Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Ramadan Sokoli , studiuesi që u dha zë shekujve, krenaria dhe dinjiteti

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
Nga Enver Kushi

Kam patur fatin të jem një nga miqtë e prof. Ramadan Sokolit. Kthehem dhe rikthehem në kohë të ndryshme, duke sjellë ndërmend bisedat e shumta me të, udhëtimet në Shkodër, Berat, Krujë, Strugë, e deri në Vjenë dhe më pas në Bratislavë. Kujtoj me mall jo vetëm bisedat e herëpashershme me të në telefon, por veçmas vizitat e shpeshta në shtëpinë e tij ose më saktë, në bodrumin e saj, që ndodhej pranë ish kinema ‘’17 nëntori’’. (Pikëllohem kur para shumë objekteve të rëndësishme të kulturës shqiptare në Tiranë, vë fjalën “ish”). Dhe nga vitet “gërmadhë” të së shkuarës jo të largët, më vjen zëri i ngrohtë, bujar dhe mikpritës, e folura e tij karakteristike, me një kolor të veçantë, sjellja fisnike dhe kultura e gjerë që shpaloste gjatë bisedës… Vite dhe vite më parë, kur Ramadan Sokolin e njihja vetëm si emër, sa herë që e shihja në rrugën e Durrësit, ose në ndonjë rrugë tjetër të Tiranës, ngadalësoja hapin dhe ndiqja me admirim ecjen e tij. Ishin ca kohëra gri, kur njeriu shqiptar dhe veçanërisht intelektuali e në rastin konkret intelektualë si Ramadan Sokoli, ishin nën trysninë dhe vëzhgimin e diktaturës komuniste. E pra, në ato kohëra gri, dituraku Ramadan Sokoli ecte me kokën lart, vështrimin drejt, duke mbajtur në dorë një çantë të madhe me libra. Asnjëherë nuk e kisha parë ndryshe, por vazhdimisht me kokën lart dhe krenar. Ishte një krenari normale, jo e stisur apo mendjemadhësi. Ishte dinjiteti i njeriut që koha e rëndë e diktaturës komuniste nuk kishte mundur ta denatyronte, tkurrte apo t’i ulte kokën dhe servilosej… Nga ana tjetër Ramadan Sokoli u fliste shqiptarëve jo vetëm me veprën, por edhe me krenarinë, mënyrën sesi ecte, dinjitetin që nuk mund ta përbalte askush. Ramadan Sokoli jetonte në ca epoka të tjera, thellë mijëvjeçarëve, duke sfiduar mediokritetin e kohës, egoizmin, thashethemet, zërat dashakeqe, smirën, luftën e klasave. Na ana tjetër Ramadan Sokoli shihte përtej kohës ku jetonte jo vetëm si studiues, por edhe si pinjoll i një prej familjeve të mëdha të Shkodrës e Shqipërisë. Gjyshi i tij, Hodo Beg Sokoli, ishte pjesë e kujtesës shqiptare, e një kujtese të pashlyeshme. Ai dhe pasardhësit e tij kishin bërë dhe shkruar histori. Ramadan Sokoli ishte i fundit që mishëronte lavdinë e një dere të madhe dhe që vazhdimisht ka qenë I rrethuar prej tyre, shpirtrave të paraardhësve të Sokolajve. Ai mbeti deri në fund të jetës pjesë e lavdisë së largët dhe të afërt në kohë të fisit të tij, por edhe si një pasardhës i një lavdie tjetër: asaj të kulturës. Mbaj mend se një nga vjeshtat e vitit 1996, rrugëtimin me prof. Ramadan Sokoli në qytetin e Shkodrës. Nuk do të harroj kurrë vizitën në shtëpinë e Sokolajve. Profesori qëndroi pak çaste para portës së madhe e pastaj pasi hapi atë, u fut brenda…Ecja pas tij duke ndjekur çdo gjest dhe veprim të profesorit. Heshtje. Asnjë zë. Një erë e lehtë dhe gjethe që binin. Përballë shtëpia e madhe e Sokolajve me dritare të mbyllura… Atje kam parë dhe ndjerë nga afër emocionet e njeriut, ose më saktë marrëdhëniet e tij me vatrën ku kishte lindur dhe ishte rritur… Ramadan Sokoli në heshtje fliste me muret rrethues, pemët, lulet e rralluara, shkallët, dritaret… Fliste me shpirtrat e të parëve të tij. Dhe kam menduar, se përtej mureve rrethues të asaj shtëpie ishin shtëpi të tjera dhe Shkodra me përjetësinë e saj. Dhe përtej Shkodrës, Shqipëria, pastaj hapësirat e Ballkanit, të Europës dhe botës që vraponin udhëve të globalizmit… Atje, në oborrin e madh, larg erërave globale, ishte bota e madhe e Sokolajve… Në heshtjen, vështrimet, ecjen e ngadaltë, fytyrën e zbehtë të prof. Ramadan Sokolit, vinin dhe shkonin kohët e fisit të Sokolajve.

