Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Për Jani Lilin, intelektualin e shquar minoritar dy gjuhësh, shkrimtar, eseist dhe kritik letrar

  • Thread starter Thread starter Elena Tase
  • Data e fillimit Data e fillimit
E

Elena Tase

Guest
Nga Prof. Nasho Jorgaqi

(Vijon nga numri i kaluar)

Dhe këto vlera të Jani Lilit duken që në artikujt me karakter estetik dhe teorik-letrar, siç janë “Arti dhe shkenca”, “Mendime mbi letërsinë”, “ Arti dhe kristianizmi” dhe “Poezia dhe proza”. Kështu, brenda pak faqe ve, ai bën objekt studimi dallimin në përmbajtje e në formë dhe raportet mes artit dhe shkencës, si dy fushat kryesore të krijimit dhe mendimit njerëzor. “Arti, – shkruan ai, – buron nga dielli, kurse shkenca nga errësira.” Është e vërtetë se këto dy fenomene shpirtërore, sipas filozofeve dhe estetëve, rrjedhin nga i njëjti burim, siç është jeta, por përdorimi i lëndës prej tyre është aq i ndryshëm, sa asgjë nuk i afron. Nga ana tjetër, ai jep mendime për artin kur thotë se arti është jetë, ngjallje, energji dhe se ai nuk beson “në të famshmen arti për artin.” Në këto arsyetime, Jani Lili iu referohet filozofeve të njohur nga Hegeli, Kanti, Niçja e deri te Kroçe, vështruar nën optikën e tij.

Në artikullin tjetër “Mendime mbi letërsinë” ai përpiqet të zbatojë e të demonstrojë disa nga parimet letrare në terrenin e letërsisë shqipe, të cilën, me sa dëshmon, e njeh mirë. Sipas tij “ne kemi një traditë letrare”, e cila duhet të zhvillohet më tej, duke synuar “të sjellë me vete epokën në të cilën jeton”. Për të, “arti nuk është fotografi, është lartësim i lëndës që përdor”, s’është as gazetari, sepse artisti, përmes frymëzimit të sinqertë dhe intelektit krijues, bën letërsi të vërtetë. Ai është i mendimit se një vepër para se të bëhet ndërkombëtare është kombëtare, e nxjerrë nga vendi i artistit. Sepse “kozmopolitizmi nuk është qytetërim dhe se çdo ide e tension duhet të brumoset me tokën, me psikologjinë tonë”.

Interesant paraqitet artikulli “Proza dhe poezia”, dy fusha këto të letërsisë, të cilat i vështron dhe i trajton në plan historik dhe teorik. Me një njohje të gjithanshme e të thelluar të letërsisë evropiane nga antikiteti deri në kohët modeme, ai tregon ecurinë e poezisë e të prozës nëpër shekuj. Ndalet veçanërisht te poezia e antikitetit, te Homeri e Eskili, te Safo e Simonidhi. Por vlerëson dhe poetët e Mesjetës me në krye Danten dhe Shekspirin, për të ardhur në kohët e reja me Gëten dhe Vinjinë. Të njëjtën linjë ndjek për të treguar ecurinë dhe kulmet që ka arritur proza nga etërit e saj shpirtërorë Sokrati dhe Ciceroni e deri te Volteri e Servantesi. Të njëjtën gjë bën dhe me historikun e dramaturgjisë. Jani Lili tregon vëmendje dhe njohje serioze të letërsisë shqipe të traditës dhe asaj bashkëkohore. Sipas tij, “vërtet jemi një komb i vogël dhe i varfër, por çdo vepër fiton vlerën e vet në vendin ku krijohet”. Me këtë mendim e nis artikullin “Dy rrymat”, ku bën thirrje që të shkruhet për jetën shqiptare, që letërsia shqipe të sjellë heroin dhe psikologjinë e tij në art, që ta dallojë nga letërsitë e tjera. Mendimet filozofike dhe konceptet ” estetike duhen zbatuar në kushtet dhe në terrenin e letërsisë shqipe.

