Një sekret shtetëror nën maskë
Në Cannes, një ekspozitë ripropozon një prej enigmave më komplekse të të gjithë kohërave: Kush ishte Njeriu i Maskës së Hekurt? Hipotezat më të besueshme janë tri, por midis këtyre nuk është ajo e vëllait misterioz binjak të Mbretit Diell. Në kompensim, i rezistojnë provës së kohës si pista që të çon tek i fuqishmi Nicolas Fouquet, Ministër i Financave të Luigjit të XIV, ashtu edhe ajo që të çon tek aventurieri iralian Antonio Ercole Mattioli. Është pastaj edhe rasti i një shërbëtori, Eustache Dauger, i zhytur në skandale dhe që mund të ketë qenë i detyruar që të zëvendësojë Fouquet në qeli…
Kush ishte «Njeriu i Maskës së Hekurt»? Identiteti misterioz i të burgosurit më të famshëm të historisë mbetet enigmë dhe, pikërisht për këtë arsye, vazhdon që të magjepsë historian dhe kureshtarë. Dhe sidomos këtyre të fundit u është kushtuar ekspozita në vazhdim (e hapur më 16 qershor, do mbyllet më 27 tetor) në ishullin Santa Margherita, mu përballë Cannes. Ekspozita, e mirëpritur nga Musée de la Mer titullohet: «L’Homme au Masque de Fer – Un secret d’Etat» (Njeriu me Maskën e Hekurt – Një sekret shtetëror) dhe është kuruar nga historiani Christophe Roustan Delatour, i cili nëpërmjet një procesi të gjatë kërkimor ka kërkuar që të zbulojë misterin që rreth akoma sot identitetin e këtij personazhi mitik. «Njeriu me Maskën e Hekurt» i burgosur për 11 vjet (nga 1687 deri më 1698) pikërish në ishullin Sainte-Marguerite, në një burg të ndërtuar kinse për të. Në dritën e zbulimeve më të fundit, ekspozita kalon në revistë dijet aktuale lidhur identitetin e vërtetë e të «burgosurit të maskuar». Mbi bazën e burimeve historike, do të përshkuajë rrugëtimi e Maskës së Hekurt nga vendi i tij i parë i burgimi, Kështjella e Pinerolo në Piemonte ku i burgosuri arriti në vitin 1669 dhe ku qëndroi për 12 vjet, për t’u transferuar më pas jo larg nga Torino, në Kështjellën Exilles (1681 – 1687) dhe më pas në Fort Royal e ishullit Santa Margherita. Personazhi misterioz do t’i mbyllë ditët e tij në Bastijë, në Paris, ku vdekja e gjeti më 19 nëntor të vitit 1703.
Natyrisht që një personazh i këtij lloji është bërë kinse për të frymëzuar artistë e letrarë dhe kështu ekspozita shqyrton dimensionin mitik të enigmës, nëpërmjet letërsisë, arteve grafike dhe kinemasë. Por edhe kush ka punuar me fantazi i është dashur të përballet me pyetjen: kush ishte? Përgjigjet më të shpeshta kanë të bëjnë me Nicolas Fouquet, ish Ministër i Financave i Mbretit Luigji i XIV, ose aventurieri italian, ambasadori i Dukës së Mantova, Konti Antonio Ercole Mattioli. Pista të tjera kanë çuar në emrat e Gjeneralit Vivien De Boulonde apo të shërbëtorit të oborrit Eustache Dauger, i përfshirë ne skandale seksuale dhe tentativa helmimi të ndryshme. Sipas disave, Dauger do të detyrohej që të zëvendësonte në burg shumë më të fuqishmin Fouquet, duke përfunduar kështu për të paguar me një burgosje të egër prej mbi 40 vjetësh mëkatet e tij dhe ato të tjerëve. Një teori tjetër synon në fakt në një vëlla binjak hipotetik të Luigjit të XIV, i burgosur nga sovrani për të mos pasur konkurrentë për fronin. Ekspozita nuk zgjedh një tezë në mënyrë të veçantë, por gjithëse i kufizon identitetet e mundshme në tri personazhe, të konsideruar si më të mundshmit: Nicolas Fouquet, Eustache Dauger e Antonio Ercole Mattioli. Uebsajti i së përmuajshmes franceze «L’Incorrect» ka botuar më 19 korrik një intervistë me kuratorin e ekspozitës Christophe Roustan Delatour të realizuar nga Romain Demars.
Njeriu me Maskën e Kekurt është ende legjendë apo një e vërtetë e konsoliduar?
