Zotohen pesë fuqitë botërore: Nuk ka luftë bërthamore, përhapja e këtyre armëve duhet parandaluar
Pesë nga fuqitë bërthamore të botës u zotuan të hënën të parandalojnë përhapjen e armëve bërthamore ndërsa kanë pohuar gjithashtu se lufta bërthamore nuk është një opsion.
Në një njoftim të rrallë të lëshuar së bashku, Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA deklaruan “Ne besojmë fuqishëm se përhapja e mëtejshme e armëve të tilla duhet të parandalohet”.
Deklarata vazhdoi duke thënë se “Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë”, raporton dw.
Ky koment i bën jehonë një deklarate të përbashkët të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev në vitin 1985 pas një samiti në Gjenevë në kulmin e garës së armëve bërthamore në fund të Luftës së Ftohtë, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu u pohua se “armët bërthamore – për aq kohë sa ato vazhdojnë të ekzistojnë – duhet të shërbejnë për qëllime mbrojtëse, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën”.
Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (P5) ranë dakord “të ndjekin negociatat në mirëbesim mbi masat efektive në lidhje me ndërprerjen e garës së armëve bërthamore dhe çarmatimin bërthamor dhe arritjen e një traktati për çarmatimin e përgjithshëm dhe të plotë nën kontroll të rreptë dhe efektiv ndërkombëtar”.
Premtimi i përbashkët u lëshua përpara asaj që do të ishte rishikimi i fundit i Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT).
Sesioni i dhjetë i rishikimit i cili ishte planifikuar të mbahej në selinë e OKB-së në New York këtë muaj, u shty për në fund të këtij viti.
Deklarata vjen mes një atmosfere të rritur tensioni midis fuqive globale. Ngritja ushtarake në kufirin e Rusisë me Ukrainën dhe shqetësimi i Kievit për një pushtim ka bërë që Uashingtoni të paralajmërojë Moskën për sanksione. SHBA tha se do të “përgjigjej me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”.
Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë gjithashtu të tensionuara për statusin e Tajvanit dhe rritjen e aktivitetit ushtarak në Paqësor.
Në dhjetor, SHBA dhe BE akuzuan Pekinin për minimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
Kina e konsideron Tajvanin si territorin e saj dhe ka paralajmëruar se do ta marrë me forcë ishullin nëse është e nevojshme.
"Balkanweb"