Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Studimi venedikas për kanunin e shqiptarëve

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
MOIKOM ZEQO

Kanuni i shqiptarëve është një krye-monument juridik zakonor i kombit tonë në Mesjetë. Ky korpus rregullash dhe ligjesh të plotfuqishme janë një botë e gjallë dhe njëkohësisht e fosilizuar mendësisë popullore, e mençurisë së zgjidhjes së problemeve të mprehta dhe e një vetë-administrimi të problemeve shoqërore.

Kanuni i shqiptarëve i njohur në Veri edhe me emrin konvencional si Kanuni i Lekë Dukagjinit, është mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe është botuar jo vetëm në shqip por në disa gjuhë kryesore të botës. Studiuesit e së drejtës kanë bërë shumë analiza për tekstin fragmentar dhe jo të plotë të kanunit.

I mbledhur vonë dhe i kompozuar në mënyrë subjektive sipas mbledhësve kanuni nuk na paraqitet plotësisht dhe në mënyrë të pa cënuar siç ka qenë para shumë shekujve. Ky kanun është një nga kryeveprat mendore të kombit shqiptar në të gjitha kohërat.

Me të drejtë kanuni i Lekë Dukagjinit është një monument i traditës, i ndërlidhur ngushtë me Eposin e Kreshnikëve të Veriut si dhe konstelacionin e mrekullueshëm dhe të pashembullt të proverbave shqiptare. Gjithashtu ky kanun nuk mund të kuptohet pa gjenezën e kodeve juridike të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh. Pra, nisma e Kanunit është fundi i Antikitetit të Vonë dhe plotfuqishmëria e Kanunit është periudha e Mesjetës së hershme etj.etj.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është kodi konceptual vetëqeverisës i shqiptarëve në atë që quhet epoka para-shtetërore. Vetvetiu struktura e një shteti është diçka krejt tjetër dhe do të krijojë kështu një paradoks dhe kundërvënie e juridicitetit para-shtetëror me juridicitetin shtetëror. Kjo formulë e thënë nga studiuesit nuk është e saktë në mënyrë absolute. Shumë elementë përbërës të kodit juridik para-shtetëror të shqiptarëve reflektojnë qenësinë e një autonomie shtetërore ndoshta fjala vjen e shtetit të Parë të Arbërit ose dhe e principatave shqiptare të Veriut.

Duke respektuar deri në fund Gjeçovin e madh ne duhet t’i shtrijmë hulumtimet tona në shekujt e mëparshëm. Ka qenë një befasi e madhe kur duke shfletuar disa libra botuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare, me titull : “Studime dhe tekste”, botuar më 1944 unë gjeta një studim relativisht të gjatë, botuar në italishten venedikase. Ky studim nuk ka emrat e autorëve. I takon si kohë shekullit të XVII.

Për herë të parë është transkiptuar në gjuhën shqipe nga miku im, mesjetarologu i shquar, i ndjeri Injac Zamputi. Pikërisht ky studim hap një faqe të re krejtësisht origjinale për studimet mbi Kanunin. Duke lexuar këtë studim habitesh jo vetëm me arsyetimin e lartë juridik të përpiluesve me sa duket venedikas, ka mundësi edhe shqiptarë që shërbenin në Venedik, mbi Kanunin Shqiptar.

Studimi i drejtohet Republikës së Venedikut dhe quhet “Informacion mbi origjinën dhe metodën e arbitrazhit në çështjet e marrjes së gjakut në Shqipëri”.

Arsyeja bazë e studimit është që të bëhet harmonizimi midis ligjeve të Kanunit Shqiptar dhe ligjeve shtetërore të Venedikut. Pikërisht në tokat shqiptare nga Kotorri e deri në Shkodër që ishin në zotërim të Venedikut.

Ky material analizues e i pashembullt i para 4 shekujve na lejon të kuptojmë forcën por dhe dobësinë e kanunit shqiptar edhe në ditët e sotme. Si arsyetohet dhe si bëhet argumentimi i këtij studimi?