«Njeriu me maskë të hekurt është një figurë historike, ekzistenca e të cilit vërtetohet nga dokumenta të shumta arkivore dhe konfirmohet nga dëshmi të besueshme. Në Cannes, kujtimi i burgosjes së tij në Fort Royal të Santa Margherita nga 1687 deri më 1698 është ruajtur deri në ditët tona: burgu i tij, i ruajtur mrekullisht, tërheq çdo vit më shumë se 80000 vizitorë. Megjithatë, më shumë se 300 vjet nga vdekja e tij (1703), misteri i identitetit të tij mbetet i paprekur. Rreth këtij misteri ka lindur një legjendë. I burgosuri me maskë u bë kështu i famshëm në të gjithë botën, falë edhe veprave letrare të periudhës romantike (Alexandre Dumas, Victor Hugo…) dhe kinemasë. Maska e Hekurt është një “i burgosur shtetëror”, i arrestuar dhe i mbajtur në izolim pa proces, me urdhër të Luigjit të Luigi XIV. Motivi i burgosjes së tij mbetet i panjohur. Gjëja e vetme e qartë është së prillin e 1680, i burgosuri mbahej në kullën e Pinerolo (në Piemonte) nën ruajtjen e gardianit të tij historik Benigne Dauvergne de Saint-Mars, guvernatorit që mori me vete Maskën e Hekurt në burgjet e ndryshme që ju besuan. Nga vjen? Çfarë bënte më parë? Përgjigja varion nga një teori tek tjetra».
Ju theksoni se i burgosuri i njohur si Njeriu me Maskën e Hekurt ka kaluar nëpër burgje të ndryshme, në Itali e në Francë, deri në Bastijë, në Paris. Mendoni se ishulli Santa Margherita është transformuar në burg pikërisht për të garantuar një fshehtësi më të madhe?
«Itinerari i të burgosurit është i njohur qysh nga prilli i 1680. Nga Pinerolo u transferua më 1681 në Kështjellën Exilles, tjetër kështjellë piemonteze. Nga aty, në prillin e 1687, u dërgua në Fort Royal të Santa Margherita, në një burg të ndërtuar apostafat për ta mbajtur të fshehtë. Ky burg është i jashtëzakonshëm për epokën: jashtëzakonisht komod, ishte ndër më të sigurtit e mbretërisë. Ishte ekuivalenti i një burgu të sigurisë së lartë, i mbrojtur nga deti, i ngritur mbi një majë shkëmbore dhe i mbrojtur nga një kompani musketierësh».
Cila ishte jeta e përditshme e Njeriut me Maskën e Hekurt?
«Mbajtja në burg e Maskës së Hekurt ishte e rrethuar nga sekreti maksimal. Kështu që kemi shumë pak informacione lidhur me jetën e tij të përditshme. Megjithatë, dimë se survejohej rreptësisht, për të “penguar se mos shikohej apo njihej nga ndonjë”. U është nënshtruar inspektimeve dhe kontrolleve, ditën dhe natën, për ta penguar që të komunikonte më botën e jashtme. Qelia e tij, e madhe, ishte e pajisur edhe me oxhak, mobilje dhe një dritare të madhe. Një sistem i ndërlikuar dyesh e bënte të pamundur arratinë. Së fundi, dimë se afër qelisë ishte sajuar një si kishë, në mënyrë që i burgosuri të mund të dëgjonte meshën (ishte katolik). A është lejuar ndonjëherë ta linte qelinë? A mund të ketë shëtitur ndoshta në taracën e gjerë mbi det (e quajtur “oborri i kështjellës” në një inventar të 1691)? Nuk mund ta dimë me siguri…».
Si është trajtuar ky i burgosur i çuditshëm?
«Me sa duket, është trajtuar mirë. Gardiani i tij, Saint-Mars, e konsideronte si të burgosur model dhe e përshkruan si një njeri të dorëzuar fatit të tij. Por ndërkohë të burgosur të tjerë janë trajtuar me rreptësi të madhe: nuk kishin komoditete, ushqeheshin keq, rriheshin… Sigurisht që ky nuk ka qenë rasti i Maskës së Hekurt».
Kush ishte Eustache Danger?
«Eustache Danger ose Dauger (ortografia ndryshon shumë në atë kohë), është një armik shtetëror i arrestuar në korrikun e 1669 dhe i burgosur në Pinerolo. I vërejtur nga afër, rezulton se është i rrethuar nga një aureolë misterioze. U zhduk nga korrespondenca zyrtare në prillin e 1680 pasi për 5 vite kishte qenë shërbëtori i rastësishëm i një të burgosuri tjetër të Pinerolo, Nicolas Fouquet, Mbikëqyrësit të Financave. Pjesa më e madhe e historianëve e konsideron Dauger si Njeriun me Maskën e Hekurt. Megjithatë, opinionet divergjojnë si për nga motivi i arrestimit të tij, ashtu edhe prej domethënies së maskës».
