Imagjinoni për një moment, një mashkull që mund të lexojë mendimet e femrave pa asnjë kufizim. Çfarë do të ndodhte? Do të ishte një ditë e mbushur me surpriza, apo një ditë e mbushur me mësime të papritura për komunikimin dhe ndjeshmërinë? A do të donte një mashkull të dinte gjithçka që kalon në mendjen e një femre, apo do të ishte më mirë të jetonte në mister?
Ka dy mënyra si ti përgjigjesh këtyre pyetjeve.
Ashtu siç do të ishte në të vërtetë po ta kishte këtë aftësi,
apo mundësia tjetër është po të përgjigjesh politikisht korrekt: kur e di që kjo gjë nuk do ndodhë kurrë atëherë pse t'i hapësh vetes telashe ?
Tani po them si për rastin e parë, nëse aftësia për të lexuar mendimet do të ishte realitet dhe pa e fus veten në telashe.
Unë mendoj që do të ndihej tërë kohës i kritikuar duke filluar që nga paraqitja e deri tek detajet më të vogla të sjelljes. Pakënaqësitë e femrës do të ishin aq të shumta sa do të përplaseshin me njëra tjetrën në kryqëzim e në bllokim trafiku. Do të doje si mashkull që ta humbje atë aftësi e do të pendoheshe shumë që e kishe dëshiruar sepse do të bëhej koka veç me ankesa e pakënaqësi.
Edhe sikur të të lavdëronte për diçka me mendje dhe ti si mendjelehtë që je do të doje ta bëje më shumë, atëherë menjëherë do e humbje edhe atë avantazh që kishe sepse do e ekzagjeroje dhe prapë do të zboheshe pa shumë ceremoni.
Sigurisht që do të doje të jetoje në mister, megjithëse do të kishte vështirësi për ta kuptuar por ama do të kishte shumë më tepër qetësi.
Shumë më tepër inkurajime, mashkulli do t'i besonte, e përkundrazi nëse do ta dinte të vërtetën ndryshe në mendjen e saj, nëse do të ndiente gjithë pasiguritë që ka një femër, atëherë dyshimet e saj do ta lodhnin, akuzat e saj do ta dërrmonin dhe pasiguritë e saj do të ushqenin pasiguri tek ai.
Unë besoj që një mashkull do të qëndronte i fortë vetëm nëse rezistonte në kalanë e tij e ku mund t'i ofronte siguri edhe femrës, e jo të përfshihej në ndjenjat e trazuara të saj që janë sa të papritura e mund të bëhen edhe ekstreme. Për ne si meshkuj është e vështirë të jetojmë me këtë ritëm se duam t'i marrim gjërat më ngadalë e më shtruar por në të njëjtën kohë t'i çojmë deri në fund, pa u ankuar më vonë e pa i lënë përgjysëm.
Besoj se nëse do të dinim gjithçka që dikush do të kishte në mendje, qoftë mashkull apo femër, nuk do të arrinim dot ta pranonim atë njeri, sepse vetë mendja jonë është tepër e lëkundur do të lëndohej e nuk do të qetësohej dot nga gjithë ato pasiguri.
Dobësitë që fshehim do të ishin të patolerueshme. Me to jemi mësuar të jetojmë veç vetë, qoftë mirë apo qoftë keq, por aq sa kemi mundur.
Nuk do të donim aspak që të rëndonim dikë tjetër me mundimet që kemi, se nuk na e ka për borxh dhe kjo peshë që mbajmë na kalit, na bën të mbajmë përgjegjësi vetë.
Mësohemi duke qenë të fortë e të palëkundur deri në fund për njerëzit që duam po u përçuar aspak vuajtjen tonë e dobësitë tona por vetëm të mirat që mund të japim dhe virtytet.