Pra, “të kërkojmë tipin shqiptar, me thjeshtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me ndjenjat e tij të larta”. Në këtë drejtim, ai sjell si shembull nga brezi i traditës Gjergj Fishtën, “poeti që më shumë nga të tjerët iu afrua psikologjisë së malësorit”. Ndërsa nga letërsia bashkëkohore dallon E. Koliqin, i cili “gjen veten në klasikët italianë në poezi, dhe në prozë në prozatorët frëngj. Por që është krijuesi i novelës shqiptare”. Kurse Lasgush Poradecin e quan “poet të harmonisë dhe të iluzionit klasik që buron prej shkollave poetike evropianë”. E, pra, janë Koliqi dhe Poradeci përfaqësues të dy rrymave, sipas tij, në letërsinë shqipe.

Nga dora e Jani Lilit kemi dhe disa përvijime profilesh letrare, siç janë “Kritiku dhe sociologu Vangjel Koça” dhe “Rreth një poetike dhe një kritike kushtuar Nexhat Hakiut”.

Për të dhënë profilin e Vangjel Koçës, i njohur me pseudonimin Vangjo Nirvana, si kritik letrar, ai merr shkas nga një intervistë e tij. Është fjala për një personalitet të letërsisë sonë të asaj kohe, që po kontribuonte me fjalën e mençur dhe gjykimet profesionale si kritik letrar, që sipas tij i mungonte letërsisë shqipe në nivelin bashkëkohor. Mendimin kritik të Vangjel Koçës, ai e sheh në kuadrin e lëvizjes letrare të atyre viteve si një nevojë e domosdoshme për të orientuar opinionin publik për ç’është , krijuar e krijohet në letërsinë shqipe dhe për t’i ardhur në ndihmë vet shkrimtarëve në punën e tyre. Gjithë sa thotë tregon se ai e njeh shumë mirë historinë dhe procesin letrar që zhvillohet në Shqipëri dhe jep gjykime serioze, që edhe sot i kanë qëndruar kohës.

Artikullin e dytë, ai ia kushton poetit Nexhat Hakiu, si një nga zërat e njohur të viteve ‘30-‘40 në poezinë tonë. E quan poet lirik, që, sipas tij, do të thotë “një poezi që përshkruan jetën e fshatarit, të njeriut të thjeshtë, shqetësimet e tij, ndjenjat të lidhura me zakonet e vendit të tij”. Pra, një poezi lirike e bukolike, me dinamizëm të brendshëm, ngritur në art, ku poeti le të flasë heroi i tij dhe jo ai vetë. Me këtë rast Jani Lili, duke iu referuar një mendimi të B. Kroçes, thotë se për një poet “intuita është elementi më kryesor i një talenti të vërtetë dhe se stilistika është rroba e jashtme e artit dhe jo arti vetë”. Në përfundim të vlerësimit të tij, ai e përcakton poezinë e N. Hakiut “poezi të zakoneve në fazën e saj të parë”.

