Muzeu më i ri në Gjirokastër, për Polifoninë
Në një nga lokalet karakteristike të qytetit të Gjirokastrës, është krijuar një muze dedikuar Polifonisë. Muzeu “Shtëpia e Polifonisë”, është ngritur në ambientet e “Te Kube” dhe është ideuar nga artistja Edit Pula. Kjo nismë ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, nëpërmjet një granti nga Instituti për Kontratën Shoqërore.
Duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe përkrahësit e këtij muzeu të ri, organizatorët kanë ftuar ta vizitojë cilido që shkon në Gjirokastër.
Këtë sezon Gjirokastra ka pasur çfarë t’u ofrojë banorëve dhe turistëve.
Një sërë aktivitetesh janë organizuar me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër si edhe të Ministrisë së Kulturës. Një tjetër event që ka lidhje me polifoninë, është edhe “Iso mbi Kalldrëm” që zhvillohet çdo fundjavë, me qëllim promovimin e vlerave të këngës polifonike, trashëgimi e UNESCO-s, por edhe tërheqjen e turistëve, në këtë qytet. /atsh /