Dr.Dorian Koçi
Poezia shqipe në mesin e viteve ‘60 filloi të përfaqësohej dhe nga një zë i veçantë që mbartte në vetvete konturimin e një talenti të madh. Frederik Reshpja , poeti i pazakonshëm në një kohë të pazakontë shfaqi që në fillim në origjinalitetin e lirikës së vet, tematikës dhe teknikës letrare përvijimin e një poeti të ri modern. Përqafimi i modernitetit ishte një sfidë më vete në letërsinë shqipe të atyre viteve. Në letërsinë shqipe mbizotëronin prej kohësh tezat zhdavoniste të lëvrimit të tematikave dhe karaktereve, çka kishte sjellë në vetvete një tharje të vet thelbit të letërsisë edhe pse problemi i modernitetit në letërsinë shqipe ishte një problem i hershëm. Poezia shqipe që nga fillesat e veta kishte reflektuar si problematikë lidhjen me modernitetin dhe marrëdhënien e saj me rrymat letrare moderne që lëvroheshin në Europë.
Në hapësirat europiane të poezisë ende nuk kishin dalë talente të spikatura që të mos reflektonin vetëm mikrokozmozin shqiptar por edhe universalitetin e dëshiruar të poezisë. Në vitet 60’ ky universalitet poetik vështirësohej edhe nga adaptimi si dogmë zyrtare i Realizmit Socialist , çka kish krijur edhe letërsinë zyrtare dhe shkrimtarët zyrtarë që përfaqësonin këtë letërsi. Reshpja dhe poezia e tij nuk do ti shpëtonin kësaj ligjësie por sëbashku me Kadarenë, Agollin e Arapin që e kishin filluar një 10 vjeçar më parë do të sillnin një modernitet përsa i përket letërsisë shqipe brenda aeralit kulturor shqiptar dhe në disa raste poezia e tyre do të radhitej përkrah vlerave universale.
Një nga karekteristikat kryesore të tematikës së poezisë shqipe në vitet 60’ e këndej ishte historicizmi i së kaluarës së largët për të evidentuar motivet e qëndresës dhe stoicizmit kombëtar. Ky historicitet edhe pse shpesh herë është parë me admirim si një arratisje nga e përditshmja për të dhënë kumte ndaj aktuales, në fakt nuk binte ndesh me ideologjinë zyrtare. Udha e vetme e marksizmit dogmatik që kish ndërmarrë udhëheqja komuniste shqiptare në logosin e përditshëm elaboronte termat e kështjellës, izolimit dhe triumfit mbi gjithë armiqtë e jashtëm. Këtë historicizëm të së shkuarës dramatike të Shqipërisë, miteve dhe legjendave të saj e gjejmë dhe tek krijimtaria e hershme e Reshpjes. Poezitë e botuara në përmbledhjen e parë Rapsodi Shqiptare (1968) reflektojnë pikërisht këtë përqasje përsa i përket së shkuarës heroike.
Rapsodi shqiptare!
Gjithcka është thënë kjartë dhe rimat me pushkë janë formue,
Me pushkë e jatagana
Vargjet janë mbyllë dhe thye.
Mes pushkës dhe jataganit janë ndry të gjitha
Mes rimave të hekurta
Të gjitha janë ndry.
Një këngë të tillë andrroi shqiptari
Me shekuj që në lashtësi.
Mbi vargjet e zhveshun , të thyem të maleve
Mbi strofat e forta të maleve të tij.
Pushka dhe jatagani konceptohen si imazhe paralele midis të cilave është përkundur jeta e shqiptarit. Në këtë kontekst poema Rapsodi Shqiptare (1968) përngjan me poemën e Ismail Kadaresë “Përse mendohen këto male”, (1962-1964)ku pushka është figura qendrore e poemës dhe boshti i ideve të poetit për vetëpërcaktimin e njeriut shqiptar nëpër shekuj:
Kështu ke ecur gjithmonë, Shqipëri,
Me këmbët e gjata,
Me një pushkë të gjatë,
Ecje dhe s’dije ku veje ti.
Pushka është shëmbëllim i gjymtyrëve, një gjymtyrë faktike, në të cilën është mbështetur Shqipëria, për të qëndruar në këmbë. Më tej, pushka është edhe vlerë e ripërtëritjes, e barazvlershme me ripërtëritjen biologjike të njeriut shqiptar, e krahasuar me gruan:
Se gruaja lindte fëmijë,
Por pushka lindte krisma,
Dhe për shqiptarin ishin
Po aq të shtrenjta të dyja:
Dhe krisma dhe fëmija.[1]
Gjithsesi Reshpja në trajtimin e së shkuarës mbetet origjinal kur trajton motive të të vjetra të lashtësisë së shqiptarëve sidomos kur përdor formën e vet origjinale poetike të vargëzimit të bardhë. Në poezinë “Natë arkeologësh” e shkuara vjen natyrshëm mes një imazhi poetik të një dite me shi. Aty shfaqen kalldërëmet iliriane si një dëshmi e një rrugëtimi të gjatë historik dhe buzëqeshja e një skulpture të zbuluar që Rreshpja e pagëzon me emrin Afërditë, hyjneshën e dashurisë.
Arkeologët
Stivosin ndër arka perënditë e fundit
Do perëndi të thyem , të lagun
Nën abazhur një Afërditë e bukur
U buzëqesh të gjithëve
Si një e njohun e largët , e dashun.