Por, një tablo analitike të poezisë shqipe bashkëkohore, përmes profilesh, e gjejmë në artikullin kritik për librin ’’Antologji- Dhjetë poetë”, që u botua në vitin 1939, me vjersha të zgjedhura të zërave të rinj poetikë më përfaqësues. Ky botim, i cili, me vonë u pasua me një antologji të dytë, përbënte një akt mospajtimi dhe refuzimi të poetëve të rinj për të bashkëpunuar me shtypin fashist. Brezit të tyre i takonte pak a shumë dhe Jani Lili, ndaj s’kish si të mos tërhiqte vëmendjen e tij. Kështu, ai do të analizonte dhe gjykonte për krijimtarinë përfaqësues të këtij brezi. Të bën përshtypje fakti që, me gjithë dashamirësinë që ka ndaj tyre, ai tregohet tepër serioz, kërkues dhe kritik sepse, sipas tij, “poezia është ajka e mendimit njerëzor”, prandaj në gjykimin e saj “është rreptësia masa më e duhur”. Për Jani Lilin, duke qenë se në poezinë shqipe mungon tradita letrare, poetët e rinj ndjekin gjurmët e poezisë evropiane. Duke ‘ përjashtuar Gj. Fishtën, për të janë të diskutueshme disa nga vlerat poetike të Naimit, të Çajupit, të Asdrenit, që kanë krijuar në atmosferën e klasicizmit dhe të romantizmit. Brezi i ri i poetëve shqiptare, sipas tij, s’ka si t’i ndjekë gjurmët e tyre, por ata të brezit të dytë, siç janë L. Poradeci dhe E. Koliqi, të cilët përbëjnë rrethin e parë të poezisë së pastër, të poezisë lirike. Gjithsesi, sipas tij, poetët e rinj përfaqësojnë brezin e tretë dhe për këtë, ai gjen rast, duke marrë shkas nga “Antologjia” të parashtrojë në mënyrë sintetike gjykimet dhe vlerësimet e veta nga pozita të rrepta kritike. Ndonëse herë-herë tregohet subjektiv dhe nuk jep sa duhet argumente të mjaftueshme, prapë shpaloset individualiteti i tij prej kritiku, sensi i hollë i gjykimit, kultura profesionale, përgatitja teorike-letrare, njohja e letërsisë shqipe.

Nëpër fokusin e gjykimit të tij kalon poezia e zgjedhur e dhjetë poetëve. Ai nuk niset nga krijimtaria tërësore e tyre, por vetëm nga 2-3 vjersha për të arritur në vlerësimin e secilit. Sepse te secili, ai synon të kapë atë çka është thelbësore dhe karakteristike, dritën dhe hijen. Kështu, duke iu përmbajtur renditjes së Antologjisë, ai e nis me poezinë e Helenaut (Kolë Mirditës), e cila karakterizohet “nga predispozita e sinqertë, mendime jo të shtrënguara, vargu i shpenguar, fryma pesimiste, me një ëmbëlsi të varfër”, por, nga ana tjetër, konstaton mungesën e organizimit artistik, mospërsosmërinë e harmonisë poetike.

Për kritikun, poeti më i talentuar i brezit të ri është Migjeni, i cili, sapo fillon ta lexosh, ta ndryshon menjëherë botën shpirtërore. “Autori dramën e tij e bën poezi”, shkruan Lili. “Një dramë e gjerë njerëzore, që mund të ketë si fillim vobekësinë, por që më poshtë e lartëson në dramë të vërtetë shpirtërore… Fjalët e tij nuk luajnë me kuptimin… Realiteti lartësohet në art…”

Kritiku është aq i bindur në talentin e madh të Migjenit sa mendon se “shumë shpejt do të meritojë famën që meriton”. Nga ana tjetër, ai konstaton se “Migjeni nuk ngjason me asnjë dhe ngjason me poetët që janë nisur të bëhen të mëdhenj”. Madje e krahason me Poen dhe Uitmanin për nga përngjasimi që ka nga fryma e dhimbjes dhe jo e gëzimit.

Te poezia e Platonikusit (Veli Stafës) ai vë re se “nuk i mungon fryma e vërtetë.., veçse në vargjet e veta shfrytëzon melankolinë dhe pesimizmin e vdekjes. Duket më shumë poet i mendimit.” E quan poet të fisëm, me mendime të larta, por poet i vjeshtës, i ditëve të mërzitura. E kritikon që fjalori i tij herë-herë është antipoetik dhe i mungon harmonia e duhur e lirizmit.

Ashtu si për Migjenin dhe Helenaun edhe për Platonikusin ai shpreh keqardhjen e thellë për largimin shpejt nga jeta prej të cilit “priteshin vepra të bukura poetike”.

