Në fund të shekullit XIX, koncepti se çrregullimet mendore kanë shkallë të ndryshme (por jo lloje), në varësi të vuajtjes psikologjike të njerëzve, filloi të pranohet gjerësisht. Zigmund Frojdi thoshte se neurozat dhe normaliteti janë pjesë e të njëjtit përshkallëzim dhe se kushdo mund të bjerë pre e shqetësimeve mendore në rrethana të skajshme.
Biologjia dhe sjellja
Ashtu si edhe Frojdi, R.D. Leng sfidoi vlerat themelore të psikiatrisë, duke mos pranuar se çrregullimet mendore ishin dukuri biologjike, dhe duke theksuar rëndësinë e ndikimit shoqëror, kulturor e familjar, që i jep formë përvojës vetjake. Edhe pse ai kurrë s’e mohoi realitetin e zymtë të çrregullimeve mendore, këndvështrimi i tij kishte një kontrast, të fortë me bazat e pranuara mjekësore dhe praktikat e psikiatrisë. Lengu vinte në dyshim vërtetësinë e diagnozës psikiatrike, sepse procesi i pranuar i diagnostikimit të çrregullimeve mendore nuk ndjek modelin mjekësor tradicional. Mjekët bëjnë vizita dhe analiza për të diagnostikuar sëmundje fizike , kurse diagnoza psikiatrike bazohet te sjellja. Sipas Lengut, ka edhe një problem tjetër me diagnostikimin e çrregullimeve mendore bazuar te sjellja, që është trajtimi biologjik me ilaçe. Nëse njl diagnozë bazohet te sjellja, atëherë edhe trajtimi duhet të ketë lidhje me të. Ai argumenton se ilaçet e ulin aftësinë e të menduarit dhe ndërhyjnë në procesin e natyrshëm të rimëkëmbjes.
Qasja ndaj skizofrenisë
Puna kryesore e Lengut përqendrohet te kuptimi e kurimi i skizofrenisë dhe te përpjekja për t’ua shpjeguar njerëzve të thjeshtë: një çrregullim mendor serioz karakterizohet nga prishje të rënda të funksioneve psikologjike. Ai thoshte se skizofrenia nuk është e trashëguar, por është një reagim i kuptueshëm ndaj rrethanave, që nuk arrijmë t’i besojmë. Lengu zbatonte teorinë e akademikut të shkencave sociale, Gregori Bejtsonit, mbi “lidhjet dyfishe”, ku një person e vendosin në rrethana të tilla, që të përballet me pritshmëri që nuk përkojnë me realitetin dhe ku çdo veprim çon drejt pasojave negative, gjë që sjell shqetësime të skajshme mendore.
(Mbreti Lir i Shekspirit është shembulli i njeriut, që u çmend nga rrethanat e vështira. Sipas Lengut, çmenduria e Lirit është një përpjekje për t’u rikthyer në gjendjen e tij të natyrshme e të shëndetshme )
Çrregullimi si shpëtim
Lengu ishte revolucionar në pikëvështrimin që kishte mbi sjelljet anormale, dhe mbi ligjëratat kaotike të skizofrenëve, si shprehje të zakonshme të shqetësimit. Për të, ngjarjet psikotike janë përpjekje për të shprehur shqetësimet dhe duhen parë si përvoja spastrimi ose shndërrimi, që mund të çojnë në përcpetime të rëndësishme vetjake. Lengu e pranon se është e vështirë t’i kuptosh këto shprehje, sepse ato mbështillen me gjuhën e simbolizmit personal, që merr kuptim vetëm brenda personit. Me terapinë pa ilaçe, ai përpiqet të kuptojë simbolet e pacientit, duke dëgjuar me vëmendje e me mirëkuptim. Kjo bazohet te besimi se njerëzit janë të shëndetshëm në gjendjen e tyre të natyrshme dhe se çrregullimi i ashtuquajtur mendor është një përpjekje për t’u kthyer te kjo gjendje.
Autor: Adem Gashi
Referencat:
Laing, R. D., & Evans, R. I. (1976). R.D. Laing: The man and his ideas. New York, NY: Dutton.
Collier, A. (1977). R.D. Laing: The philosophy and politics of psychotherapy. New York: Pantheon Books.
Clay, J. (1997). R.D. Laing: A divided self: A biography. London: Sceptre.