Protestë e rrallë e grave në Kabul për të drejta në regjimin Taliban
Gratë afgane dolën sot Kabul për të protestuar për të drejtat e tyre në regjimin e ri taliban, teksa qeveria e militantëve pritet të formohet këto ditë.
Liderët e rinj janë nën vëmendjen e gjerë ndërkombëtare për të drejtuar vendin me më shumë liri, duke përfshirë edhe gratë, siç kanë premtuar në deklarata.
Me pankarta dhe slogane në duar, gratë afganë kërkonin të lejoheshin të arsimoheshin e të mbanin vendet e punës.
Në disa video të publikuara shihet një luftëtar i armatosur Taliban që i afrohet grave protestuese dhe tenton të ndalojë brohoritjet e tyre.
Talibanet e ardhur në pushtet muajin e kaluar pas tërheqjes së SHBA, po diskutojnë për formimin e qeverisë së re.
Ata kanë premtuar se do të lejojnë gratë të punojnë por brenda kufizimeve të ligjit islamik të Sheriatit.
Por reformimi i tyre është pritur me skepticizëm dhe shumë gra dyshojnë nëse do të gjejnë vende në administratën e re.
Gratë afgane dolën sot Kabul për të protestuar për të drejtat e tyre në regjimin e ri taliban
Top Channel