Pas poetëve të vdekur, kritiku merret me poetët e gjallë, të cilët “ende s’e kanë gjetur personalitetin e tyre”. Prandaj dhe gjykimi i tij bëhet më i rreptë dhe kërkesat janë më kritike. E nis me Dh. Shuteriqin, i cili “rrjedh nga shkolla bodleriane”, por, që, sipas tij, “Edhe imitimi i vetëm një poeti të madh, na bën të shpresojmë, por dhe të dyshojmë.” Duke na kujtuar rreziqet e e imitimit, ai vë re se “Shuteriqi nuk e ndien veten rob të bukurisë së Bodlerit”. Gjithsesi, Lili pohon se ai “jeton ne dritën e yllit bodlerian” dhe “rrezikohet nga verbimi i dritës së madhe”. Por shpreh besimin se ai do ta gjejë veten, madje mendon se “Është shpresa më e madhe e poezisë së sotme shqiptare.”

Në mes poetëve të tjerë, Lili çmon dhe Aleks Çaçin për ëmbëlsinë dhe mjeshtërinë e vargut, sinqeritetin, natyrën njerëzore të ndjenjave. E quan “poet të vërtetë”, siç e konsideron të tillë dhe Thanas Konomin, i cili dallohet “për vërtetësi absolute” dhe i dashuruar pas thjeshtësisë klasike të poezisë greke.

Ndryshe mendon për Vedat Kokonën, që e konsideron nxënës të poezisë erotike frënge dhe e cilëson “poet aristokrat, që kënaqet me narcizmin e ëmbël të vetëkënaqësisë”. Te vargjet e Manush Peshkëpisë, Nexhat Hakiut dhe Shefqet Musarait, kritiku sheh vijimin e traditës së poezisë së Lasgushit, që përkufizohen brenda vetes së tyre dhe larg ndikimeve të huaja.

Për Jani Lilin “Antologjia” e poetëve të rinj është një shpresë e vërtetë” për të ardhmen e poezisë shqipe dhe koha e tregoi se ai nuk ka gabuar.

Me mjaft interes paraqiten dhe mendimet e tij dhe informacioni i pasur që sjell për letërsinë e huaj, botuar në shtypin e ditës. Në radhë të parë duhet të përmendim esenë ‘Kostis Palamas, një idolarter i madh”, shkruar me rastin e ndarjes nga jeta e poetit grek. Lili tregohet sa admirues aq edhe njohës i gjithanshëm e kompetent i jetës dhe i trashëgimisë së tij. Duke përkufizuar portretin krijues të Palamasit, ai ndalet në ngjarjet kryesore të jetës dhe në vlerat e spikatura të veprës së madhe që la pas. Jo rastësisht, autori nënvizon qëndrimin e drejtë dhe konsekuent që mban poeti ndaj një problemi jetik siç është çështja e gjuhës greke. Në luftën e gjatë që u zhvillua në mes partizanëve të gjuhës aristokrate dhe asaj popullore, ai do të vihej në mbrojtje të kësaj të dytës. Dhe këtë poeti e arrin jo vetëm përmes argumenteve shkencore, por, në radhë të parë, me krijimtarinë e tij madhore artistike.

Me këtë rast, Jani Lili ia bën të njohur publikut shqiptar vlerat e këtij thesari, frymën humane dhe popullore, nivelin e lartë artistik, mesazhet universale, origjinalitetin dhe individualitetin krijues. Ai e karakterizon atë si një poet të madh lirik, që arriti kulme me lirikën e tij patriotike dhe erotike. Në mënyrë të veçante kritiku analizon poemën e famshme “Dekalogu i evgjitit”, ku shpalosen idetë liridashëse të poetit dhe jepet figura e evgjitit si simbol i njeriut të lirë. Për të, Palamasi është sa poet aq dhe filozof, ndaj dhe poezia e tij është e tillë. Dhe kjo shpjegohet me arsyetimin që “Sa më thellë ndien poeti, aq më thellë mendon.” Kjo e bën Lilin të pohojë se “Palamasi është i papërkthyeshëm”, sepse, sipas tij, ” si mund të përkthehet një poezi që bukurinë e saj e bazon më tepër në harmoninë dhe në plasticitetin e fjalës, sidomos kur është poezi lirike”.

