Zgjimi i shpirtit tonë përmes luleve
Çdo pranverë, ne bëhemi dëshmitarë të mrekullisë së madhe të lulëzimit. Pas të ftohtit dhe errësirës së dimrit, Natyra zgjohet, drita kthehet dhe bashkë me të ngjyrat e shkëlqyeshme, gjeometritë e mahnitshme, aromat dehëse dhe gëzimi i jashtëzakonshëm i luleve që pikturojnë pemët dhe livadhet. Mimoza, tulipani, margarita, manjolia: rilindja e pranverës ka pamjen e këtyre dhe shumë luleve të tjera të mrekullueshme.
Në lule – na kujton Alfredo Cattabiani – është e mundur të soditësh “Bukurinë e pasqyruar në kozmos, por edhe përhershmërinë e së manifestuarës”. Çdo bimë ka një gjeometri të lindur dhe parësore që e karakterizon atë, një harmoni e brendshme e formave, ngjyrave dhe aromave të cilat, si një epifani, i zbulohet botës kur lulëzojnë sythat.
Thuhet se Claude Monet, artisti i madh që, si askush dinte të vlerësonte magjinë e botës së luleve, një herë ka thënë: “Je dois peut-être aux fleurs d’être devenu un peintre”, që do të thotë “I jam borxh luleve që jam bërë piktor”.
EDHE PSIKIKA LULËZON
Në fushën psikologjike, lulja lidhet me arketipin e Vetes, thelbi i brendshëm që manifestohet dhe që realizohet në aftësitë tona krijuese. Ashtu si format, ngjyrat dhe aromat e luleve zbulojnë potencialin që mban fara, po kështu në prirjet personale, në talentet dhe aftësitë e lindura mund të dallohet natyra jonë karakterizuese dhe burimet tona të vetë-realizimit. Shumë shpesh, në kurset e psikoterapisë, pacientët të cilët i përkushtohen kujdesit ndaj bimëve, shërohen ose u ulet ndjeshëm intensiteti I shqetësimeve. Dhe shpesh, në mënyrë sinkronike, momenti i shërimit përkon pikërisht me atë të lulëzimit të bimës me të cilën merret pacienti.
DRITA E NDËRGJEDHJES
Lulet janë si sytë që kërkojnë dritën: ato orientohen në drejtim të diellit, për të thithur sa më shumë energji drite. Madje disa lule, si luledielli, ndjekin lëvizjen e diellit gjatë gjithë ditës dhe mbyllin kurorëzimin e tyre në perëndim të diellit. Gjithashtu në psikikë ka një organ ndriçues që, si një lule, kërkon dritën në natën e brendësisë sonë: është ndërgjegjja, lulja jonë e padukshme që nxjerr gjakun e saj nga pavetëdija për t’i bërë format e jetës sonë më të mëdha dhe më shumëngjyrëshe, si një lule që shkëlqen. Ndoshta kjo është arsyeja pse fetë lindore e kanë përfaqësuar tradicionalisht iluminizmin si një lule zambaku uji që lulëzon nga maja e kokës së mësuesit: për të treguar se kur shpirti arrin nivelin e tij maksimal evolucionar, ai lulëzon si një lule.
ENERGJIA E LULEVE
Energjia e luleve është e pranishme brenda nesh si në natyrë. Kjo është arsyeja pse, kur vështrimi ynë qëndron mbi një lule dhe kur thithim aromën e saj, forca rigjeneruese dhe terapeutike e rilindjes së pranverës kumbon në gjithë qenien tonë, e cila na çliron nga ngarkesat mendore dhe tensionet emocionale dhe që na jep vërshime lumturie nga thellësia e psikikës. Lulet na mësojnë se i vetmi gëzim i vërtetë i të jetuarit është ai që rrjedh nga brenda, befas, pa arsye, pa projekt dhe sidomos pa mendimin ose miratimin e të tjerëve.
/ bota.al