
Kalendari kombëtar, muaji Tetor
Më 1 tetor të vitit 1913 doli numri i parë i Revistës, “Hylli i Dritës”, e cila me disa ndërprerje vijoi të dalë nga shtypi deri në vitin 1944. «Hylli i Dritës» ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Proviniencës Françeskane në Shqipëri, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj, Át Gjergj Fishta, por madje një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuan jo vetëm Kishën Françeskane por edhe Kombin.
Më 1 tetor të vitit 1920, lindi në Leskovik, Petrit Radovicka, profesor, pedagog, akademik. Pasi kreu gjimnazin në Tiranë me rezultate të shkëlqyera në vitin 1939 filloi studimet universitare në Institutin Politeknik, në Torino të Italisë, të cilat i ndërpreu në vitin 1942 dhe kthehet në Shqipëri, për të marrë pjesë në luftën Nacional Çlirimtare. Në vitin 1945 shkon në Moskë për të ndjekur studimet në Institutin Energjetik dhe në vitin 1950 përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera dhe diplomohet Inxhinier Hidroenergjetik. Në vitin 1950 pasi kthehet nga studimet emërohet në detyra të rëndësishme të fushës si inxhinier, drejtuesi i parë i Kombinatit Energjitik mbi të cilin u ngrit më pas Sistemi Unik Elektro-energjitek Shqiptar. Skema e shfrytëzimit të lumit Drin shërbeu si bazë e studimit konkret, hartimit të projektit dhe ndërtimit të hidrocentraleve në Vaun e Dejës në Fierzë dhe në Koman. Ka qenë kryeinxhinier i projektimit të tre hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit tonë mbi Drin. Ka përfaqësuar gjithashtu Shqipërinë në shumë Kongrese Ndërkombëtare si në Moskë ku Shqipëria u pranua anëtare e Qendrës Ndërkombëtare Atomike, në Pragë, Edinburg, Stamboll, Meksiko, Paris, Torino dhe Pekin. Vdiq në vitin 1991.
Më 1 tetor të viti 1948 në fshatin Shajkofc, lindi Hasan Ramadani. Ende pa i mbushur 1 vit i vdes babai dhe mbeti jetim. Në moshën 8 vjeçare mbeti edhe pa nënë. Për Hasanin u kujdesen axha i vet Hamiti dhe gruaja e tij Raza. Ishte i edukuar në frymë kombëtare ndërsa personaliteti më i adhuruar për të kishte qenë Adem Demaçi. Ka bashkëpunuar me Afrim Zhitinë, Pas shpërthimit të demonstratave të fuqishme të vitit 1981 Ai u bashkua me Çetën e Llapit, e cila u themelua në vitin 1978 e cila luftoi me pushkë në dorë për çlirimin e Kosovës. Ishte anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Pas shumë aktiviteteve ishte arrestuar dhe burgosur nga policia serbe në vitin 1984 së bashku me shumë veprimtarë të tjerë. Në gusht të vitit 1994 milicia serbe e kishte vërejtur se Hasani ishte kthyer në shtëpi, ndërsa me 6 gusht rrethohet shtëpia nga forcat e mëdha të policisë të përcjella me tanke dhe blinda ushtarake. Vajza e Hasanit, Fidajetja i ndihmoi babait të mbush armët me municion dhe largonte lotsjellësit që hidhnin policia. Hasan Ramadani ra duke luftuar kundër forcave serbe më 7 gushtit të vitit 1994 në fshatin Shajkofc të Besianës.
Më 2 tetor të vitit 1894 lindi Bernardin Palaj, klerik katolik, shkrimtar, mbledhës i folklorit. Lindi në Shkodër më 2 tetor 1894. Mësimet fillore e të mesme i mbaroi në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan. U konfirmua më 18 maj 1902 në Dioqezën e Shkodrës. Pas gjimnazit, kreu edhe studimet e Liceut, në Salzburg, e në Insbruck, të Austrisë, në drejtimin filozofi-teologji. Gjatë studimeve ai tregoi një interes të veçantë për studimet shqiptare, si dhe për autorët e huaj që studiuan zakonet, gjuhën, doket shqiptare. Kryesisht e tërhiqnin albanologët gjermanë. Për disa vjet mësoi shqip e latinisht, në liceun “Illyricum”, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Më 15 prill të vitit 1923, bashkë më vëllezërit Mjeda, Fishtën, Anton Harapin, Prenushin e disa të tjerë, botuan në Shkodër gazetën “Ora e Maleve”. Ka botuar në organet “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Tomori” etj. Gjithashtu Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare qysh prej 1940. Ndërsa më 1944 rikthehet famullitar i turbulluar në shpirt mësohet t’i ketë thënë mikut të tij, Karl Gurakuqit. U akuzua si agjent dhe bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq në burg, para se të “gjykohej” më 2 dhjetor të vitit 1946. U varros në oborrin e ish-sanatoriumit në Shkodër.
