Zbulohet një segment me kalldrëm i periudhës mesjetare dhe asaj antike në Konispol, arkeologu: Rrugë e rëndësishme, shërbente për karvanët tregtarë të asaj kohe

Një segment rruge, që mendohet se i përket periudhës mesjetare por edhe asaj antike, ende i pa njohur deri tani, është zbuluar kohët e fundit nga arkeologu Halil Shabani, sot në pension. Ky segment rruge me kalldrëm ndodhet në veri të fshatit Shkallë, bashkia Konispol, pikërisht në vendin ku mbaron Gryka e Bogazit. Sipas arkeologut Halil Shabani, rruga ka një gjatësi deri në 100 dhe gjerësi nga 1.40 m deri në 1.60 m në disa vende. Të bën përshtypje se ky segment edhe pse i lashtë është i ruajtur bukur dhe i pastër edhe pse terreni është i pjerrët dhe shkëmbor.
Segmenti është i përbërë nga blloqe mesatarë e të mëdhenj gurësh që puthiten mirë në faqet e tyre. Mbështetur tek faqja e sipërme e konsumuar e blloqeve, gjerësia e kalldrëmit dhe pozicioni gjeografik buzë lumit Pavla, në Grykën e Bogazit, mendojmë se i takon jo vetëm periudhës mesjetare, por edhe asaj antike, na shpjegoi arkeologu Halil Shabani.
Sipas tij kjo rrugë ka shërbyer për të lidhur qytetet antike Foinike, Çukën e Ajtojt dhe Nikopolin më në jug.
Autori i lashtë grek si Polibi dhe ata romakë e përforcojnë egzistencën e kësaj rruge, si arterie kryesore, jo vetëm për kalimin e ushtrive vendase epirote, por edhe atyre pushtuese, si edhe për karvanët tregtarë të asaj kohe. Kjo rrugë ende nuk egziston në arkivin e arkeologjisë pasi është ende e panjohur.
"Balkanweb"