Psikologjia: Si ta menaxhoni zilinë dhe xhelozinë në marrëdhëniet tuaja
Nga Berit Brogaard
Ndërsa “xhelozia” përdoret shpesh si sinonim i “zilisë”, ato janë në fakt emocione të ndryshme. Zilia ka të bëjë me dëshirën për të pasur atë që e ke zili. Ndërkohë, xhelozia ka të bëjë me frikës e humbjes së asaj që ke (për shembull dashurisë apo vëmendjes së një personi).
Xhelozia dhe zilia dallojnë në vetitë e tyre normative. Ndërsa xhelozia mund të jetë racionale, kjo nuk është e vërtetë për zilinë (përveç disa rrethanave të jashtëzakonshme). Zilia përfshin pakënaqësi ndaj personit që e keni zili, për atë që ai ka, apo avantazhet që gëzon.
Por nuk ka gjasa që personi të cilin e keni zili, ta ketë bërë këtë që t’iu bëjë padrejtësi, t’ju dëmtojë apo ju bëjë ziliqar. Ai ka shumë të ngjarë të mos ketë menduar fare për ju. Pra, zilia është thuajse gjithmonë një emocion irracional. Për shembull, ju mund ta keni zili mikun tuaj për paratë që mori së fundmi nga prindërit e tij të pasur.
Por kjo nuk ka asnjë lidhje me ju. Në marrëdhëniet romantike nuk lind vetëm xhelozia, por edhe zilia. Nëse për shembull, partneri juaj po kalon më shumë kohë cilësore me mikun e tij sesa me ju, dhe kjo ju bën të ndiheni të inatosur, dhe ju me siguri që e keni zili mikun më të mirë të partnerit tuaj.
Ngjashëm, ashtu siç zilia mund të lindë në marrëdhëniet romantike, edhe xhelozia mund të shfaqet tek miqësitë dhe marrëdhëniet familjare. Mund të ndodhë që shoqja juaj e ngushtë ka filluar kohët e fundit të kalojë më shumë kohë me një nga koleget tuaja të reja në punë sesa me ju.
Në këtë rast, ju mund të frikësoheni se mos e humbni miqësinë unike që keni me njëra-tjetrën. Kjo është xhelozi. Njëkohësisht, ju mund ta keni zili bashkëpunëtoren e re, pasi ajo merr më shumë kohë dhe vëmendje nga shoqja juaj e ngushtë.
Në doza shumë të vogla, xhelozia dhe zilia mund të jenë përbërës krejtësisht të natyrshëm të marrëdhënieve romantike, miqësive të ngushta dhe marrëdhënieve familjare. Një xhelozi e vogël, mund t’i shtojë madje entuziazmin një romancë të re. Por kur e kalojnë masën, zilia dhe xhelozia mund të jenë shkatërruese.
Atëherë, çfarë të bëjmë kur këto emocione toksike kërcënojnë ta shkatërrojnë marrëdhënien tuaj romantike, miqësinë apo marrëdhënien familjare? Ja disa strategji se si mund të përballeni me problemet që keni me zilinë apo xhelozinë.
- Frenohuni nga veprimet prej xhelozisë apo zilisë suaj
Periudha të forta të xhelozisë dhe zilisë, kërcënojnë vetëm të bëjnë dëme në marrëdhënien tuaj, sidomos kur veproni sipas këtyre ndjenjave. Ndaj rekomandohet të ndjeni, por të mos veproni sipas tyre. Nëse është nevoja, merrni parasysh t’i shpjegoni ndjenjat tuaja partnerit tuaj romantik, mikut ose anëtarit të familjes. Ndoshta ata mund t’iu ndihmojnë. Por mos u përpiqni që ta bëni këtë bisedë, kur ju konsumojnë nga brenda këto ndjenja shkatërruese. Prisni derisa të ndiheni më të qetë.
- Ri-gjejeni vetëbesimin e humbur
Por sjellja si një person në nevojë mund ta prishë marrëdhënien tuaj, dhe të ndjerit i denjë për dashurinë ose kujdesin e njerëzve të tjerë, vetëm kur ata ju tregojnë se ju duan ose kur kujdesen qartazi për ju, nuk është një mënyrë e shëndetshme për të jetuar. Ndaj duhet të bëni shumë punë me veten për të rifituar vetëvlerësimin dhe vetëbesimin tuaj. Nëse nuk mund ta bëni dot vetë, atëherë kërkoni ndihmë profesionale.
- Zbutini tendencat tuaja narciziste
Nëse një narcizist nuk merr vëmendjen që ai beson se e meriton, ai është shumë i prirur të reagoj me zemërim si mënyrë për të fshehur për zilinë e tij. Një lëndim narcisit, sinjalizon se narcizisti ndihet thellësisht jokomod, kur nuk merr vëmendjen e plotë dhe admirimin e të tjerëve.
/ “Psychology Today” – Bota.al