Eseja e Lilit për largimin nga jeta të K. Palamasit ishte i vetmi homazh që iu bë poetit të madh nga opinioni publik shqiptar.

Në vitin 1940 Jani Lili ndërmerr mikrostudimin “Letërsia e re italiane” ku jep në vija të përgjithshme zhvillimet e saj në gjysmën e parë të shek. XX në lëmin e poezisë dhe të prozës. Duket qartë që e njeh mirë argumentin, ka përgatitje serioze dhe ndihet kompetenca profesionale. Sigurisht nuk e ka pasur të lehtë të përmbledhë gjithë kuadrin dhe problematikën e një letërsie në zhvillim dhe në një epokë komplekse e me ngarkesa të rënda politike. Në radhë të parë është fjala për një poezi të re, që vinte pas trashëgimisë poetike klasike italiane, të përfaqësuar nga emra të mëdhenj siç qenë Karduçi, Paskoli dhe D’ Anuncio, që kishin sjellë kontribute historike dhe që autori i njeh mirë dhe ua bën të ditur publikut shqiptar.

Kështu, në qoftë se Karduçin e ngre në shkallën e poetit kombëtar për frymën e thellë patriotike dhe për nivelin e lartë artistik, Paskolin e cilëson lirikun e ëmbël, këngëtar të dashurisë, me ritme sekrete të brendshme; ndërsa D’ Anuncio është krejt i ndryshëm, kryevetja e tij janë sensualizmi dhe fryma heroike, me një mjeshtëri të lartë gjuhësore dhe poetike.

Studiuesi vëren se, përbri tyre u shfaq brezi i poetëve të hijedritës, që përkundër lartësimit heroik, u lindi interesi për gjera më të thjeshta më të vogla të jetës. Dukuria dhe ngjarja letrare më e rëndësishme e këtij brezi është dalja në skenë e futurizmit, e njohur me manifestin e F. Marinetit që iu kundërvu gjithë traditës letrare italiane. Futuristët shpallën si kredo të tyre parullën:”Le të formojmë të shëmtuarën në letërsi”, që do të thotë një letërsi e nënshtruar prej instinkteve dhe pa sintaksë, me liri absolute, e cila, sido që pati njohje dhe përhapje në botë, sipas Lilit, artistikisht dha vepra të varfra dhe mesatare, të krijuara nga autorë të paaftë. Për hir të së vërtetës, ndonëse pati ndër poetët më të mirë futuristë dhe të atillë, që krijuan diçka me vlerë, kur u shkëputën nga kjo shkollë, prapë futurizmi mbeti një eksperiment.

Në fakt, poezia e re italiane për Lilin do të përfaqësohet nga disa individualitete poetike që, më vonë, u bënë emra të mëdhenj, ku të parin radhit Xh. Ungaretin. Duke shqyrtuar poezinë e tij, ai vë në dukje përmbajtjen dhe idetë e vështira filozofike, të shprehura me delikatesë e fisnikëri, plot harmoni, muzikë metafizike dhe lirizëm spontan, që buron një shqetësim i brendshëm artistik. Risia dhe novatorizmi në përmbajtje dhe në ide ishin aq origjinale dhe të çuditshme sa kritiku reagoi rreptë. Por kjo nuk preku thelbin e vlerave të reja që solli ne poezinë bashkëkohore italiane. Krahas tij, ai radhit dhe emra të tjerë, të cilët në vitet e më pasme shënuan kulme si E. Montalie poezinë dramatike, S. Kuazimondo me shprehjen e përsosur metafizike. Ada Negri me lirizmin e thjeshte por tepër sugjestiv.

