij e kishte sjellë aty ku ishte, i lënduar.
Por një ditë princesha dëgjon për këtë të dënuar dhe kërkon ta shohë. Ajo urdhëron ta çojnë tek ai dhe megjithë kundërshtimet dhe skandalin që do të krijonte një takim i tillë ajo vendosi ta takonte e maskuar me mantelin e saj të errët e me kësulë mbuluar.
Kur u gjend para tij dhe e uli kësulën flokët e saj u derdhën në supet e saj mrekullueshëm dhe me shkëlqimin si të ishin gërshetuar me margaritarë të vegjël drite që në atë qeli ishte shumë e pakët. Djali ishte dergjur për një kohë të gjatë dhe nuk i besonte realitetit por e mendonte një ëndërr dhe i foli përzemërsisht e me guxim, sikur ta priste atë vizitë. Ashtu siç ajo vinte me ëndrrën më të ëmbël të çdo mbrëmjeje.
Ai i tregonte për dashurinë e tij që e çonte në ndjesi të papërshkrueshme dhe ajo vetëm e dëgjonte, nuk reagonte. Mundi më i madh i tij ishte të gjente fjalët që përmbanin gjithë ndienjën.
E prapë i bëhej e pamundur sepse i ngelej më shumë që e digjte në kraharor dhe atëherë ajo i vinte dorën në buzë si për ta bërë të heshtte e të qetësohej, të merrte frymë.
Ndonjëherë ajo pohonte lehtë me kokë, ndoshta e mallëngjyer por ai nuk e dinte.
Por sa më e vërtetë që i bëhej prania e saj aq më shumë e tmerronte, sepse e gjithë kjo ishte e papritur. Ishte i përfshirë tërësisht pa asnjë lloj kontrolli, pa një zonë sigurie, i frikësohej fundit dhe i druhej zemërthyerjes sepse jeta e tij sido që të ishte nuk kishte më kuptim pa të.