OKB emeton tri pulla për paqen me imazhin e John Lennon
Administrata Postare e Kombeve të Bashkuara ka emetuar tri pulla me imazhin e John Lennon, një ikonë e paqes, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes dhe në javën kur po mbahet Asambleja e Përgjithshme e KB-së.
Pullat, që paraqesin këngëtarin e Beatles pak para vdekjes së tij, i kushtohen 50-vjetorit të regjistrimit të parë të himnit të Lennon për paqen, “Imagine”.
Kënga, që ka shoqëruar gjithmonë ngjarje botërore, të tilla si koncerte për paqen ose kundër urisë botërore, si edhe hapjen e Lojërave Olimpike, konsiderohet një mesazh shprese për të ardhmen.
“Në fakt, fjalët e “Imagine” inkurajojnë anashkalimin e dallimeve midis njerëzve, bashkimin për një botë në paqe, pa lakmi, uri ose pengesa për ndarjen e popujve dhe kombeve”, theksoi OKB.
Pullat me imazhin e Lennon janë një paralajmërim kundër akteve të urrejtjes dhe racizmit dhe nxisin dhembshurinë dhe shpresën.
Ato u realizuan nga fotot e Bob Gruen, Iain Macmillan dhe David Nutter me skicimet e Martin Mörck.
Të ardhurat nga shitja e pullave do të shkojnë për operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën.
"Balkanweb"