Që në fillim theksohet se grindjet ndërmjet privatëve gjykohen në dy mënyra, ose duke ju drejtuar autoritetit të ligjshëm të popullsisë, ose duke ja lënë në dorë drejtësisë së të Urtëve, që vullnetarisht dhe me marrëveshje zgjidhen nga të dyja palët. Kjo bëhet sepse e kërkon Kanuni kur ka grindje : jo e imja, jo e jotja – ndërmjet personave të fisit. Kur larja e fajeve i lihet në dorë për zbatim gjykimit privat, ahere del në pah prishja e popullsisë dhe dobësia e qeverisë. Kushdo e sheh qartë se krimi dëmton po aq personin privat sa edhe e çrregullon shoqërinë sepse ja dhunon ligjet, kështu që në qoftë se shteti për interesin e veçantë të cilit është fjala nuk ndërhyn në gjykim, arbitrari është i pavlefshëm.

Kështu përpiluesit e studimit duan të paraqesin origjinën e këtij abuzimi në Shqipëri me qëllim që të shmangin pasionin dhe interesat njerëzore me të cilët ngjyroset dhe shtrembërohet e vërteta.

Shqipëria Venedike (trojet etnike shqiptare të administruara nga Venediku) është një vend në kufirin bregdetar me Sulltanin.

Në të dy këto hapësira popujt, nuk kanë një gjykatës të përbashkët, prandaj për arsye të qetësisë është i nevojshëm arbitrazhi, sepse mungon autoriteti për një ligjshmëri të pakundërshtueshme. Kjo gjë në të vërtetë nuk është aspak kundër arsyes, por nga ana tjetër, fakti që krimet e shtetasve të mos i nënshtrohen gjykimit të gjykatës është drejtpërdrejtë në kundërshtim me arsyen e shtetit dhe me natyrën e nënshtetësisë. Kështu përpiluesit e studimit justifikojnë ekzistencën e një grupi të veçantë për të kryer gjykime në formën e institucionit të arbitrazhit. Në bashkësinë e komuniteteve njerëzorë padyshim që janë institucion zyrtare venedikase por siç ka ndodhur në Rizon të Kotorit, që u pajis me titullin e bashkësisë me Kapedan dhe Zëvendës dhe Gjykatës, për shkak të traditës vendase doli se banorët e Rizonit në rrugë të veçantë dhe unike ja dolën të merrnin në dorë jo vetëm gjykatën civile por edhe atë penale.

Kështu institucionet juridike venedikase u formalizuan. Autoriteti gjyqësor enedikas nuk funksionon.

Çfarë duhej bërë?

U vendos një kompromis, të krijohej një institucion hibrid, ai i arbitrazhit, por me lejen e zyrtareve shtetërore venedikas. Shqiptarët e kuptuan fuqinë e këtij parimi të ndërmjetëm. Kështu u krijua një realitet i ri gjyqësor që nga forma ishte venedikase por nga përmbajtja ishte tipik kanunor dhe shqiptar. Ahere u përcaktuan dhe rregullat përkatëse të funksionimit të arbitrazhit.

Kështu në bashkësinë e vendeve që nuk kanë pjesë në grindje zgjidhen 12 veta prej fajtorit (që ka bërë fajin ose krimin) dhe ata dërgohen te shtëpia e atyre që kanë pësuar fyerje, për të kërkuar prej tyre pezullimin e inateve, pezullim që quhet premtim apo besë. Këta 12 të dërguar paraqesin disa dhurata të vogla si fjongo, gjilpëra, shami, për të treguar dëshirën që ka fajtori për një pajtim të sinqertë dhe të qëndrueshëm. Dy herë ata kthehen mbrapsht pa e marrë fjalën e besës, hera e tretë është vendimtare. Nëse pranohen herën e tretë ndërmjetësit është simboli që të fyerit janë gati për kompromis.

Ata kthehen te shtëpia e fajtorit, i cili për të bërë provën e fundit të seriozitetit merr 12 djepe dhe ja dërgon të fyerit së bashku me ndërmjetësit, të 12 djepet janë të mbuluara me mahrama, mbulesa më qëndisje të dendur që përdoren nga shqiptarët, dhe në secilin djep është vendosur një monedhë e quajtur real prej floriri.