Më 2 tetor të vitit 1927 vdiq Foqion Postoli, atdhetar dhe shkrimtar i njohur i kohës. Lindi në Korçë më 1889, ku mori edhe mësimet e para. Në faqet e gazetës “Dielli” botoi si nënfletë romanet “Për mbrojtjen e Atdheut” në vitin 1919) dhe “Lulja e Kujtimit” në vitin 1922. Veprimtaria letrare, politike dhe shoqërore e Foqion Postolit u zhvillua gjatë viteve të fundit të Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë tonë kombëtare. Kjo ishte periudha e ngritjes më të madhe që pati lëvizja jonë kombëtare dhe përfundoi me pavarësinë e vendit më 1912. Por kjo ngritje u shoqërua edhe me rënie te menjëhershme që erdhi si pasojë e ndërhyrjeve të huaja dhe luftërave botërore. Edhe pse jetoi në periudha të ndryshme të historisë në vepra shkrimtari pasqyroi idetë e rilindësve tanë, siç ishin dashuria për atdheun, urrejtja e madhe për pushtuesit otomanë, dhe krenaria për historinë e vendit. Autori në librat e tij është frymëzuar nga temat aktuale të asaj kohe.
Më 2 tetor të vitit 1947 vdiq, Ahmet Dakli ka qenë nëpunës karriere dhe politikan shqiptar. U lind në Elbasan më 15 dhjetor të vitit 1879. Mësimet fillore dhe të mesme, i mori në vendlindje, në vitin 1895, pastaj punoi praktikant në zyrën qeveritare të financës në vendlindje. Më 1907 u emërua në Manastir zëvendësshef i korrespodencës së vilajetit. Ndihmon në Kongresin e Elbasanit dhe qe pjesë e komisionit administrativ të themelimit të Normales. Më 1912-1914 kreu funksionin e këshilltarit në Ministrinë e Financave. Me pushtim-administrimin austro-hungarez, u caktua kryebashkiak i Elbasanit. Më 1921 si delegat i shoqërive “Përparimi” dhe “Afërdita” merr pjesën në krijimin e Federatës “Atdheu” të Avni Rustemit. Në zgjedhjet e dhjetorit 1923 qe pjesëtar i grupit opozitar të përmendur. Në dhjetorin e vitit 1924, me rikthimin e Ahmet Zogut largohet nga Shqipëria dhe qëndroi në Vienë dhe Zarë të Dalmacisë. Më 21 mars 1929 u kthye në Elbasan, po atë vit u zgjodh kryebashkiak i Durrësit deri më 1937. Pas çlirimit iu cakrua një tatim i madh dhe iu sekuestrua shtëpia. Në shenjë proteste ndaj këtij vendimi arbitrar dhe regjimit komunist, Ahmet Dakli u vetëvra në shtëpinë e tij.
Më 3 tetor të vitit 1949 vdiq, Mit-hat Frashëri. Ai ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Lindi në Janinë më 25 mars 1880. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta. Duke qenë kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, dhe përkrahës i qeverive kuislinge u detyrua që në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Mbas përpjekjeve për të krijuar Komitetet Ndërkombëtare, i afrohet autoriteteve amerikane më 1947 për t’u vendosë në krye. Pas 2 vjetëve, më 12 maj 1949 i jepet viza. Gjatë një udhëtimi për në Amerikë vdes si pasojë e një ataku kardiak.
Më 3 tetor të vitit 1951 në Rexhin të Kurveleshit, u lind Zaho Balili. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesme e ka mbaruar në Tepelenë. Ka filluar të shkruajë në moshë shumë të re dhe është autori i disa vëllimeve si Drithërimet e pranverës, Paskan çelur manushaqet, Brengat e shpirtit, Lotë kurbeti dhe Kur dy zemra dashurohen. Gjithashtu këngët e tij janë kënduar nga shumë grupe labe, si grupet e Vlorës, Gjirokastrës, dhe të Tepelenës me grupin kryesor atë të Hormovës i cili u shkrua nga ai në vitet ’80. Me këtë grup ai fitoi dhe çmimin e parë në festivalin folklorik të Gjirokastrës në vitin 1985 me këngën “Flaka mbuloi fshanë” një nga këngët më të bukura të tij është balada e nënës e kënduar nga grupi i Vlorës në vitin 1997, kjo këngë është kënduar dhe nga shumë këngëtarë të tjerë, në vitin 2001 krijoi në Athinë grupin “Lot kurbeti” i cili grup ka nxjerrë në shitje tre disqe me këngët e tij. Vdiq në Athinë në ditën e ditëlindjes së tij në 3 tetor 2001.
Më 3 tetor të vitit 1961 në Svircë të Dardanës (ish Kamenicë) u lind atdhetari Nuhi Berisha. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ndërsa Fakultetin juridik dhe të Kulturës fizike i vijoi, në Prishtinë. Ishte nxënës dhe student i shkëlqyeshëm. Si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, i cili do t’ i shërbejë Lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të 1981. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në vazhdimësi kurse me 1973 filluan veprimtarinë në botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”. Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave, në Prishtinë.
