Në Mineapolis protestohet për të tretën natë, pas vrasjes së afrikano-amerikanit
Nëpër lagjet e qytetit amerikan Mineapolis, zyrtarët policorë kanë shpërndarë qindra protestues, të cilët janë mbledhur për të tretën natë me radhë, për të protestuar kundër të shtënave të policisë, që kanë rezultuar me vrasje të një burri me ngjyrë.
Autoritetet në Qendrën Brooklyn kanë urdhëruar protestuesit që të shpërndahen, pasi kanë shpallur këto organizime të paligjshme, ndërkohë që protestuesit kanë hedhur objekte drejt policisë.
Policia është përgjigur me plumba gome dhe sprej piperi.
Që nga 13 prilli, autoritetet në këtë qytet janë duke zbatuar masën e orës policore nga ora 22:00, pas protestave që ka nxitur rasti me të shtëna kundër 20-vjeçarit Daunte Wright, afrikano-amerikan, pas një ndalese në Qendrën Brooklyn më 11 prill.
Kryetari i Qendrës Booklyn, Mike Eliott ka thënë se shpreson për qetësi në komunitet, pasi zyrtarja policore, Kim Potter, e përfshirë në të shtëna, ka dhënë dorëheqje më 13 prill, bashkë me shefin policor.
Policia ka publikuar pamjet e kamerave trupore të zyrtarëve policorë, që kanë treguar për një përleshje në mes të policisë dhe Wright, pasi ndalimit të tij për shkak të skadimit të targave të makinës.
Policia ka tentuar më pas ta arrestojë atë.
Babai i viktimës, Aubrey Wright, i ka thënë transmetuesit ABC se refuzon sqarimin se Potter ka përdorur armën e gabuar.
“Unë kam humbur djalin tim. Ai nuk do të kthehet kurrë. Nuk mund ta pranoj këtë”, ka thënë ai.
“Gabim? Kjo madje as nuk tingëllon mirë. Zyrtarja ka qenë në këtë pozitë për 26 vjet. Nuk mund ta pranoj këtë”.
Këto të shtëna kanë ndodhur teksa po zhvillohet gjyqi ndaj Derek Chauvin, zyrtarit të bardhë policor, të ngarkuar me vrasje të George Flodyit, po ashtu afrikano-amerikan.
Floyd është vrarë në Mineapolis gjatë arrestimit, në maj të vitit të kaluar, çka ka nxitur protesta në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende tjera të botës, kundër brutalitetit policor.
Top Channel