Pushimet e Dua Lipës në jug “pushtojnë” mediat ndërkombëtare, Daily Mail shkrime për artisten dhe Shqipërinë
Dua Lipa po i tregon miliona ndjekësve në rrjetet sociale origjinën e saj, duke promovuar bukuritë e Shqipërisë, përmes fotove dhe videove.
Prej ditësh, këngëtarja me famë botërore po pushon në jug të Shqipërisë, bashkë me familjen dhe partnerin e saj Anwar Hadid. Duket se artistja po i shijon momentet në bregdetin jonian, teksa nuk kanë munguar as vizitat në vendet historike, si Kalaja e Krujës dhe Parku Kombëtar i Butrintit.
Bukuria e Rivierës Shqiptare dhe aventurat e Duas kanë tërhequr vëmendjen e tabloidit britanik, Daily Mail. Pasi shkruan për pozat sensuale dhe veshjet me klas të 25-vjeçares, gazeta tregon për origjinën e artistes dhe vendodhjen e fotove.
Në një video të postuar në Instagram, ndërsa ia merr valles nën ritmet e këngëve popullore, Dua thotë se kjo është mënyra si i tregon të tjerëve origjinën e saj, pa qenë nevojë ta shpjegojë me fjalë.
Daily Mail, ndër të tjera kujton se këngëtarja e dhjetëra hiteve erdhi në Tiranë, për t’iu bashkuar nismës së bashkisë, Adopto një Kopsht”.
Ndërtimi i kopshtit numër 42 në kryeqytet do të financohet nga “Sunny Hill Foundation” .
"Balkanweb"