Pesë ushtarë humbin ndjenjat gjatë shërbesës së Jubileut të Mbretëreshës në katedralen në Londër
Të paktën pesë roje ceremoniale të ushtrisë britanike janë regjistruar dje duke humbur ndjenjat jashtë katedrales së Saint Paul në Londër, për shërbesën e jubileut të mbretëreshës britanike në fron.
E përditshmja vendase Daily Mail shkruante se incidentet e veçanta ndodhën pak para se Princi Charles të vinte në katedrale për ceremoninë e veçantë që hap festimet.
Rojet në detyrë përpiqeshin të ruanin profesionalizmin dhe sjelljen e tyre, teksa tre ushtarë shiheshin që ndihmoheshin të ngriheshin në këmbë nga kolegët.
Ministria britanike e mbrojtjes tha se një total prej pesë ushtarësh kishin humbur ndjenjat por asnjë prej tyre nuk kishte pasur nevojë për t’u dërguar në spital.
Temperaturat dje në Londër ishin rreth 21C por zyrtarët thanë se “qëndrimi disa orë në nxehtësi dhe në uniformë të plotë ushtarake kishte shkaktuar efektin e vet te ushtarakët.”
Ushtari i parë nga regjimenti i forcave ajrore RAF humbi ndjenjat kur ministrja e jashtme Lizz Truss po ngjiste shkallët e katedrales. Ai u largua shpejt nga dy ushtarakë për të marrë kujdes mjekësor.
Disa momente më vonë një ushtar i regjimentit të Artilerisë Kanadeze, humbi ekuilibrin para se të rimerrte pozicion në shkallët e katedrales.
Kurse një anëtar i Rojave të Mbretëreshës u mbështet në mur dhe më tej u shoqërua të shihte një mjek.
Vetëm tre nga pesë rojat që humbën ndjenjat janë kapur në imazhet e mediave britanike.
“Ushtarët po bien si mizat”, shkruante Daily Mail mes të tjerash në titullin e saj.
Ministria e mbrojtjes tha se të gjithë ushtarët ishin trajtuar në vendngjarje dhe nuk kishin nevojë të dërgoheshin në spital.
Në ceremoninë e djeshme në katedrale mbretëresha 96 vjeçare nuk mori pjesë prej lodhjes e mangësive në lëvizje pas festimeve në Pallatin Buckingham një ditë më herët.
Të paktën pesë roje ceremoniale të ushtrisë britanike janë regjistruar dje duke humbur ndjenjat jashtë katedrales së Saint Paul
Top Channel