Të dalësh nga shpella
Dishepull i Sokratit dhe mësues i Aristotelit, Platoni konsiderohet një nga baballarët e filozofisë; studimi i tij u shtri në shumë drejtime: nga politika në kozmologji, nga realiteti konkret në botën e ideve. Një trashëgimi intelektuale që ka kaluar në shekuj për të mbërritur e paprekur deri tek ne
Platoni është i vetmi mendimtar i lashtë, veprat e të cilit kanë mbijetuar në tërësi: Një prodhim i madh dhe shumë i pasur që ka ndikuar në të gjithë mendimin e mëpasshëm perëndimor. Platoni lindi në Athinë në vitin 427 para Krishtit në një familje aristokrate. Aristoni, babai, mburrej për një lidhje farefisnore me Kodrusin, mbretin e fundit të Athinës, ndërsa Perikcioni, nëna, ishte një pasardhëse (të paktën sipas asaj që pohon Diogjen Laerti) e ligjvënësit të madh athinas Solon. Ai kishte dy vëllezër dhe një motër, Potone, nëna e Speusipusit, që e pasoi atë si drejtor i Akademisë së Athinës.
Mendohet se i ishte vënë emri i gjyshit të tij, Aristoklit, por shumë shpejt ai fitoi emërtimin Platon, nga greqishtja platýs, që do të thotë “i gjerë”, ndoshta për shkak të gjerësisë së shpatullave (mendohet se Platoni praktikonte pancrazion, një stil luftimi dorë më dorë) ose për atë të ballit; ose, metaforikisht, për zotërimin e stilit letrar.
Sipas Diogjen Laertit, Platoni kishte një edukim klasik, i cili përfshinte muzikën, pikturën dhe poezinë, duke u dalluar në kompozimin e teksteve dhe tragjedive. Që në rini ai kultivoi filozofinë. Ishte nxënës i Heraklitit Cratylus, dhe ndoshta i filozofit Parmenidean Hermogenes, përpara se të takohej, kur ishte rreth njëzet vjeç, me mësuesin më të mirë që mund të dëshironte një shpirt filozofik në Athinën e shekullit të pestë para Krishtit: Sokratiin e madh.
Pasi shkatërroi të gjitha kompozimet e tij poetike, Platoni iu përkushtua tërësisht filozofisë, duke ndjekur Sokratin nga viti 408 p.e.s. e deri kur mësuesi i tij u dënua me vdekje, në vitin 399 para Krishtit. Apologjia e Sokratit, rrëfimi i gjyqit të filozofit, mbrojtja dhe ekzekutimi i tij, ishte ndër tekstet e para filozofike që shkroi Platoni.
Udhëtimi drejt teorisë së ideve
Pas vdekjes së mësuesit, Platoni u largua nga Athina. Nga viti 399 deri në 387 para Krishtit, vitin në të cilin u kthye në qytetin e tij, ai shkoi së pari në Megara, së bashku me studentët e tjerë të Sokratit, pastaj në Cirene, in Libia, ku frekuentonte matematikanin Teodor. Në vitin 390 para Krishtit ai pati kontakte në Itali me pitagorianin Arkita të Tarantos. Pas kësaj shkoi në Sirakuzë të Siçilisë, ku mbretëronte tirani Dionisi i Vjetër, një adhurues i madh i kulturës greke dhe një njohës i Arkitasit të Tarantos. Pikërisht në Siçili, Platoni takoi Dionën, një të afërm dhe këshilltar të tiranit. Mes të dyve lindi një miqësi e madhe e cila zgjati ndër vite. Ndërkohë, thuhet se tirani përfundoi duke i urryer fjalimet e Platonit, të cilit iu desh të largohej me nxitim nga ishulli. Në atë kohë po vazhdonte Lufta e Korintit dhe filozofi, i cili atëherë ishte rreth dyzet vjeç, u kap gjatë udhëtimit detar për në Greqi. Ai u shit si skllav në tregun e Aeginës, ishullit armik të Athinës, ku megjithatë u lirua kundrejt pagesës, nga filozofi sokratik Annicerid i Kirenës.
Krahas udhëtimeve studimore, vitet midis vdekjes së Sokratit dhe kthimit të tij në Athinë ishin edhe ato në të cilat Platoni shkroi dialogët e tij të parë, të quajtur edhe “Sokratët”. Në veprat e tij të hershme, Platoni merret kryesisht me tema të etikës. Për shembull, në dialogun Lisidi eksploron temën e miqësisë, te Charmides atë të mençurisë, tek Laches ai flet për guximin. Megjithatë, nëse dialogët e parë nuk arrijnë një përfundim (dhe për këtë arsye quhen aporetikë, d.m.th. pa zgjidhje), dialogu i Protagorës arrin një përkufizim të qartë të “virtytit”: në të, të gjitha cilësitë pozitive bashkohen në një të vetme, mençuria (sophìa), dhe pikërisht për këtë arsye virtyti mund të mësohet.
