Sa e largët aq edhe e afërt,
Shëmbëllimi i saj brendashkruhet në sytë e mi që e dëshirojnë me zjarr dhe e kërkoj aty ku ajo gjendet, në mbretërinë e saj, në botën e saj të mbushur me histori jete të cilat përkujdesem të mos i shkel apo zhubravis me pakujdesinë time. Ato thuhen në heshtje, përtej rreshtave në rrëfime duarsh të shtrënguara dhe në vështrime të humbura në hapësira të largëta, të largëta si kohët dhe vitet në të cilat ajo ka pritur e ka kërkuar të jetë e kuptuar, e dëgjuar e pranuar.
Ajo nuk do anësi, e as më pak fjalë të ëmbla për ta manipuluar e as për ta justifikuar por gjithashtu do të mbrohej e pezmatuar nga çdo akuzë dashakeqe që do i bënte padrejtësi. Ajo mbetet thellësisht e mbushur me dashuri dhe përkujdesje që vetëm sa nuk ka patur mundësi dhe dikë që ta arrijë ta bindë se i takojnë, të jenë të destinuara vetëm për atë dhe koha ta dëshmojë.
Nëse ajo nuk ndihet tërësisht e sigurtë dhe e dashuruar, nuk do të lejonte të bëhej trofeu i askujt, nuk mund t'i lejonte vetes të ishte më e lënduar. Do të përmbahej në çdo fjalë e në çdo qëndrim aq sa të kuptonte se arrin një pikë që gjërat janë ato që janë dhe prapë do të duhej të rrezikonte.
Kurse ai ëndërronte një të ardhme tek e cila qeshnin sëbashku, ashtu siç e kishin herë-herë edhe përjetuar. A nuk ka idhtësi kjo e ardhme?
Këto fjalë përpëliteshin brenda tij por ai me përdëllim pyeste:
A nuk mund të shpëtohet e tashmja që ti ruan?
Po të mbuloja me mirësi shpatullat e tua a do të mund të ndieje sërish dashurinë?
A nuk mund të zhbëhet dhimbja jote?
A është egoizëm prej meje kjo lloj vendosmërie?
A nuk është vendi ku ti synoje të tërhiqeshe mes errësirës?
Por unë dua që ajo errësirë të jetë vetëm hija e një drite më të madhe e të shndritshme. Vendi i fillimit të udhëtimit tënd të ri në të cilin do të shihje të mishëruar kuptimin e fjalëve siguri, besim, përkujdesje, në mijëra shembuj dhe modesti jete.