Kur hiqen mahramat nga djepet shihen edhe monedhat. Kur ndërmjetësit arrijnë te porta e të fyerit u bëhet pyetja se cilët janë. Ata duke ju shmangur përgjigjes që do të mund të ringjallte kujtimin e fyerjes i përgjigjen : “Hape derën kumbarë që të pranosh Zotin dhe Shën Gjonin.” Kështu pasi porta nuk hapet as të parën dhe as të dytën herë ja nisin për herë të tretë : “Hape derën kumbarë, që të pranosh Zotin dhe Shën Gjonin, mos na kthe mbrapa, për fatin tënd, për fëmijët e tu, për mbarësinë e punëve të tua, për rritjen e konakut tënd”. Si hapet porta e shtëpisë dhe pronohen dhuratat nis e shtrohet biseda për caktimin e besës dhe caktohet afati brenda të cilit, sa të rregulloren punët e nevojshme për gjykimin duhet të mos pësojnë dëm njerëzit e njerës palë dhe tjetrës dhe numërohet si turpi më i madh sikur besa të thuhej dhe të zezohej me mashtrim. Numri i gjykatësve rregullohet sipas rëndësisë së krimit : nëse është fjala për vdekje duhet të ketë 24 vetë, për plagosje 12 vetë. Për vjedhjet, grabitjet dhe mashtrimet 6 ose 4 vetë. Për shpifjet veprohet me kumbari dhe vëllamëri.

Kështu dëmshpërblimi jepet me coha në ngjyrë të kuqe ose me mbulesa të qëndisura mahrame ose paguhej me realë. Shpifja dëmshpërblehet në këtë mënyrë vetëm kur nuk ka cënuar nderin dhe jetën, sepse fyerjet e tjera zënkat e përditshme nuk merren fare parasysh. Për plagosje dëmshpërblimi ka vlerë 10 realë ose 10 zenikë. Kësaj i shtohet dhe shuma që ka shpenzuar i plagosuri për kirurgjinë. Jeta e një burri vlerësohet e barabartë me 12 gjaqe ose me 12 zekinë të plotë. Gruaja e vrarë çmohet vetëm me gjysmën e kësaj shume. Nëse vrasja ka ndodhur gjatë kohës së besës ahere vrasësi gjykohet pavarësisht nga e drejta e tij e mëparshme.

Zyrtarë venedikas mbas dhënies së dënimit nga arbitrazhi i shkruajnë vendimet gjyqësore. Meqenëse shqiptarët nuk kanë vulë për ta bërë autenik dhe të vlefshëm dokumentin bëjnë dy kopje në të cilat ngjisin një grosh raguzian dhe e ndajnë në mes. Ata e çmojnë kaq shumë të nevojshëm këtë ngjitje, saqë e quajnë të pavlefshëm vendimin gjyqësor nëse ky do të ishte pa këtë kërkesë. Si të lexohet vendimi gjykatësit ngrihen në këmbë dhe qëndrojnë ndërmjet dy palëve të cilët vihen rresht dhe ahere paraqitet vrasësi duke mbajtur të varur në qafë armën me të cilët ka vrarë, dhe duke ecur në gjunjë zvarritet tek përfaqësuesi i familjes së të vrarit për t’i kërkuar falje. I dëmtuari ja heq armën që ka vrasësi dhe e përqafon atë pasi e ka lënë t’i lutet tre herë.

Po kështu veprojnë të dy palë pastaj përqafohen dhe kuptohet se vendimi është pranuar. Përpiluesit anonimë të studimit për Kanunin shprehin habi se si vallë një popull i varfër si shqiptarët mundet të veprojnë me një urtësi të tillë. Por në fund të studimit ata nuk ngurrojnë të shtojnë se ky arbitrazh është i papranueshëm për normat juridike zyrtare venedikase dhe është “një abuzim i së drejtës sovrane në ushtrimin gjyqësor’.

Pra ligjet zyrtare të Venedikut janë ato që bëjnë një kompromis me ligjet shqiptare të kanunit.

E gjithë kjo histori marramendëse është e para katër shekujve.

