Romantike është kur e shikon së largu dhe gjithë kujtimet dhe përjetimet që ke pasur me të e veshin me përzemërsi, i veshin sytë me lot mallëngjimi, të çarmatos e të bën ta presësh fshehurazi por krahëhapur.
Ajo thyen gjithë ligjësitë e tua, logjikën tënde e bën të duket injorancë, shijet e tua i bën të duken të rëndomta, ajo është e lirë të vezullojë në lartësi e paarritshme. Me vërtetësinë e saj që është njëherazi edhe vështirësi për t'iu avitur, është aq e vështirë sa është edhe e vërtetë. Sikur të mblidhje të gjitha detajet e imtësitë, nuancat e bukuritë e reflekseve prapë nuk do të ishin mjaft për të.
Ajo përmbledh imagjinatën, udhëtimet e dëshirave që takohen në marrëzi të pandalshme, ajo udhëheq dhe të mëson rrugët e saj.
Të bën të ndihesh gjithmonë i pakët, sepse nuk mund t'i japësh më tepër. Të bën të ndihesh i ngurtë sepse zemra nuk rreh dot më fort për të. Të bën të ndihesh i mpirë sepse nuk ke më shumë energji të shkrihesh në mijëra fjalë efektin e saj të papërmbajtshëm, të pakufijshëm ku të merr me vete si një uragan ndienjash e ku të lë pa frymë në vorbullën e saj nga e cila ose del duke fluturuar në rënie të lirë e të butë, ose i hedhur shakull përdhe që pa nisur.
E pastaj ajo qetësohet, largohet në qetësinë e panjohur, pas stuhisë, dhe e lë çdo qelizë time të ekzaltuar e të pamjaftuar.