Në këtë mënyrë, virtyti përkon me diturinë dhe nënkupton se kushdo që njeh të mirën mund ta ndjekë atë, ndërsa, anasjelltas, kushdo që vepron keq e bën këtë nga injoranca. Kjo rrugë studimi më pas e shtyu Platonin, në dialogun Meno, të bënte një hap të mëtejshëm drejt teorisë së ideve. Në të vërtetë, edhe nëse ka lloje të ndryshme virtytesh, duhet të ketë diçka të përbashkët tek të gjitha ato. Prandaj, nëse pyesim veten “çfarë është virtyti”, për t’u përgjigjur duhet të mendojmë për vetë idenë e virtytit. Teoria e ideve, e zhvilluar nga Platoni në veprat e tij të mëvonshme, u bë qendra e studimeve dhe shënoi shkëputjen përfundimtare nga filozofia sokratike.
Akademia dhe miti i shpellës
Me të mbërritur në Athinë pas udhëtimit rokambolesk të kthimit nga Italia, në vitin 387 para Krishtit ai themeloi Akademinë, kushtuar Apollonit dhe Muzave: një nga shkollat e para filozofike për të cilën kemi disa informacione dhe tradita e së cilës vazhdoi dhe u imitua shpesh, deri në Akademinë Platonike të Firences, e themeluar nga Marsilio Ficino që u mbyll në 1522. Në njëzet vitet pas themelimit të Akademisë, Platoni shkroi dialogët e klasifikuar nga studiuesit si të pjekurisë. Ndër këta, dhjetë librat që përbëjnë “Republikën” kanë një rëndësi të madhe, aty janë eksploruar të gjitha temat filozofike të trajtuara nga Platoni deri tani. Megjithëse thelbi i kësaj vepre shumë të pasur i kushtohet politikës, trajtimi përfshin një gamë të gjerë tematikash, nga virtyti i drejtësisë deri te rregullimi i shtetit. Megjithatë, dy janë elementët që e kanë bërë këtë tekst popullor dhe që kanë magjepsur jo vetëm filozofët, studiuesit dhe kritikët, por edhe artistët dhe poetët deri më sot: shteti ideal i rrëfyer nga Platoni dhe miti i shpellës.
Ideali politik i përcaktuar nga filozofi, si shumë shoqëri të tjera utopike të imagjinuara nga mendimtarë të të gjitha epokave, u gjykua i parealizueshëm nga vetë autori. Ai imagjinonte një shoqëri të përsosur, të qeverisur nga dijetarë dhe të ndarë në tre klasa, në të cilën burrat dhe gratë kishin qasje pa dallim sipas natyrës ose aftësive të tyre: burra të mençur ose sundimtarë, luftëtarë ose kujdestarë, fshatarë ose punëtorë. Kujdestarët nuk do të kishin pasur familje as pronë private, por do të kishte jetuar të mbajtur nga popullsia punëtore (pak si ajo që ndodhi në Spartë). Në të njëjtën kohë, duke trajtuar hulumtimin për natyrën e drejtësisë, Platoni rendit virtytet që bëjnë të mundur një shtet të mirë: mençurinë, guximin, maturinë dhe drejtësinë. Tre të parat i përkasin, në shtetin ideal, klasave referuese: mençuria për sundimtarët, guximi për kujdestarët dhe maturia për punëtorët. Ndërsa drejtësia arrihet kur secila klasë përmbush detyrën e saj pa u përzier në atë të të tjerëve.
Në këtë pikë Platoni kthehet në dimensionin njerëzor dhe njeh të njëjtën ndarje në shpirtin e çdo njeriu. Shpirti i njeriut në fakt është gjithashtu i përbërë nga tre elementë: instinkti, emocioni dhe arsyeja. Siç ndodh në shtetin ideal, drejtësia arrihet kur secila klasë bën më të mirën në sferën e saj, duke respektuar virtytin që i takon. Po kështu, njeriu i drejtë është edhe ai që vepron në mënyrë racionale, i mbështetur nga emocioni dhe instinkti që e udhëheq.
Shteti ideal i imagjinuar nga Platoni pati ndikim të madh në të menduarit e mëvonshëm; vetëm mendoni për disa elementë revolucionarë për kohën, si barazia e plotë midis burrave dhe grave (të paktën për klasën e kujdestarëve) dhe heqja e pronës private për ata që duhet të mbronin popullsinë pavarësisht interesave të individit.
