Lëshohen 60 satelitë të tjerë në atmosferë
Lëshohen në atmosferë 60 satelitë të tjerë Starlink. Kështu projekti i Elon Musk për internetin global, ka tejkaluar kuotën e një mijë satelitëve në orbitën e Tokës, të cilët janë pozicionuar tashmë. Lëshimi i tyre nga raketa Falcon 9 u realizua sipas planeve nga platforma Kennedy Space Center e NASA, në Cape Canaveral, e njëjta e misioneve historike hënore.Kompania bën të ditur se fluturimi i raketës Falcon 9 është i 102-ti. Projekti Starlink, i Kompanisë Space X është i jashtëzakonshëm. Ai parashikon që këta satelitë të qëndrojnë të pozicionuar në orbitën e ulët të Tokës, në rreth 550 km kuotë.
Plani parashikon që të jenë 1500 satelitë në këtë fazë të parë të projektit. Por kompania sapo ka marrë autorizimin për lëshimin e 12 mijë satelitëve, të cilët do të bëjnë të mundur pra shpërndarjen e internetit në të gjitha zonat e globit, edhe aty ku sot është e pamundur.
Aktualisht shërbimi i Starlink nuk ka nisur ende dhe është në fazë eksperimentimi dhe provash me zonat rurale të pjesës veriore të SHBA e Kanadasë jugore dhe sapo kanë nisur testet edhe në Mbretërinë e Bashkuar.