Si vallë para katër shekujve shteti i Venedikut nuk qëndron indiferent për shtetasit shqiptarë? Shqipëria sot ka një kod juridik tepër të përparuar dhe bashkëkohor, të standardeve ndërkombëtare.

Kanuni i Veriut është në një aktivitet të plotë. Normat para-shtetërore nuk i përfillin ligjet shtetërore. Venedikasit shpikën institucionin e arbitrazhit, të organizuar nga shqiptarët por me lejen e tyre.

Kjo tregonte interes dhe vëmendje të venedikasve. Natyrisht që sot është marrëzi të operosh me kompromise të normave para-shtetërore dhe ligjeve shtetërorë.

Unë jam për plotfuqishmërinë juridike të shtetit dhe jo të Kanunit.

Por nuk mund të kuptoj dot indiferencën e shtetit shqiptar. Shembulli i shtetit venedikas më ve në mendime. Venedikasit përpiluan dhe një studim të posaçëm për Kanunin Shqiptar. Po shtetartë shqiptarë çfarë bëjnë, heshtin, futin kokën në dhe si struci?

***

Lekë Dukagjini është një personalitet historik i jashtëzakonshëm, që është lënë padrejtësisht në hije.

Ky është një paradoks i shkencës historike. Ka të drejtë Babingeri kur edhe për Gjergj Arianitin, vjerrin e Skënderbeut thotë se është një personalitet i jashtëzakonshëm historik, por padrejtësisht i lënë gjithashtu në hije. Ka ardhur koha e syzimeve monografike shumërrafshëshe mbi figurat historike pak ose aspak të studiuara.

Besoj që apologjia e Lekë Dukagjinit na bën që të mendojmë më seriozisht për të dhe konkretisht për familjen e madhe princërore të dukagjinasve, përbërës ndërlidhës i etnicitetit shqiptar në Kosovë, Dardani dhe në Shqipëri.

Vetëkuptohet që studimi do të ndalej domosdo edhe në lidhjen semantike të emrit të Lekë Dukagjinit me Kanunin e emërtuar tradicionalisht me emrin e tij.

Një studim me karakter zbulues lidhet me ekzistencën e fjalëve të urta si sentenca apo maksima juridike. Duke i lexuar me kujdes këto proverba mendja të shkon tek një lashtësi më e madhe. Proverbat kane qenë edhe më përpara, por i jan nënstruar strukturimit në korpusin juridik.

Kjo pasuri e proverbave hap një shteg të madh studimor, të pashembullt në kulturën orale të jashtëzakonshme të shqiptarëve.

Kultura orale është para së gjithash kulturë virtuale, shumë më tepër se sa saktësia juridike. Në kulturën orale shqiptarët kanë disa kryevepra të nivelit botëror:

Eposin e Veriut të Kreshnikëve, Kanunin e Lekë Dukagjinit si dhe tërë përrallat, proverbat mitet, legjendat, baladat.

Kanuni i Lekës është i lidhur konceptualisht me Eposin e Veriut si dhe me strukturën diturake të proverbave.

Historiciteti i kanunit të Lekës është një çështje tepër e ndërlikuar, shumë më përpara se sa shekulli XV.

E drejta zakonore shqiptare është një nga të drejtat juridike popullore, orale ne krejt kontinentin evropian.

E drejta zakonore shqiptare mbështetet mbi normën juridike romake, bizantine si dhe në traditën vendase, madje dhe lokale. Monumenti i kanunit të Lekës, përbën një trashëgimi kolosale, e cila nuk flet vetëm për atë që quhet statusi parashtetëror i shqiptarëve, por edhe me një status shtetëror të vërtetë, që lidhet për mendimin tim me ekzistencën e Shtetit të Arbërit, të paktën që në shek.XII.

Nga pikëpamja heraldike shqiponja njëkokëshe e Dhimitrit të Arbërit është e ngjashme dhe tipologjikisht e njejtë me shqiponjën njëkokëshe të stemës dukagjinase.

Për mendimin tim një analizë krahasimtare dhe hulumtuese më e shumëanëshme do të bënte të mundur një pasurim më cilësor të konceptualitetit mb i kete subjekt.
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back