“Nuk kisha ndërmend të arratisesha”, vetëdorëzohet në polici ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj
NgaAmerican Eye
Është vetëdorëzuar në Policinë e Lezhë, ish-kryebashkiaku i qytetit Fran Frrokaj, për të cilin më herët gjatë së premtes, gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 3 vite burg për akuzën e tjetërsimit të pronave.
Seanca ku u dha vendimi për dënimin e Frrokajt u zhvillua më herët gjatë ditës në Shkodër, dhe pas tij ish-kryebashkiaku u largua nga ambientet e gjykatës pa u ndaluar nga askush, ndërkohë që duhej të shoqërohej për në burgun ku do të vuajë dënimin.
Sipas burimeve, në momentet e para që është paraqitur në komisariatin e Lezhës, Frrokaj ka mohuar të jetë larguar.
Frrokaj ka deklaruar se nuk kishte si qëllim të arratisej, por nuk e dinte se ishte në kërkim dhe pasi pa lajmet në media shkoi dhe u dorëzua.
Ndërkohë që policia ka nisur një aksion për kapjen e 15 personave të tjerë të dënuar me burg nga apeli për këtë dosje.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka u dënuan nga Apeli me nga 3 vite burg, ndërsa gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.