Si ndryshon ndër vite personaliteti ynë
Duke folur me një shtatëdhjetë vjeçar të sjellshëm dhe të shoqërueshëm, mund të pyesësh veten: “A ka qenë gjithmonë kështu, apo ka ndryshuar me kalimin e viteve?”. Dhe një shtatëmbëdhjetëvjeçare e rezervuar mund të pyesë veten: “Kur të rritem, a do të jem po njësoj?”. E vërteta është se ndërsa mbetemi vetvetja, nuk jemi i njëjti person gjatë gjithë jetës sonë. Dhe ka lajme të mira: personaliteti përmirësohet me kalimin e kohës.
Bërthama
Në një farë mase, ne mund ta njohim veten te fëmija që ishim dikur. Të qetë apo të zhurmshëm? Të qetë apo i prirur për shpërthime? Eksplorues të sigurt të botës apo të trembur nga të huajt dhe përvojat e reja? Temperamenti që kemi që fëmijë ndikon në përvojat e jetës, duke nxitur pritshmëri të ndryshme tek të tjerët (për shembull, nga një fëmijë i turpshëm pritet të mos flasë shumë dhe nga një i paduruar pritet që të shpërthejë gjithmonë në zemërim) dhe sjellje që mund ta radikalizojnë atë: p.sh. një fëmijë i turpshëm mund të lihet në botën e tij ose të ndërpritet pa shumë takt kur flet, ashtu siç është e mundur që një fëmijë i zhurmshëm të trajtohet me nervozizëm edhe para se të lëshojë zemërimin e vet. Në çdo rast, këto stile të sjelljes së fëmijërisë thonë shumë për personalitetin që do të zhvillohet në moshën madhore.
“Një 3-vjeçar i turpshëm sillet shumë ndryshe nga një 20-vjeçar i turpshëm. Por thelbi mbetet”, thotë Brent Donnellan, psikolog në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. Duke ndjekur fëmijë nga 3 vjeç deri në moshën madhore, një studim nga Universiteti i Wisconsin gjeti gjithashtu vazhdimësi me kalimin e kohës: fëmijët e rezervuar mbetën të rezervuar dhe ata me vetëkontroll të dobët u bënë të rinj impulsivë dhe që ndërmerrnin risqe.
Çështje pjekurie
Por personaliteti ynë nuk është gdhendur një herë e përgjithmonë që në fëmijëri. Ka të ngjarë që pas disa vitesh ndryshimet të jenë të padukshme, por ngadalë, gjatë rrjedhës së jetës, ato mund të bëhen të rëndësishme. Sipas Brent Roberts, psikolog në Universitetin e Illinois në Urbana-Champaign: “Personaliteti është një fenomen në zhvillim. Nuk është diçka statike në të cilën njeriu ka ngecur, pa mundësinë për të shkuar më tej”.
Së bashku me kolegët nga Universitetet e Houston dhe Tübingen (Gjermani), ai studioi ndryshimet e pothuajse 2000 njerëzve në mbi 50 vjet: individët që kishin marrë pjesë në një studim kur ishin në shkollë të mesme (mosha mesatare 16 vjeç) u gjurmuan dhe iu nënshtruan të njëjtit test. “Rezultatet tona sugjerojnë se personaliteti ka një komponent të qëndrueshëm gjatë gjithë jetëgjatësisë, por ai është gjithashtu i lakueshëm, d.m.th. njerëzit piqen me moshën,” përfunduan autorët.
Në njëfarë kuptimi, mbi të gjitha “skajet” zbuten e lakohen: pjesëmarrësit morën rezultate më të larta se sa kur ishin adoleshentë në pjesë të testit që masnin qetësinë, vetëbesimin, ndjenjën e përgjegjësisë dhe prirjen për të ndërmarrë veprime. Studime të tjera e konfirmojnë këtë evolucion: ndërsa plakemi bëhemi më të ndërgjegjshëm, emocionalisht të qëndrueshëm (më pak pre e impulseve dhe emocioneve), ekstrovertë, miqësorë dhe bashkëpunues. “Ndryshimet janë potencialisht pozitive. Më shumë vetëvlerësim, ndërgjegje dhe stabilitet emocional mund të përmirësojnë jetën tonë në fusha të tilla si puna, marrëdhëniet dhe shëndeti”, thotë Roberts. Në një nga studimet e tij ai tregoi gjithashtu se mosha ul narcisizmin: në përgjithësi, drejt moshës së mesme ai është më pak i theksuar sesa kur në rini, edhe pse narcisistët e vërtetë priren të mbeten të tillë, të paktën pjesërisht.