Pse një maskë e hekurt?
«Në të vërtetë, Maska e Hekurt mbante dy lloje maskash: një “maskë të çeliktë”, e cituar më 1687, dhe një “maskë prej kadifeje të zezë”, e certifikuar në Bastijë më 1698 dhe 1703. Kështu, kjo masë nuk ishte intrument torture, por vetëm një mënyrë efikase për të fshehur që një fytyrë të mos njihej… Mbetet për t’u pyetur pse».
A ka një gjurmë, një shkrim apo një rrëfim të asaj që Njeriu me Maskën e Hekurt mund të ketë thënë apo menduar? E dimë se në çfarë gjendjeje psikologjike ndodhej i burgosuri për shkak të kushteve të tij?
«Lajmet e vetme për Maskën e Hekurt kanë të bëjnë me transferimin e tij nga Exilles në Cannes në prillin e 1687. Gjatë këtij udhëtimi 12 ditor, Saint-Mars e kishte fshehur të burgosurin e tij të maskuar në një karrige me rrota të mbuluar me kanavacë. Maska e Hekurt thuajse mbytet gjatë rrugës dhe i ankohet Saint-Mars, i cili ia tregon episodin Ministrit të Luftës. Korrespondenca zyrtare e epokës nuk zbulon asgjë lidhur me gjendjen e tij psikologjike, por është e sigurtë se gardianët e tij kujdeseshin për ta mbajtur në gjendje të mirë shëndetësore: pasi i kanë çuar vaktin, i është kërkuar “në mënyrë shumë civile nëse kishte nevojë për gjë tjetër”. Vizitohej nga një mjek kur ishte i sëmurë dhe, në ndryshim nga të burgosurit e tjerë bashkëkohës, nuk e ka quajtur asnjëherë veten të çmendur apo ta ketë kontestuar trajtimin që i ishte rezervuar».
Nëqoftëse ishte fytyra që duhej mbajtur absolutisht e fshehtë, kjo nuk ndodhte pse do të mund të rezultonte një raport shumë i ngushtë apo deri se ishte binjaku i Luigjit të XIV?
«Nuk e dimë sekretin e Maskës së Hekurt. Është një akt i kryer në të kaluarën, një informacion për të cilin ishte në dijeni thjesht identiteti i tij? Natyrisht, është e mundur që një ngjashmëri me Mbretin mund ta ketë justifikuar përdorimin e maskës. Cila fytyrë tjetër përveç asaj të Mbretit Diell – e njohur në të gjithë Europën prej monedhave dhe portreteve të panumërta të tij, të skalitura apo të pikturuara – mund të njihej në fundin e shekullit të XVII, në thellësitë e Mbretërisë?».
Pse Luigji i XIV thjesht nuk e ka ekzekutuar vëllain për baba në vend që ta detyronte të përjetonte këtë fat?
«Po futemi në mbretërinë e spekulimit të pastër. Nëse (dhe është një “nëse” e madhe!) Maska e Hekurt ishte një i afërt i Mbretit – për shembull, vëllai për baba, siç sugjeroheet nga Marie-Madeleine Mast në librin e saj të vitit 1974 të titulluar “The Iron Mask. Një zgjidhje revolucionare”, atëhere kjo lidhje gjaku ka mundësi që e ka mbrotjtur nga ekzekutimi. Në fakt, Luigji i XIV, monark me të drejtë hynore dhe katolik i zjarrtë, nuk do ta rrezikonte shpëtimin e përjetshëm e shpirtit të tij me kryerjen e një mëkati të tillë. Burgimi i përjetshëm mund të interpretohet si një shenjë butësie më shumë sesa si akt dominimi nga ana e një sovrani absolut».
Gjithsesi, ju ia vini në diskutim lidhjen me Luigjin e XIV? Pse?
«Sot nuk është e mundur të thuhet se kush ishte vërtet Maska e Hekurt. Gjatë 3 shekujve janë bërë rreth 50 hipoteza, pa dhënë prova definitive».
Njeriu me Maskën e Hekurt ka vdekur në Santa Margherita?
«Jo, Maska e Hekurt vdiq në Paris, në kështjellën – burg të Bastijës, më 19 nëntor 1703. Kjo vdekje ëështë regjistruar nga Etienne du Junca, toger i Mbretit në Bastijë, dhe konfirmohet nga një akt varrimi në varrezën e Kishës së Shën Palit. Megjithatë, Santa Margherita është një hap i rëndësishëm në udhëtimin e Maskës së Hekurt: aty qëndroi për 11 vjet, në një qeli të ndërtuar “me masë” dhe që ekziston akoma».
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al