Ringjallja e së shkuarës

E kam të vështirë të jap portretin shumëdimensional të prof. Sokolit. Sa herë kam shfletuar librat e tij më është dukur sikur kam kapërcyer qindra shekuj, humnera mijëvjeçarësh, gërmadha vitesh dhe kam dëgjuar zëra njerëzor e veçanërisht ca tinguj mistikë, që vijnë prej thellësive të kohërave… Ai ka jetuar me të shkuarën e historisë dhe kulturës së kombit shqiptar, që nga viset skaj jugore të Thesprotisë së lashtë e deri në ato skaj veriore të Dardanisë. E tashmja sikur nuk ekzistonte për të, ose më saktë, ajo është e kyçur brenda mureve të shtëpisë kulturëmuze. Dritaret e vogla të dhomave bodrum dhe të studios, drita, muzgjet apo errësira që vinin prej tyre, e lidhnin më shumë me të shkuarën sesa me çastin. Vetëm miqtë e shumtë që hynin e dilnin, telefonatat, letrat, befas ndërprisnin lumenjtë e kujtimeve, bisedat me vdekatarët e mëdhenj të historisë dhe kulturës shqiptare. .. Edhe kur rikthehej në të tashmen, prapë e shkuara me zërat dhe hijet e saj, e merrte për ta zhytur thellë e më thellë në kohëra. Sepse ata ishin me të pushtetshëm e më të fuqishëm. Atyre prof. Ramadan Sokoli u kishte dhënë jetë, gjak, zë… Ai i kishte ringjallur ata. A nuk flisnin me bashkëkohësit, nëpërmjet librit “16 shekuj”, Niketë Dardani (muziktar i shekullit IV), muziktari arbër Jan Kukuzeli, apo edhe disa muziktarë të tjerë arbër, si Dragan Prizreni, Kolë Durrsaku, Filip Pjetër Drishti, Progron Burizani, Xanet Agustini, Kristofor Ulqini, Aleksandër Tivarasi, Martin Baltisari, Stojan Shkodrani? Prof. Sokoli u dha jetë dhe zë skulptorëve dhe arkitektëve arbër në Dalmaci si Radovani, (skulptor i shek. XIII), Andrea Aleksi (skulptor dhe arkitekt i shek. XV), mjeshtër Donati, kryearkitekti i Shkodrës, që e përmend edhe Marin Barleti tek “Rrethimi i Shkodrës”. Lista e këtyre figurave të shquara, që prof. Sokoli i ringjalli, vazhdon me piktorë, skulptorë e dijetarë shqiptarë nëpër Italinë Veriore, si Leonik Tomeu, Marin Beçikemi, Maksim Artioti nga Arta e Çamërisë, njeri i jashtëzakonshëm dhe nxënës i të sipërpërmendurve, albanezët e Vinçensës, Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi si dhe arkitektët shqiptarë në Turqi: Arkitekt Sinani, Mehmet Saqefqari, Arkitekt Kasemi, Usta Mehmet Isaja, apo edhe shumë të tjerëve.

