Lidhja e Lezhës
Lidhja e Lezhës ka qenë një aleancë ushtarake që u themelua në Lezhë më 2 mars 1444, me Skënderbeun si kryeprijës të prijësve krahinor arbëror dhe zetas (serb apo malazezë) të bashkuar kundër Perandorisë Osmane

Lidhja e Lezhës imagjinare
Anëtarët kryesorë të besëlidhjes ishin Arianitët, Balshajt, Muzakajt, Spanët, Zahariajt dhe Gjurashët. Barleti e quan generalis concilium ose universum concilium (këshilli i përgjithshëm); termi "Besëlidhja e Lezhës" u farkëtua nga historianët e mëpasëm. Kuvendi i Lezhës çmohet si pika e nisjes në krijimin e një shteti shqiptar.
Sfondi historik
Pas vdekjes së perandorit serb Stefan Dushanit më 1355, manjatët arbërorë vendosën zotërimet e tyre. Kur fuqitë osmane hynë në Arbëri, iu përshfaqën principata të vogla të përfshira në beteja të vogla njëra me tjetrën. Beteja e parë kundër fuqive osmanëve në Arbëri u krye nga Balsha II, zot i Zetës, kur një tjetër zot feudal arbër, Karl Topia, i ftoi osmanët që mposhtën dhe vranë Balshën II në betejën e Savrës që ngjau më 18 shtator 1385.Pasi u vendos në Ballkan pa shumë kundërshtim nga fisnikët e krishterë, Perandoria Osmane ra në luftëra të brendshme. Shumë prej fisnikëve vendas nuk e shihnin si fuqi armike dhe vijonin të luftonin mesvete. Madje bullgarët, hungarezët dhe serbët e ndihën Sulltan Mehmedin I të ngadhënjente ndaj të vëllait në konfliktin që kishin. Pasi lufta civile osmane u mbyll me fitoren e Mehmedit, trupat e tij i morën Krujën më 1415 prej Topiajve, Beratin më 1417 prej Muzakajve, po atë vit Vlorën dhe Kaninën prej vejushës së Balshës III dhe Gjirokastrën më 1418 prej Zenebishëve. Disa zotër arbër ngritën krye në vitet 1432-1436.
Pas viteve shërbimi në radhët osmane, më 1443 Skënderbeu dezertoi nga beteja e Nishit. Me të marrë Krujën, hyri në bisedime me fisnikët shqiptarë. Me ndihmën e tyre Skënderbeu çliroi edhe një varg kështjellash tjera. Në hapësirat e çliruara ndodheshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Në veri të zotërimeve të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve dhe të Gjurashëve, kurse në jug ishin zotërimet e Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve.
Përbërja
Besëlidhja e Lezhës u themelua më 2 mars 1444, fisnikët pjesëmarrës qenë:- Andrea Topia, zot i Skurisë midis Krujës dhe Durrësit, me nipin e vet Tanush Topia;
- Gjergj Arianiti
- Gjergj Stresi, Gjon dhe Gojko Balsha, zotër të Mezisë (vise midis Krujës dhe Lezhës);
- Lekë Dushmani, zot i Pulti të Poshtëm.
- Lekë Zaharia, zot i Shasit dhe i Danjës; së bashku me vasalët e vet Pal dhe Nikollë Dukagjini
- Pjetër Spani, zot i maleve mbrapa Drishtit;
- Teodor Korona Muzaka
- Stefan Gjurashi, zot i Zetës së Epërme.