Askund shpirti im nuk gjen paqe përveçse në përqafimin tënd. Bota është e pakuptimtë dhe e huaj kurse unë e mbush ajrin me praninë tënde. Jetoj në imazhin tënd, dua të të flas pareshtur dhe pastaj ndihem në faj e shumë fjalë nuk i them. Të marr me vete në rrugët ku eci e ku ecja që të tregoj histori të së kaluarës, aty ku ti nuk ke qenë por do të kisha dashur të ishe edhe tani si dëgjuese ndërsa të flas e të shpalos shpirtin, mendimet, shpresat, dëshirat.
Vitet kanë qenë sa të bukur aq edhe të pakuptueshëm, kalonin e shtynin njëri tjetrin duke më rrëzuar e duke më ngritur pa kujdes, ndoshta edhe unë nuk dija si t'i merrja e t'i përballoja hovet e tyre që më zinin të papërgatitur e të humbur mes turmave, me bërrylave, mes njerëzve që shpejtonin si automatonë.
E unë nuk gjeja shprehje njerëzore përveç imitimeve të tyre në ngërdheshje e qeshje të shpërfytyruara nga qëllime të pista në rrugë të pista.
E unë shmangesha, kërkoja të bukurën, të pastrën, atë që njerëzit nuk do të ma ndotnin dot, e lutesha, lutesha me përgjërim që ta ruaja veten dhe shpirtin nga gjithë kjo çmenduri kolektive tek e cila nuk bëhem dot pjesë por as nuk dua.
Nuk mund të jem pjesë e këtyre intrigave, mërie, shtirje, gënjeshtre aq sa të gënjeja edhe veten, lakmie që më josh me vezullime të rreme boshe, hipokrizie që të më shpërfytyrojë e shtrembërojë karakterin.
Dua të jem i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë, ashtu siç mund të jem vetëm ndaj Zotit dhe ndaj një ëngjëlli që ka natyrën tënde, dashurinë tënde, pastërtinë tënde.