Čumil (Çumil), kështu quhet skulptura në foto dhe është autorit Viktor Hulik e cila ndodhet në Bratislavë. Ka shumë variante për historinë e saj, por unë do tu rrëfej më të bukurën që lexova sot.
Thuhet se kjo skulpturë është bërë në nderim dhe përkujtim të një punërori të thjeshtë të cilin e braktisi e dashura pasi ai i tregoi asaj se punonte si pastrues në kanalet e ujërave të zeza të qytetit.
Ajo nuk pati guxim ta refuzonte sy më sy, por i premtoi se do vijonin të takoheshin bashkë. Ai e priste çdo ditë, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën orë. Por ajo nuk e mbajti premtimin dhe nuk erdhi kurrë.
Miqtë e tij i qëndruan pranë, uleshin rreth tij dhe pinin kafe me të për ta ngushëlluar e përkrahur. Por për fat të keq, zhgënjimi dhe hidhërimi e mposhtën, Çumil i gjorë ndërroi jetë!
Pas vdekjes së tij, u ndërtua kjo skulpturë në vendin ku ai priste, në shenjë nderi dhe respekti për ata të rinj që bënin punë të ndershme dhe mbanin pastër qytetin.
Përreth statujës u ndërtua një kafene që simbolizon miqtë e Çumil të cilët i qëndruan pranë. Kushdo që ulet aty, i fërkon kokën Çumil-it të gjorë dhe shpreh një dëshirë, thuhet se ato realizohen.