Presidenti sirian “ia bën argatin” Putinit
Presidenti sirian Bashar al-Assad në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin “ia ka bërë argatin” këtij të dytit duke “vlerësuar inkursionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë”.
Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Al-Assad i tha Putinit të premten se çfarë po ndodhte në Ukrainë ishte një “korrigjim i historisë dhe rivendosja e ekuilibrit që humbi në botë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik”, citoi agjencia zyrtare e lajmeve SANA të thoshte lideri sirian.
Al-Assad shtoi: “Siria qëndron me Federatën Ruse bazuar në bindjen e saj se pozicioni i saj është i saktë dhe sepse përballja me ekspansionizmin e NATO-s është një e drejtë për Rusinë”.
Damasku është një aleat i vendosur i Moskës, e cila ndërhyri në luftën civile siriane në vitin 2015 duke nisur sulme ajrore për të mbështetur forcat luftarake të al-Asadit kundër fraksioneve të ndryshme rebele.
Ndërhyrja e Rusisë në Siri shënoi një pikë kthese në konflikt. Ajo u mundësoi forcave pro-regjimit të merrnin territorin e humbur në një seri fitoresh kundër rebelëve që përfshinin bombardime vdekjeprurëse dhe shkatërrime të mëdha.
Më shumë se 63,000 personel ushtarak rus u vendosën në Siri.
Lufta në Siri vlerësohet të ketë vrarë gati gjysmë milioni njerëz dhe zhvendosur dhjetëra miliona të tjerë që kur filloi me një shtypje brutale të protestave antiqeveritare në vitin 2011.
/Telegrafi/