Historicizmi në veprën poetike të Reshpjes është i lidhur ngushtë me atdhedashurinë dhe motivin e Kosovës. Gjithsesi ai edhe në këtë drejtim duket se është inovator pasi arrin të bashkojë pjesë të ndryshme të historisë së shqiptarëve për të krijuar një mozaik kulturor e historik. Madje Reshpja përdor shpesh herë edhe në imazhe jo fort të njohura por që tregojnë një elegancë dhe njohje historike të admirueshme për kohën. Kështu p.sh në poezinë “Të dëbuemit” kushtuar shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve të Kosovës nga vendi i tyre, ai bën së bashku pikëllimin e ikjes së kosovarëve nga vatrat e veta me trishtimin e mos gjetjes së asnjërit të njohu që i pret në Turqi përveçse koka e prerë dhe e varrosur e Ali Pashë Tepelenës nën një gur të ftohtë.
Qytetet turke ja ku po duken larg,
Askush sna pret atje,
Askush sna njeh atje
Veç nën një gur të ftohtë Ali Pashai fle.
Në poezinë tjetër ‘Testamenti i Skënderbeut”(1973), Reshpja shfaqet si një poet modern duke mos ia besuar kumtin e vet poetik vargut klasik tetërrokësh por vargjeve të bardha me imazhe universale e si ullinjtë, erërat e gruri. Heroi kombëtar i shqiptarëve më tepër se një hero luftarak përshkruhet si hero i përbotshëm , vdekja e të cilit shërben për të ricikluar jetën përmes grurit që do mbijë nga sytë e tij.
Ja dhe stapi im prej ulliri, mbilleni!
Mbi degët e tij mund të varni armët.
Duke vështruar kurmet e ullinjve,
Gjithmonë kam menduar që ata janë drurët e luftës
Ç’kisha ua dhashë.
Tani trupin tim ta zbrisni thellë në tokë
Që kur të vijë vjeshta nga sytë e mi të mbijë gruri.
Reshpja në dallim nga një pjesë e madhe e poetëve të viteve 60’ duket se nuk është i influencuar nga lirikët e mëdhenj rusë Esenin e Bllok. Ai krijon tipologjinë e lirikës së vet në letërsinë shqipe të mbështetur në traditën letrare të Shkodrës qytetit të cilit i detyrohet kulturialisht. Në vargjet e tij ndihet ndikim i Mjedës e Migjenit në poezinë “Në këtë qytet” kushtuar Shkodrës. Gjithsesi Reshpja i tejkalon të dy kur përveçse historicitetit të Mjedës dhe pikëllimit të Migjenit i shton lirizmin e tij në vargjet.
Në këtë qytet që agoi mes zërit tim
Banon e dashura ime;
E dashura ime i ka sytë në ngjyrën e qiellit në momentin e perëndimit
Sikur sytë e saj kanë dalë nga ky moment
Nga ky moment i prerë prej shelgjeve që u ka rënë muzgu përsipër.
Në lirikat e Reshpjes ashtu si dhe në lirikat e Kadaresë, Agollit e Arapit ndihet një entuziasëm përsa i përket shndërrimeve teknologjike të epokës. Duket se në letërsinë shqipe kish trokitur një lloj Futurizmi i Marianitetit i vonuar që kushtëzohej dhe frymëzohej nga zhvillimet teknologjike si ndërtimi për herë të parë i hekurudhave, shtrirja e rrjetit elektrik etj. Kështu p.sh në poezinë “Eskavatorët” ai përdor antoniminë midis dritës së pishës dhe hidrocentralit, prapambetjes dhe modernizmit kur shkruan:
Kështu të duket gjithnjë
Sikur eskavatorët zhvendosin zona nëpër mal
Zhvendosin peisazhet dhe distancat.
Zhvendoset pisha nga mbramja shqiptare
Erdhi koha e hidrocentraleve.
Reshpja krijon përmes vargjeve të tij tablo gjithpërfshirëse të kantierëve të punës ku gjallojnë përmes figurave letrare këto imazhe të jetës së përditshme. Në poezinë “Kuadër nga vinçi portal” ai përshkruan ndryshimet tekonologjike që kanë sjellë edhe ndryshime sociale në shoqërinë shqiptare.
Mbrëmë pashë këtë kuadër nga vinçi portal:
Çante dekovili i verdhë anës kantierit
Si shiriti i horizontit mbi bregdet,
Mbi kullat dhe digat hidhte dëbora ngjyra drite
Dhe, mes kësaj pamjeje që mund të keni parë në foto,
Elektricisten e përcolli i ati.
Poezia e Reshpjes përforcoi trendin e modernizmit në letërsinë shqipe. Duke shfrytëzuar përvojën më të mirë të qarkut letrar të Shkodrës, Reshpja përcolli me vargun e bardhë e të lirë imazhet e një bote që nën ankthin e modernitetit të shpejtë reflektonte dhe përdëllimin dhe zvarritjen patriakale të shoqërisë shqiptare të kohës. Pjesa e parë e krijimtarisë së tij gjatë viteve 1968-1990 edhe pse e mohuar pas dënimeve të tij duket se la gjurmë në aeralin kulturor të poezisë shqipe. E ashtuquajtura shkolla poetike e Lezhës me Preç Zogaj, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku i detyrohet shumë si në formë e përmbajtje poezisë së Reshpjes duke dëshmuar edhe njëherë se një talent poetik nuk mund të ndërpritet por përmes artit të vet mund të gjallojë ende te pasardhësit. Reshpja nuk e ka gjetur ende vendin e duhur në historinë e letërsisë shqipe dhe besoj se si një nga zërat lirikë më të veçantë do duhet të studiohet e vlerësohet në përqasjet që bëhën sot për studimin e letërsisë shqipe.
*Shënim: Poezitë ilustruese në tekst janë përdorur nga përmbledhja poetike Frederik Reshpja. “Duke kërkuar Itakën”. Shtëpia Botuese “Princi”, Tiranë : Shtator 2016