Duke shkruar për këtë veprimtari kërkuese, që është pjesë e pandarë e veprës së tij, prof. Ramadan Sokoli flet ‘’për drithërime kënaqësie e ngazëllime kur pas shumë përpjekjesh e përsëriatjesh saktëson një datë, kur zbërthen një nyjë të ngatërruar e sidomos, kur mbërthen ndonjë figurë që dukej si e pakapshme, sikur kridhej nëpër mjegullnajë, për t’u shmangur vëzhgimit të tij e që hera – herës i duket sikur ta dëgjon edhe zërin duke të thënë: “More, po përse gërmon nëpër jetën dhe veprimtarinë time?”.

Intermexo: vitet e fundit të jetës

Ai kthehej dhe rikthehej shpesh, në bisedat që bëja me të, në Shkodër dhe vitet e fëminisë dhe rinisë. Shkodra, lagja e vjetër dhe shtëpia e madhe ku kishte lindur më 14 qershor 1920 , oborri ku ishin mbjellë dhjetëra lloje lulesh e pemësh, zërat e fëminisë, vdekja e babait, nëna burrneshë, vëllezërit dhe motrat… Pastaj shokët e rinisë, qyteti i Firences ku kishte studiuar, lufta dhe vitet e para të terrorit komunist në Shkodër, shoku i tij, intelektuali i shquar Qemal Draçini i mbytur në gjak nga torturat e Sigurimit të Shtetit, arrestimi dhe burgosja e vëllezërve, pastaj edhe e tij. Vuajtjet në burg. Prap nëna, që edhe në agoninë e fundit, vështron nga dera se mos i kthehen Ibrahimi dhe Hodua të liruar nga burgu… Një vajzë e bukur shkodrane që vrapon nëpër shiun e rrëmbyer. Kënga “Turtulleshë” që ia kushton bukurisë që nuk mundi të bëhej e tij… Gruaja fisnike tiranase me emrin Lili, që iu përkushtua tërë jetën bashkëshortit të saj… Të trokitura. Zëra… Hije që lëvizin. Disa nga impresionet e takimeve dhe bisedave me prof. Ramadan Sokolin, i kam hedhur në një nga blloqet e mia të shënimeve. ..

14 qershor 2005. E martë

Tirana ka qiell shumë të pastër dhe pas shirave, ajri duket i pastruar. Edhe Dajti duket shumë afër. Kaloj bulevardin, ku punohet për ta shtruar dhe në orën dhjetë trokas në derën e shtëpisë së profesorit. Sot ai ka ditëlindjen. E përqafova dhe e urova për 85 vjetorin. Më falenderoi i prekur… Pastaj më pyeti se përse nuk ishte përfshirë emri i tij në një nga botimet e fundit për Çamërinë. Unë kam shkruar për kulturën çame, shtoi pas pak. Vështroj me vëmendje muret e mbushura me piktura, foto, objekte të ndryshme arkeologjike, vegla muzikore… Profesori thyen heshtjen. Kujton Lilin, bashkëshorten e tij fisnike. Atë asnjë nuk ma zëvendëson, pëshpërit i mallëngjyer. Asnjë. Ime bijë çdo të diel shkon në varreza, thotë profesori. Çdo të diel shkon me lule tek e ëma… Pastaj kujton nënën. Isha atje para se të vdiste … E falën Ibrahimin, i thashë tek koka.

Ajo hapi sytë dhe hodhi vështrimin tek dera… Kështu bënte vazhdimisht. I dukej sikur i biri i burgosur do t’i vinte. Ka vuajtur shumë.

