Xhelozia “t’i nxjerr” apo “t’i djeg sytë”?
Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendore
Xhelozia është një emocion normal që ne të gjithë e përjetojmë, pak a shumë, në një lidhje. “Pickimet” e para të xhelozisë i përjetojmë në moshë shumë të re. Për shembull, kur ndaluam monopolizimin e interesave të prindërve tanë pas lindjes së anëtarit të ri. Anëtari i ri ishte rivali në dashurinë e nënës dhe babait.
Ndërveprimi emocional që kemi pasur si fëmijë me prindërit tanë është një mikrokozmos i sjelljes sonë në marrëdhëniet tona në moshë madhore. Në marrëdhëniet e dashurisë, xhelozia zakonisht vjen nga një kërcënim real ose i imagjinuar se një person tjetër do të “vjedhë” interesin erotik – dhe jo vetëm – të partnerit të tij/saj.
Drama e Shekspirit “Othello” në mënyrë efektive atribuoi konceptin e xhelozisë patologjike. Othello ishte një dhëndër i dashuruar, i cili u bind nga një ushtar, se gruaja e Desdemonit po e tradhtonte me një burrë tjetër. I verbuar nga xhelozia dhe inati, ai vret gruan e tij të pafajshme dhe më pas kryen vetëvrasje. Otello është një model i fortë i xhelozisë patologjike dhe sjelljeve të pakontrollueshme që mund të shkaktohen.
Xhelozia morbide ka një efekt negativ dhe shkatërrues në një marrëdhënie. Personi që e përjeton këtë situatë është i pushtuar nga emocione të forta, kryesisht nga frika e braktisjes dhe tradhtia. Kjo frikë është arsyeja kryesore që e motivon personin që zemërimin ta drejtojë drejt partnerit, personave që konsiderohen xhelozë dhe në shumë raste ndaj vetes.
Shkaqet e kësaj sjelljeje rrjedhin kryesisht nga përvojat traumatike të fëmijërisë si braktisja, refuzimi apo edhe kultivimi i pikëpamjeve negative tek fëmija se sa të këqij dhe të padenjë për besim janë njerëzit. Individët e zotëruar nga këto ide torturuese mund të ndihmohen në mënyrë efektive përmes vetëdijesimit duke zbuluar fobitë më të thella që shkaktojnë sjellje të tilla.
Nga ana tjetër, xhelozia në një marrëdhënie të shëndetshme është një shenjë e interesit, dashurisë dhe këmbënguljes. Mund të themi se është shkëndija që shpeshherë rindez pasionin në një lidhje. Është një emocion që vepron si motivues dhe ruan tërheqjen mes partnerëve seksualë.
Themeli i një marrëdhënieje të shëndetshme është besimi, pa dyshim që besimi nuk merret si i mirëqenë. Të gjitha marrëdhëniet tona, qofshin ato miqësore, profesionale apo romantike, duhet të investohen gjithmonë me gatishmëri, vullnet dhe kohë.
Editimi i fundit: