“Mos i kërko njerëzit kur largohen. Duaji kur i ke pranë!”
Më kujtohet një thënie nga autori Erich Maria Remarque: “Pendesa është gjëja më e pavlerë në botë”. Mund të pendohesh për diçka që e ke bërë gabim, ama gabimi nuk mund të zhbëhet. Pasojat e tij do të përballohen dhe sado të pendohesh, sërish duhet të kuptosh se ke lënë pas njerëz të lënduar me veprimet apo fjalët e tua. Dhe kjo gjë na ndodh shpesh në përditshmërinë tonë.
Ndodh të largojmë nga vetja persona që i duam dhe më pas të pendohemi. Kuptojmë se ata persona na duhen në jetën tonë, ama njësoj siç kuptojmë diçka të tillë, duhet të dimë edhe se njerëzit nuk janë lodra dhe ne nuk mund t’i përdorim siç duam. Gjërat nuk është mirë të bëhen mbrapsht. Rëndësia e çdokujt duhet kuptuar kur e ke pranë, jo ta marrësh të mirëqenë faktin që ai person nuk do të largohet nga ty dhe ta trajtosh pa e menduar se si ndihet.
Asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë në jetë. Çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Njësoj edhe çdo marrëdhënie në jetë. Askush nga ne nuk ka të drejtë t’i lëndojë të tjerët. Dhe është e kuptueshme më pas që, nëse e lëndon dikë, ai person normalisht që do të largohet. E ku qëndron këtu vlera e pendesës? Mos vallë duhet dhe të dekorohesh me ndonjë medalje që i ke vënë shkelmin dikujt me vlerë për veprat e tua të pamenduara?
Është e vërtetë që të gjithë gabojmë dhe kërkojmë falje, madje bëjmë dhe çfarë kemi në dorë për t’i ndrequr gabimet tona. Ama çdo gabim duhet të ketë një arsyetim. Nuk mundet të gabosh pa menduar se si e bën personin tjetër të ndihet. Vendose sado pak veten në vendin e tij/saj. Si do të ndiheshe ti, nëse do të nënvlerësonin apo do të bënin të ndiheshe keq?
Normale që do të largoheshe. Dhe si do të reagoje kur të kërkonin falje? Me shumë mundësi do t’jua pranoje faljen, ama do të mbetej në mendje ajo çfarë kishte ndodhur. Do të ishte një falje e pranuar, por jo një gabim i harruar që praktikisht nuk ka asnjë vlerë.
Ndaj duhet që vlerën e gjithkujt duhet ta kuptojmë kur e kemi pranë, jo kur largohet. Pendesa, apo kërkesa e faljes në atë moment nuk ka asnjë vlerë…
Bota.al