6 prill 2006. Rreth orës dhjetë

Prof. Ramadan Sokoli më mori mbrëmë vonë në telefon… Jashtë bie shi dhe koha është freskuar. Me vete kam të fotokopjuar një fletë të madhe me pentagramet muzikore të Hilë Mosit. E kam fotokopjuar nga arkivi i MHK. .. Profesori duket i lodhur. E kam edhe nga moti, thotë. Dje dola në diell dhe sikur mora fuqi, shton. Biseda rrjedh ngadalë. Thërret gruan që i shërben dhe i thotë të sjellë 5 albumet mbi artin dhe kulturën romake. I shoh. Janë të mrekullueshme, them. Emrin e Hil Mosit, vite më parë, ma hoqën nga një studim imi, thotë… Pastaj flet për shtëpinë në Shkodër. Po rrënohet, thotë. Unë jam mashkulli i fundit, i Sokolajve. Jam dega e fundit. Kam patur dobësi për nënën. Ka vuajtur shumë. Babai hynte e delte nga burgu ose ikte jashtë. Kam qenë shumë i lidhur me nënën. Nuk e kuptoj pse e pati këtë fat të keq familja jonë… Dy vëllezër të burgosur. Edhe unë… Motra ime këndonte shumë bukur… Më duket sikur jam 800 vjeç. .. Kam rrojtur shumë. Dhe kam parë shumë. Ndjej se më mungon Lili. Iku shpejt.

Kalova një jetë me të. As pesë fjalë nuk shkëmbyem bashkë. M’u përkushtua mua Lili… Dhe iku.

12. 2007. E mërkurë. Ora 11 00

Ditë paksa e përgjumur, herë e dielltë dhe herë e mugët. Me Osman Xhatufën nisemi për tek prof. Ramadan Sokoli. Osmani i bie ziles. Del gruaja që i shërben. Po fle, pyes unë. Jo, thotë ajo. Zbresim shkallët që të çon në bodrumin e shtëpisë dhe dëgjojmë të lehurat e qenit… Ulemi në dhomën ku profesori ka bibliotekën, fotot e gjyshit, të prindërve dhe Lilit. Hapet dera dhe gruaja sjell ulur në karrocë profesorin. Ai ulet në vendin e tij, ndërsa ne në kolltukun dysh pranë tij. Keni humbur, thotë ai. Kam patur ekspozitën e Pavarësisë, them unë. Ai sheh herë-herë i papërqendruar jashtë, ku është dritarja dhe duket një pjesë e qiellit dhe oborri. Ndjek vështrimin e tij. Duket sikur pret dikë, ose sheh diçka që ne nuk e shohim. .. Bota ka ndërruar, thotë befas profesori. Njerëzit janë bërë më të ftohtë. Ke folur me Rexhep Munishin, pyet Osmani. Më ka shkruar, thotë. Çfarë ka shkruar? Heshtje. Vështrimi i tij në dritare dhe prapë fjalët:” Ka ndërruar bota… Shaqir Rexhvelaj më ka marrë në telefon”, thotë pastaj… Prapë heshtje… Osman, thotë befas profesori. Gjeje pak statujën. E ke prapa. Osmani kërkon në një kosh, ku është një numërator telefonik. Nuk ka gjë, thotë Osmani. Atje e ke. Është prej qeramike. Nuk ka gjë, thotë prap Osmani. Jam 84 vjeç, thotë me zë të përhumbur. Pyet për motin. Osmani thotë se koha do të ftohet. Vështron prap tek dritarja krejt i përhumbur… Flet edhe për një koncert, ku nuk mundi të marrë pjesë….

E hënë 10 mars 2008

Në shtëpi. Bie celulari. E marr menjëherë dhe dëgjoj zërin e gazetares Oliverta Lila. Enver, thotë ajo. Di gjë? Më mori Admirina dhe pyet nëse di gjë. Për çfarë, pyes unë. Ramadan Sokoli ka vdekur… Jo, them unë i tronditur. Nuk di gjë. Si ta marrë vesh? Të lutem pyet dhe flasim prap, vazhdon Oliverta. I telefonoj menjëherë Osman Xhatufës. Po, thotë ai. Ul receptorin e telefonit dhe dëshpërimisht përsëris me vete fjalët: “Profesori nuk është më. Nuk është më një nga miqtë e mi më të vyer”. Dal në ballkon. Po bije nata… Jashtë frynte erë, ndërsa qielli është i ngarkuar me re… Ai nuk është më. Nuk është më njeriu që deri në çastet e fundit u rrethua me aq miq, ai që risolli dhe ringjalli disa nga korifejt e kulturës shqiptare. Ai që shihte dhe dëgjonte zërat përtej e përtej shekujve, zërat dhe jehonën e tingujve….