Më 4 tetor të vitit 1818 lindi Françesko Krispi. Ishte një arbëresh i Italisë, atdhetar italian, luftëtar për të drejtat shoqëror dhe burrështetas i njohur. Ishte ndër protagonistët kryesorë të Rilindjes italiane dhe një mik i ngushtë e mbështetës i Gjuzeppe Mazzinos dhe Gjuzeppe Garibaldit. Konsiderohet si njëri nga arkitektët e bashkimit të Italisë në vitin 1860. U lind në një familje arbëreshe në Robera të Sicilisë. Kreu seminarin greko shqiptar të Palermos ku edhe u diplomua. Crispi ishte Kryeministër i Italisë për gjashtë vjet, nga 1887 deri në 1891 dhe përsëri nga 1893 deri në 1896; ai ishte kryeministri i parë i Italisë Jugore. Crispi ishte i njohur ndërkombëtarisht. Fillimisht ishte një atdhetar italian i ndritur dhe liberal demokrat vazhdoi të bëhej një kryeministër i zjarrtë autoritar. Karriera e tij përfundoi mes polemikave dhe dështimeve: ai u përfshi në një skandal të madh bankar dhe ra nga pushteti në 1896 pas humbjes shkatërruese të Betejës së Adva, e cila ndikoi ambiciet koloniale të Italisë mbi Etiopinë. Vdiq më 12 gusht të vitit 1901.
Më 4 tetor të vitit 1937 u vra në Spanjë, Asim Vokshi luftëtar për çlirimin e Spanjës nga fashizmi i Françisko Frankos. Ishte luftëtar vullnetar, pjesëmarrës i dalluar në Luftën e Spanjës. Hero i Popullit. Lindi në Gjakovë në vitin 1909. Mësimet fillore i nisi në qytetin e lindjes më 1916-18 dhe i mbaroi në Kolgecaj, të mesmen e kreu në Shkodër. Ndoqi Akademinë Ushtarake në Itali prej nga u kthye më 1932 me gradën nëntoger. Bashkëpunoi me Ali Kelmendin. Në vitet 30-të zhvilloi veprimtari të gjerë aktive, mori pjesë në përgatitjen e kryengritjes antizogiste të Fierit më 1935. Në pragun e kryengritjes u arrestua dhe u dënua me burg. Në bashkëpunim me Vasil Shanton e të tjerë më 1936 nxori revistën demokratike “ABC”. Asim Vokshi shkoi vullnetar në Luftën e Spanjës dhe u rreshtua në Brigadat vullnetare Ndërkombëtare. Ra heroikisht duke luftuar në Frontin e Ebros, në krye të repartit garibaldin që komandonte.
Më 4 tetor të viti 1932 u lind, Sten Dragoti regjisor dhe aktor i mirënjohur amerikan me origjinë shqiptare. Lindi në New York City nga prindër shqiptarë, të cilët kishin emigruar në vitet 1920 nga rrethi i Tepelenës. Interesimi i tij për kinematografinë e çoi atë në New York dhe më vonë në Kolegjin Arteve Vizuale. Ai gjithashtu ka prodhuar reklama për industrinë e udhëtimit ajror dhe automobilave. Stan Dragoti njihet sidomos për videoklipet komerciale, shumë prej të cilëve konsiderohen si vepra arti, si dhe është regjisor i 7 filmave, disa prej të cilëve mjaft të njohur në Amerikë. Vdiq më 13 korrik 2018, në Los Angeles, në California të Amerikës.
Më 5 tetor të vitit 1884 lindi, Sylejman Delvina, atdhetar burrështetas dhe diplomat i njohur. Ishte politikan i shquar shqiptar, kryeministër dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit, në vitin 1924. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesëm ne gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkije”. Bashkë me patriotë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve shoviniste ndaj Shqipërisë të monarkive fqinje. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë. Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë. Më pas, Delvina mbështeti luftën kundër bandave esadiste. Në vitin 1920 ndihmoi në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve imperialistë italianë. Mori pjesë në revolucionin e qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria dhe u end në Evropë për disa vjet si emigrant politik. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq, në Vlorë më 1 gusht të viti 1933.
Më 5 tetor të viti 1914 – Në Durrës, Esad Pashë Toptani e shpall veten president, kryeministër dhe komandant të forcave të armatosura të Shqipërisë. Ai kërkon konfirmimin nga anëtarët e Senatit, duke i kërcënuar se do t’i vriste një nga një të gjithë ata që do të votonin kundër. Ka marrë pjesë në likuidimin e Hasan Riza Pashës, i cili kishte mbrojtur qytetin nga forcat serbe e malazeze, të cilat kanë lënë të vrarë mbi dhjetëmijë ushtarë në luftë për pushtimin ne Shkodrës. Pastaj, Esad Pasha merr në dorëzim pallatin mbretëror në Durrës dhe menjëherë i shpall luftë Austro-Hungarisë, për të treguar se ishte në krahun e aleancës Francë, Britani, Rusi. Për shkak të qëndrimit antikombëtar dhe pazareve që bënte me tokat e Shqipërisë, e vrau në Paris, atdhetari Avni Rrustemi