Heshtja ka rënë natën dhe ka një zë të zvargur si murmurimë që nis e i jep objekteve, ndërtesave, rrugëve, dritave rol bashkëbiseduesish të fshehtë e nën zë.
Stolave i jep kohën të tregojë për shirat që i kanë rrahur, duke u lënë nuanca të murrme në nyjet e tyre dhe diellin që i ka thekur duke i thinjur e zbardhur fibrat e tyre.
E më pas pallatet me banorët e tyre si trena të mbushur me udhëtarë të kësaj jete që me kalimin e brezave i lënë vendin njëri tjetrit, sa më shpesh të parë e po aq të përsëritur në monotoninë e tyre. Me të njëjtët zëra e me të njëjtat fjalë ditë pas dite, me të njëjtat rroba si kukulla lego.
Rrugët zgjaten më shumë se gjatë ditës dhe në palëvizshmërinë e tyre theksojnë zbrazëtirën ku mungojnë hapat e miqve dhe zërat e tyre që më thërrisnin për tu takuar me gëzim e me padurim.
Dritat e rrugëve shtrijnë hije përdhe, pjerrtas e tërthorazi shtylla e binarë të stërgjatur, në fund edhe mua, më dyzojnë fillimisht aq sa më bëjnë të dyshoj se më është qepur dikush. E pastaj disa drita rrugësh më shumë, më katërfishojnë në hije duke më bërë të ndihem në mes të një turme hijesh. Hapat e mi theksojnë trokitjen e tyre të thatë dhe ajo bëhet e vetmja shenjë jete. Heshtja e natës më tregon me gjithë zbrazëtinë e saj se sa shumë jam i bekuar të kem njerëzit që dua. Edhe atëherë kur isha aq larg sa nuk mundesha t'i mbërrija, rrugët nuk ishin të pambarimta e nuk do të mund të më ndanin siç do ta tregonte koha më vonë.
Sa shumë dashuria i jep jetës sime e cila do të ishte një lëvozhgë bosh po të mos ishte ajo që ngjallej në mua, ajo dashuri e çjerrë që herë malli e grith e herë përqafimi e shëron dhe e shtron.