Përgjimi i jehonës së largët të tingullit

Ata që janë marrë me studimin e veprës së prof. Ramadan Sokolit dhe mes tyre do të veçoja prof. Rexhep Munishin me “Mbi veprimtarinë hulumtuese e shkencore të Ramadan Sokolit” (botuar në librin “Probleme muzeologjike”) dhe veçmas ndoshta librin më serioz e më të plotë të mikut tim, Osman Xhatufa, kushtuar jetës dhe veprës së prof. Sokolit, kanë theksuar me të drejtë, se Ramadan Sokoli me veprën e tij përbën një institucion më vete.

Autor i rreth 20 librave, filmave, kumtesave në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, i disa këngëve që janë bërë popullore, ai është personaliteti më i shquar në fushën e muzikës dhe etnomuzikologjisë. Vepra të tilla madhore si “Folklori muzikor shqiptar” (morfologjia) “Veglat muzikore dhe muzika e të parëve tanë”, “Gjurmime foklorike”, “16 shekuj”, “Këngët patriotike”, etj etj janë një kontribut i jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.

Ai, siç shkruan në parathënien e librit “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, ka “përgjuar jehonën e largët të një muzike me të cilën na ndanë një kohë kaq e gjatë, që na qëndron përpara si një humnerë e pakapërcyeshme”… Përfytyroni prof. Sokolin, si observatorët e fuqishëm që janë vendosur në pika të ndryshme të globit në përgjim të jehonave nga kozmosi, edhe ai gjithë jetën ka qenë në përgjim të tingullit, të tingullit muzikor shqiptar. Duke lexuar veprën madhore të prof. Sokolit, përfytyrimi bëhet konkret dhe fantazia ulet në tokë.

Qendrat e mëdha të qyteteve ilire, odeonet, teatrot, arenat e argëtimit, befas mbushen me mijëra spektatorë. Ai, nëpërmjet të dhënave historike dhe arkeologjike, na njeh me pasqyrimin e disa kushteve dhe mjeteve shprehëse të muzikës së të parëve tanë. Prof. Ramadan Sokoli “theu” heshtjen e përjetshme të të parëve tanë në lëmin e muzikës e veglave muzikore.

Ai jetonte në botën e muzikës dhe tingullit ose më saktë, iu kushtua përgjimit të tingullit, lashtësisë së tij dhe jehonës së tij gjatë mijëvjeçarëve. I rrethuar me tingujt që ai dhe vetëm ai i njihte e dallonte, Ramadan Sokoli ishte më shumë se shok dhe mik me ta. Ai kishte kultin e tingullit, i falej magjisë, lashtësisë dhe veçanësisë së tingullit me ngjyrim shqiptar. Muzika, shkruan ai në parathënien e librit “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, është e gatuar me tinguj. Nisur nga tërësia e veglave muzikore që përdor populli ynë, prof. Sokoli flet për “laryshi të madhe tingujsh me lartësi, dendësi dhe ngjyrësi të ndryshme”. Vështrimi i tij i butë shihte thellë mijëvjeçarëve, ndërsa veshët e tij dëgjonin atë, që njeriu i zakonshëm e ka të pamundur…. Mënyra sesi fliste, gjestikulacioni, artikulimi ndryshe nga të tjerët i fjalëve, ecja, bisedat, vështrimi gjithmonë lart, ndoshta edhe gjumi e ëndrrat, kishin diçka nga jehonat e largëta të tingujve. Prof. Ramadan Sokoli është nga ata studiues, që me veprën e tij madhore u dha zë shekujve, historisë dhe kulturës shqiptare. Emri dhe vepra e tij do të mbeten në kujtesën e brezave të paharruara.
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back