Avantazhet e ndryshimit
Rikrijimi i personalitetit me rritjen e moshës sjell përfitime të mëtejshme. Një studim nga Universiteti i Buffalo mbi njerëzit e moshës 14 deri në 99 vjeç zbuloi se me kalimin e viteve, ata bëhen më të besueshëm ndaj të tjerëve dhe se kjo shoqërohet me një ndjesi më të madhe mirëqenieje. Ndërsa në Universitetin e Singaporit u pa se 70-vjeçarët janë më bujarë se 20-vjeçarët me të huajt, sepse janë më pak të përqendruar te vetja. “Ekziston një ide e gabuar se njerëzit e moshuar janë më të turpshëm. Në realitet është e kundërta. Në vend të kësaj, ne shpesh bëhemi më empatikë dhe të dhembshur teksa plakemi”, shpjegon Rodica Damian, psikologe në Universitetin e Hjustonit. Gjithashtu fitojmë qetësi shpirtërore, sepse jemi më të patrazuar se sa kur ishim të rinj.
Për të vlerësuar këtë, një ekip i koordinuar nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Cruz, vëzhgoi me imazhe të rezonancës magnetike funksionale përgjigjen e amigdalës (zona e trurit që përpunon disa emocione) ndaj pamjes së imazheve me përmbajtje emocionale pozitive dhe negative, tek njerëz të moshave të ndryshme. Vetëm tek të moshuarit imazhet pozitive nxisin aktivizim më të madh të amigdalës në krahasim me ato negative. Për më tepër, pjesëmarrësit më të moshuar kishin më shumë gjasa të kujtonin imazhe të këndshme midis atyre që panë gjatë eksperimentit.
Siç shkruajnë autorët e studimit: “Ndërsa plakemi, ne përjetojmë më pak emocione negative dhe u kushtojmë më pak vëmendje stimujve emocionalë negativë, sesa atyre pozitivë”. Në shumë raste qeshim edhe më shumë. Kjo doli nga një studim në Universitetin e Nju Meksikos, në të cilin disa njerëzve iu kërkua të vlerësonin një sërë deklaratash humoristike dhe neutrale. “Të moshuarit i perceptonin si humoristët, ashtu edhe ata neutralë, si më argëtues sesa të rinjtë,” përfundoi autori i studimit.
Shtytja e evolucionit
Me kalimin e kohës, pra, edhe personaliteti transformohet. Po pse? Jo aq shumë si rezultat i ngjarjeve të mëdha të jetës. Ajo që na formon, është më tepër ajo që presin të tjerët nga ne, nevojat që duhet të plotësojmë për të krijuar marrëdhënie të mira shoqërore, për të edukuar veten, për të punuar, për të ndërtuar marrëdhënie romantike, për të krijuar familje. “Me kalimin e kohës, në shumë kontekste të jetës, ne na kërkohet t’i bëjmë gjërat pak më ndryshe,” thotë Roberts. “Askush nuk na thotë hapur se si të veprojmë, por në shumë situata ka rregulla shumë të se si duhet të sillemi,” specifikon ai.
Pra, ne përshtatemi. Për t’u konformuar me kërkesat sociale dhe detyrat zhvillimore të çdo faze të jetës. Aq sa një studim i kryer në 62 vende, i koordinuar nga Universiteti i Tilburgut (Hollandë), zbuloi se në kulturat ku të rinjtë pritet të marrin shpejt përgjegjësitë e të rriturve (si puna dhe largimi nga familja e origjinës), personaliteti piqet më herët.
Vendos unë si dua të jem
A mund të vendosim vetë që të ndryshojmë? “Shumica dërrmuese e njerëzve do të donin të ndryshonin aspekte të personalitetit të tyre,” thotë Nathan Hudson, psikolog në Universitetin Metodist të Jugut në Dallas, Teksas. Hudson kreu një studim në të cilin pjesëmarrësit raportuan se cilin dimension themelor të personalitetit donin të ndryshonin. Më pas, çdo 7 ditë për 15 javë, ata morën propozim për të kryer një detyrë, të projektuar për t’i nxjerrë nga “zona e tyre e rehatisë”, me nivele në rritje të vështirësisë.
Për shembull “prezantohu me dikë”, dikujt që donte të bëhej më ekstrovert. Kështu, ne kemi parë se ata persona me të vërtetë mund të evoluonin në drejtimin e dëshiruar. “Përveç faktorëve të jashtëm si rolet shoqërore, qëllimet për të ndryshuar personalitetin e dikujt mund të jenë gjithashtu mjaft të forta për të formuar vazhdimisht mendimet, ndjenjat dhe sjelljet gjatë një periudhe kohe të mjaftueshme për të prodhuar ndryshime në tipare,” thotë Hudson. Një person i turpshëm mund të “detyrojë” veten të shkojë në një festë ku nuk njeh pothuajse askënd. Dhe një tip impulsiv që të mos shprehë zemërimin në vendin e punës. Dhe kështu, i japim vetes mundësi të reja, që të ndryshojmë vit pas viti. Vetëdija se personaliteti është në transformim ka dy përparësi: promovon evolucionin tonë dhe na bën të jetojmë me kuriozitetin për të zbuluar se si do të bëhemi.
bota.al