@daniel00 ketu dua te te lexoj pak
Lindim në një botë të panjohur të rrethuar nga dashuria dhe mbrojtja e prindërve që sa jemi të vegjël mendojmë se do të jenë gjithmonë pranë nesh. Pastaj përballemi me një mori bashkëmoshatarësh nëpër shkolla sa të çuditshëm e po aq të ngjashëm. Idetë që mbajmë me vete janë sa të mëdha e të bukura e po aq të brishta e të parealizueshme sepse njerëzit me kalimin e kohës bëhen sa vjen e më egoistë e të paturp, aq sa të krenohen edhe me të keqen.
E kupton që je gjithmonë mes dy periudhash kur gjërat ndryshojnë shumë shpejt. E dallon këtë tek sjellja e vrazhdë e të tjerëve, tek marrëdhëniet konfliktuale të njerëzve që ose sillen keq sepse këtë mënyrë kanë zgjedhur ose sillen mirë me një tradhëti në mendje, duke përdorur dinakërinë.
Miqtë e dikurshëm do bëhen sa vjen e më të largët me kalimin e kohës sepse është një kauzë e humbur të mbash një miqësi të njëanshme, me ata që kujtohen veç kur u nevojitet atyre.
Vëren se koha ndryshon aq shpejt. Njeriu humb nga vetja, bëhet i lehtë nga mendja dhe sipërfaqësor. Të vetmet gjëra që i kanë mbetur si relike të vjetëruara janë ndërgjegjia të cilën marrin përsipër ta çmontojnë pjesë pjesë si dhe ka mbetur pafajësia e turpi që konsiderohen ngathtësi e budallëk.
Ndershmëria një fjalë që bëhet refren në gojën e të pandershmëve për të sulmuar të tjerët.
Hipokrizia dhe vulgariteti mbizotëron pothuajse kudo por duhet mbyllur njëri sy e duhet konsideruar si normale e sikur nuk mund të jetë ndryshe.
Kjo botë me falsitetin të mëson të bëhesh i huaj dhe i vetmuar në mënyrë që të kërkosh diçka të vërtetë të cilën nuk e ka dhe mund ta gjesh veç duke bërë një punë individuale për ta gërmuar e për ta nxjerrë në dritë nga harresa dhe varrosja që shoqëria i ka bërë prej vitesh e dekadash.
Do të kërkosh një dritë, një vendmbërritje kudo që të jetë, do përgjërohesh që ta gjesh, do të kërkosh gjithë botën, do të hetosh traditat e kulturën e popujve por do të vëresh se popujt nuk janë shumë të ndryshëm. Do të shohësh atë që pe tek populli yt të ripërsëritet në kultura të tjera ndoshta në mënyrë edhe më trashanike aq sa do të thuash me vete se kjo botë është e çmendur e çfarë do të mund ta ndalë?
Do të përpiqesh të bësh një përmbledhje, të marrësh më të mirën e çdo populli, të japësh shembuj kur të kërkohen përgjigje dhe mbi të gjitha të mos pranosh fatalitetin e rënies por të kërkosh forcë në besimin tënd tek dashuria ndaj Zotit e cila të mëson t'i duash përsëri njerëzit.
Kjo dashuri e pastër nuk bashkëjeton dot me shtirjet dhe me formalizmin.
Do të kërkosh atë lloj dashurie edhe ndaj dikujt që do ta doje si mike të përzemërt.
Por do ta kesh vështirë sepse njerëzit do të jenë konsumuar nga lakmia dhe aq e pasur sa është bota sot e nuk ka qenë ndonjëherë, po aq e varfër shpirtërisht është bërë, sa nuk ka qenë ndonjëherë.
Mentaliteti i konsumizmit jep shembullin se si njerëzit e marrëdhëniet duhen hedhur pa humbur kohë të riparosh diçka sepse do të thuhet që është e kotë dhe do të premtohet gjithmonë që ka më mirë që po të pret, kështu do bëhen skip ndoshta edhe që pa nisur, sapo të mos përmbushin një kusht në listë.
A thua se njerëzit janë pa të meta, a thua se vetë janë pa të meta?
Do të gjesh pothuajse vetëm njerëz që pëlqejnë veten dhe do të bëjnë vetëm çfarë u duket e mirë atyre.
Pra do të mësosh të ekzistosh edhe nëse mbyllesh brenda vetes për vetëmbrojtje por do të kesh në zemër dritën e Zotit si shpëtim, sepse Zoti është besnik, është absolut në mirësinë e tij dhe në dashurinë e tij të pamatshme. Do të kuptosh se njerëzit nuk janë krijuar për të jetuar e për t'u sjellë ashtu siç bëjnë por do të marrësh përsipër të bëhesh një shembull se si Zoti kishte vizionin për njerëzit që të jetonin në një vëllazëri.