VESHJE POPULLORE SHQIPTARE NË KARTOLINAT E HERSHME
Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare u fotografuan për herë të parë në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë. Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, **** çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi.

Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Mirëpo, për fat të keq, globalizimi po i zhduk këto veshje me shpejtësi të madhe.