Ndalohet djali i El Chapos/ “Luftë” në Meksikë: Masakrohen forcat e sigurisë!
Përleshje të ashpra shpërthyen në Sinaloa të Meksikës pas arrestimit të djalit të lordit famëkeq meksikan të drogës “El Chapo”.
Ovidio Guzmán-López, që mendohet se mori frerët e kartelit pas burgosjes së të atit- u kap në Culiacán dhe u transferua në Mexico City. Por anëtarët e tërbuar të bandës së tij ngritën barrikada nëpër rrugë, i vunë flakën automjeteve dhe sulmuan një aeroport lokal. Ata qëlluan me armë zjarri edhe dy avionë, njëri nga të cilët sa po bëhej gati të ngrihej në ajër.
Më shumë se 100 fluturime u anuluan në tre aeroporte të Sinaloas. Tre efektivë policie kanë mbetur të vrarë nga shkëmbimi i zjarrit, ndërsa 18 persona janë shtruar gjithsej në spital sipas guvernatorit të zonës. Guzmán-López, i mbiquajtur “Miu”, akuzohet se ka drejtuar një fraksion të Sinaloas, e pohuar kjo nga Ministri i Mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval.
Ky kartel konsiderohet një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë. Babai i tij, Joaquín “El Chapo” Guzmán, po vuan një dënim të përjetshëm në SHBA pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për trafik droge dhe pastrim parash. Procesi i tij gjyqësor zbuloi disa nga detajet më brutale se si funksionojnë kartelet e drogës në Meksikë. Forcat meksikane të sigurisë e tentuan dhe asokohe arrestimin e Guzmán-López, por e lanë më pas të lirë për të shmangur një shpërthim dhune nga ana e mbështetësve të tij.
Top Channel