
Më 9 qershor, Argjentina do të luajë me Izraelin, 7 ditë para fillimit të Kupës së Botës “Rusi 2018”.
Një grup prej 70 fëmijësh palestinezë i kanë shkruar një letër Lionel Messit në të cilën i kërkojnë që të mos marrë pjesë në këtë ndeshje miqësore në stadiumin “Teddy Kollek” në Izrael.
Letra është dërguar në Ambasadën e Argjentinës në Izrael.
“A është logjike që heroi jonë Lionel Messi do të luajë në një vend që është i ndërtuar mbi varre të njerëzve tanë?”, kanë shkruar ata në këtë letër.
Edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Palestinës, Jibril Rajoub ka qenë kundër pjesëmarrjes së Messit në miqësoren me izraelitët.
Ai madje ka kërkuar që të i digjet fanella yllit të Barcelonës nëse zbret në fushë.
“Ai është simbol i madh dhe kështu që i kërkojmë të gjithëve që të djegin fotot, fanellat, ta braktisin atë, nëse do të luajë ndaj Izraelit. Ende shpresojmë që Messi të mos vijë”, tha ai.