Pjesa e dytë e studimit i kushtohet prozës së re italiane, të cilën Lili e konsideron me po aq vlera sa poezia, duke iu kundërvënë mendimit të Xh. Papinit, që e cilëson letërsinë italiane më shumë poetike. Ai u bashkohet atyre, që me polemikën e hapur mbrojnë mendimin se shpirtit italian nuk i mungon zotësia e rrëfimit dhe zhvillimi psikologjik. Ardhja e kryeveprave në këtë fushë, sipas tij, është çështje kohe. Këtë e dëshmon fakti i një tradite me vlera të spikatura, të trashëguara nga proza e traditës dhe në mënyrë të veçantë veprat e D’Anuncios dhe të L. Pirandelos. Në qoftë se i pari shquhet për një prozë lirike, me sensibilitet të hollë, me frymëzime të larta, plot pasion dhe atmosferë mistike, i dyti me romanin e tij solli kontribute tepër origjinale, në pasqyrimin realist të jetës, me tipa, me karaktere të fuqishëm, me analiza të thella psikologjike mbi bazën e një rrëfimi e kompozimi krejt të veçantë.

Në galerinë e prozatorëve të suksesshëm të kohës, Lili nënvizon trininë e shkrimtarëve, S. Borgezen, A. Gattin dhe A. Moravinë. Nga ky i fundit, që është më i riu në moshë, por që premton shumë, përmend romanin “Indiferenti”, ku autori shquhet për zotësinë psikologjike dhe mjeshtërinë e kompozimit.

Sigurisht tabloja e prozës italiane të kohës është më e gjerë dhe Lili nuk mungon të informojë publikun shqiptar me të dhëna interesante, ku bie në sy vlerësimi i romancieres G. Deledda, e cila është nderuar me çmimin Nobel.

Në trashëgiminë e Jani Lilit përfshihen dhe një tufe prozash të shkurtra, skica dhe vizatime letrare dhe ndonjë tregimth. Ato u botuan kryesisht në shtypin e ditës, nën pseudonimin letrar Jankrili. Është një prozë e shkruar në frymën e prozës shqipe të kohës. Ishte një praktikë e njohur atëherë lëvrimi i prozës së shkurtër, sidomos nga brezi i viteve ‘30 si A. Varfi, Veli e Qemal Stafa, V. Kokona etj., por mbi të gjitha nga Migjeni, i cili kish krijuar një traditë të re në këtë gjini. Jani Lili do të ecte në këtë traditë jo vetëm për sa i takon llojit letrar, por dhe nga trajtimi i temave sociale. Ai tregohet kritik dhe realist, e sheh shoqërinë nga pozita të avancuara, nuk pajtohet me padrejtësinë dhe pabarazinë sociale dhe nga kjo pikëpamje herë-herë shkrimet e tij kanë një frymëzim deri diku revolucionar. Për këtë arsye ai shpesh operon me subjekte dhe figura alegorike. Shkruan çuditërisht me një shqipe të natyrshme, të rrjedhshme, me nuanca stilistike që dëshmojnë për talentin e një prozatori të vërtetë.

Me këto proza ndërpritet veprimtaria letrare publike e Jani Lilit. Emri i tij nuk duket më në shtypin e kohës. Dallgët e ngjarjeve të luftës e të pasluftës e largojnë nga Shqipëria dhe e shkëpusin nga krijimtaria në gjuhën e atdheut të dytë. Në vitet që vijnë, ai do të bëjë jetën e vet si shkrimtar e publicist me një varg veprash të rëndësishme në gjuhën amtare, të cilat i dhanë emër të nderuar midis bashkatdhetarëve të tij.

Por, për hir të së vërtetës, nga sa dëshmojnë veprat e tij në gjuhën shqipe, por dhe libri “Ballkani i dehur”, shkruar mbi Shqipërinë e shqiptarët me aq dashamirësi, e bëjnë atë një figurë të cilën historiografia jonë letrare duhet ta njohë e ta vlerësojë për aq sa i takon dhe e meriton.

Në mbyllje, nuk mund të rri pa pohuar se njohja dhe vështrimi që i bëra krijimtarisë se Jani Lilit ishte për mua një kënaqësi dhe nder, po dhe një rast i çmuar për të shprehur ndjenjat e mia vëllazërore për minoritetin grek, me të cilin jetojmë dhe krijojmë së toku në një atdhe të përbashkët.

* Qytetar nderi i Dropullit
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back