Në librin e shtatë të Republikës, Platoni trajton temën e dijes, një virtyt kardinal për realizimin e shtetit të përsosur. Alegoria e përdorur nga filozofi për të përshkruar procesin e njohjes njerëzore quhet “miti i shpellës”. Kalimi nga mendimi i përbashkët tek urtësia ndodh gradualisht dhe e lejon njeriun të ngrihet nga bota e objekteve të ndjeshme, nga bota e sendeve, në botën e ideve. Një rrugë që të çon në ngritjen nga bota materiale në njohjen e së mirës së pastër: ashtu si dielli i bën objektet të dukshme, e mira i bën ato të kuptueshme për intelektin. Miti i shpellës, falë fuqisë së tij figurative, pati sukses të madh në shekujt në vijim dhe u rilexua dhe u interpretua në dritën e kulturës dhe shoqërisë së çdo epoke, deri në frymëzimin e disa tiranive dhe, në ditët e sotme, disa romane dhe filma fantashkencë.
Dështimi i shtetit ideal
Në vitin 367 p.e.s., në fronin e Sirakuzës, Dionisi i Riu pasoi Dionis Plakun. Dioni, duke planifikuar të ishte në gjendje të orientonte nipin e tij të ri për të krijuar një shtet të frymëzuar nga idealet politike të Akademisë, e bindi atë të ftonte Platonin në Sirakuzë. Kështu, dhjetë vjet më vonë, filozofi athinas u kthye në Siçili për të arsimuar monarkun e ri, por edhe kjo përpjekje e dytë për reformë politike rezultoi e dështuar. Ndryshimet drastike të sugjeruara nga Platoni u kundërshtuan nga një grup kundërshtarësh të afërt me pushtetin e vjetër, të cilët arritën të bindin Dionis të Riun të dëbonte Dionin nga mbretëria, duke mbajtur Platonin. Kur shpërtheu një luftë në Siçili në vitin e ardhshëm, 365 para Krishtit, Platoni pati mundësinë të kthehej në qytetin e tij, jo pa premtimin e Dionisit për ta ftuar atë përsëri në Sirakuzë së bashku me Dionën, me përfundimin e luftës.
Tirani i ri e mbajti fjalën dhe e ftoi Platonin të shkonte për të tretën herë në Sirakuzë. Në vitin 361 para erës sonë, pasi konflikti përfundoi, Platoni ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Siçili, duke shpresuar të ndihmonte mikun e tij Dion të pajtohej me nipin e vet. Edhe këtë herë përfundimi i udhëtimit nuk ishte i favorshëm: Dionisi, gjithnjë e më armiqësor ndaj xhaxhait të tij, ashpërsoi masat ndaj tij, ndërsa përpjekjet e Platonit për ta mbrojtur atë çuan në prishjen e marrëdhënieve midis filozofit dhe tiranit. Vetëm në vitin 360 p.e.s. Platoni, falë ndihmës së Architas të Tarantos, arriti të kthehej përgjithmonë në Athinë.
Shpirti i botës
Pas kthimit në vendlindje, ai iu përkushtua plotësisht Akademisë dhe filozofisë, duke qëndruar në qytetin e tij deri në vdekje. Në fazën e fundit të mendimit të tij, Platoni riformuloi teorinë e ideve, iu kthye temës së shtetit dhe shkroi vepra që patën një rëndësi thelbësore në historinë e filozofisë së mëvonshme. Për shembull, Timaeus, një traktat kozmologjik në të cilin ka hapësirë jo vetëm për Demiurgun (parimin kryesor dhe hyjnor që krijoi kozmosin, duke i dhënë rend dhe formë), por edhe për analogjinë, e cila ishte kaq e suksesshme në kulturën e mëvonshme deri në Rilindje, midis mikrokozmosit dhe makrokozmosit, ose midis njeriut dhe botës. Kozmosi, si një organizëm, ka një trup dhe një shpirt: i pari përbëhet nga katër elementët tradicionalë (zjarri, ajri, toka dhe uji), ka një formë sferike dhe lëvizje rrethore; shpirti i botës përkundrazi formohet nga esenca të ndryshme dhe përshkon gjithçka. Timaeus është edhe më i rëndësishëm nëse marrim parasysh se studimet moderne historiografike e kanë vendosur atë ndër tekstet themelore në bazën e revolucionit kopernikan të Rilindjes.
Megjithatë, në fund të jetës së tij, Platoni iu kthye çështjes së tij të dashur të politikës. Ligjet, vepra e tij e fundit, përfaqëson një rishikim të temave të trajtuara tashmë tek Republika, por në dritën e përvojës sirakuziane dhe dështimit të një reforme të ndritur. Platoni vdiq në Athinë në vitin 347 para Krishtit, duke ia lënë drejtimin e Akademisë nipit të tij Speusippus. / Në shqip nga bota.al