Punoi 23 vite me diplomë false, bashkia zbulon se ish-shefi i policisë s’kishte qenë kurrë në universitet, dënohet me 918 mijë euro gjobë
Ish-kreu i brigadës bashkiake në Desenzano të Italisë, Carlalberto Presicci është dënuar nga Gjykata e Audituesve për kryerjen e punës së tij me një diplomë të falsifikuar.
Sipas mediave italiane, Presicci ka deklaruar në konkursin e vitit 1996, zotërimin e diplomës Juridik të fituar në vitin 1992 me nota të plota për të fituar postin e komandantit të policisë lokale, por në vitin 2020 është zbuluar se ai nuk ka qenë kurrë në universitet.
Kështu, Gjykata e Audituesve, seksioni juridik për Rajonin e Lombardisë, vendosi që ish-komandanti do t’i duhet t’i paguajë bashkisë së Desenzanos pak më shumë se 918 mijë euro për dëmin e shkaktuar.
Sipas rikonstruksionit të dinamikës së ngjarjeve, raportuar në aparatin e Gjykatës së Audituesve, në vitin 1996 “këshilli i Bashkisë Desenzano kishte miratuar konkursin publik për caktimin e pozicionit të instruktorit ekzekutiv në zyrën e sigurisë urbane.
Ndër kërkesat e pjesëmarrjes të parashikuara në njoftim ishte posedimi i diplomës në Drejtësi, Ekonomi, Ekonomi dhe Tregti, Sociologji dhe Shkenca Politike. Në një kontekst të tillë, ish-komandanti i policisë lokale të Desenzanos kishte marrë pjesë në konkurs “duke deklaruar zotërimin e diplomës dhe duke nxjerrë një kopje të vërtetuar të certifikatës së diplomës në Drejtësi të marrë në vitin 1992 me notën 110./110; pajtueshmëria u vërtetua nga zyrtari i regjistrit të Komunës së Gussago”.
Kështu, që nga viti 1997, ish-komandanti Presicci u punësua deri në tetor të vitit 2020, kohë kur Prokuroria Publike e Breshias zbuloi veprën që lidhet me falsifikimin e certifikatës së diplomës.
Më pas, në Nëntor 2020, Bashkia kishte marrë një reagim negativ nga Universiteti i Parmës në lidhje me posedimin e një diplome dhe kështu kishte filluar procedimi disiplinor ndaj tij.
Në atë kohë punonjësi kishte dhënë dorëheqjen pas 23 vitesh shërbim për “një punë tjetër”. Të paktën kjo ishte komunikuar në shtyp. Në vend të tij, në rolin e komandës u emërua Gianfranca Bravo.
"Balkanweb"