Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Kristo Frashëri, historian i së vërtetës, martir i punës shkencore

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
Prof. Nasho Jorgaqi

download-12.jpg


Në historinë e shkencës dhe kulturës sonë kombëtare akademiku Kristo Frashëri i takon plejadës së atyre personaliteteve që me kontributet e tyre të shquara hodhën themelet dhe lartësuan historiografinë shqiptare të kohëve moderne. Bashkëpunëtor i Aleks Budës dhe I. Zamputit, koleg i një brezi me A Puton dhe S. Pollon, ai, falë aftësive dhe vlerave intelektuale, pasionit dhe përkushtimit, shpirtit të kërkimit e të zbulimit e mbi të gjitha punës së jashtëzakonshme, arriti të krijojë në fushën e studimeve historike individualitetin e tij të veçantë. Nuk besoj të ketë një të dytë në rrethin e kolegëve e më gjerë që të barazohet me Kristo Frashërin si studiuesi më punëtor, gjithnjë i palodhur, martir i punës. Veçanërisht kjo është dëshmuar në dekadat e fundit, tamam në moshën e tretë, kur duke sfiduar kohën dhe hallet e shëndetit, ai do të shënonte për çudi periudhën më produktive të veprimtarisë së tij shkencore dhe një stad ti ri të pjekurisë studimore. Askush si Kristo Frashëri nuk do të krijonte në një kohë rekord një numër aq të madh veprash që rrokin thuajse të gjitha momentet kthesë të historisë sonë dhe ç’është më e rëndësishme zgjidhin një varg problemesh kyç nga kuota të reja dhe pozita progresive e të guximshme.

Pikërisht në valët e kësaj pune, kur ai përballej me studimet veta kapitale, do të gjente kohë e sidomos frymëzim e përkushtim për të evokuar dhe shkruar mbi jetën e tij. Ishte mosha më e përshtatshme për të bërë bilancin e ciklit të jetës. Noli e kish kryer këtë detyrë kur po i afrohej të 80-ve, kurse Kristo Frashëri kur ka shkelur mbi 90-tat. Por për të nuk ekziston mosha, nuk përfillet koha. Ai ndjen nevojën që më në fund të rrëfejë dhe për veten, pavarësisht se nuk ka pasur pozita drejtuese shtetërore a shoqërore, por siç thotë modestisht “kam qenë një qytetar i thjeshtë” dhe e anashkalon të qenit historian me germë të madhe dhe i hyri punës ashtu siç di të punojë ai, qoftë dhe me bombolën e oksigjenit poshtë tavolinës. Kështu lindi libri i ri “Jeta e një historiani”, një vepër origjinale, që rri në mes autobiografisë dhe kujtimeve. Është aty gjithë diagrami i jetës së tij, në vijë të drejtë, por herë-herë e valëzuar dhe e shigjetuar, që zbulon personalitetin e një shkencëtari të dorës së parë dhe karakterin e një njeriu të paepur në qëllime e veta fisnike. Statura e Kristo Frashërit përshkallëzohet e ngrihet dhe fiton fizionominë e vet nëpër hapësirat e jetës shqiptare dhe të historisë së saj. Nga periudha e monarkisë, në pushtimin fashist dhe Luftën Nacionalçlirimtare, nga sistemi socialist në tranzicionin demokratik. Në të gjitha këto etapa, Frashëri nuk është vetëm dëshmitar, por dhe aktor e në situata të caktuara edhe protagonist pa bujë. I frymëzuar dhe i brumosur që nga rinia e hershme nga atdhedashuria, duke përqafuar idetë demokratike, i prirë nga dukuritë e reja social-politike, ky i ri inteligjent, kurajoz, me vështrim nga e ardhmja, i pakënaqur dhe i revoltuar nga padrejtësitë dhe pabarazia sociale, do të radhitet në krahun e forcave të progresit për t’u bërë një ditë luftëtar i bindur i një kauze liridashëse. Sigurisht rruga që ai do të përshkojë do të jetë e gjatë, e vështirë, me zigzage e pse jo dhe me plot zhgënjime. Rrëfimet e kujtimet e tij hedhin dritë të qartë se ç’ndodh në mendimet e veprimet e tij në rrugën e jetës që përshkoi. Në qoftë se në filling ai joshet nga ëndrrat për një botë të re, me kohë djaloshi do të ndjejë nevojën e ndërgjegjësimit dhe kjo do ta bëjë të hyjë në botën e shkencave shoqërore. Do të studiojë histori, filozofi, sociologji dhe do t’i lidhë këto me realitetin ku jeton. I etur për diturii vihet në kërkim të së vërtetës, studion pa u lodhur, përballet me ide e mendime të kundërta, përjeton dyluftime të brendshme, përpiqet të lidhë idetë me praktikën e jetës e të luftës. Në këtë proces ai krijon mendimet veta dhe pozicionin e tij mbi problemet social-politike të kohës, ecën drejt një natyre të pavarur, me një karakter të mëvetësishëm. Ky individualitet i tij shfaqet veçanërisht në rrethin e ngushtë shoqëror, në mes shokësh që janë lidhur nga një ideal i përbashkët. Është koha e lëvizjes komuniste, e grupeve, kur Kristua bëhet pjesë e tyre dhe përpiqet të kontribuojë si një i ri me interesa intelektuale duke lexuar e përkthyer literature marksiste. Për herë të parë në këtë kohë ai lexon abetaren e teorisë marksiste “Manifestin komunist” të K. Marksit e F. Engelsit, idetë e të cilëve ushqejnë ëndrrat revolucionare të liceistit. Vatra e përhapjes së ideve revolucionare bëhet për të Liceu i Tiranës, ku lidhet e miqësohet me V. Shanton, Q. Stafën, A. Demin etj., të cilët i evokon me nostalgji e i portretizon mjeshtërisht. Ai nuk do të lerë pa kujtuar nga kjo kohë edhe stafin e profesorëve, të cilët i diferencon për nga vlerat intelektuale dhe pikëpamjet e tyre. Vitet e Liceut, pasi ka kaluar nga shkolla ushtarake, e gjallërojnë dhe e pasurojnë botën e djaloshit dhe këto janë nga faqet më interesante të kujtimeve. Të sinqerta, me frymë rinore, plot ëndrra e dëshira të guximshme, ku autori tregohet modest aq sa nuk e vë veten më mes nxënësve të dalluar në mësime. Sepse më shumë se mësimeve, ai është i është kushtuar leximeve, jo vetëm letrare, por dhe filozofike e ideologjike. Dashurinë për librin ia detyron të jatit, një gazetar patriot dhe me kulturë. Por për liceistin bota e tij nuk janë vetëm librat, por dhe jeta politike e kulturore e kohës, debatet në shtyp apo në Parlament, ku i jati punon si sekretar, Lufta e Spanjës e mbi të gjitha hallet e popullit dhe manifestimet kundër regjimit monarkist. Gjyqi i parë kundër komunistëve që zhvillohet në Tiranë është një ngjarje që e ndjek me vëmendje të madhe dhe mban qëndrim kritik ndaj papjekurisë dhe gabimeve të disa shokëve të tij të grupeve komuniste, sidomos atij të Shkodrës.

Pas kësaj ngjarjeje do të ndodhte katastrofa kombëtare, pushtimi fashist i Shqipërisë që gjen pasqyrim të gjerë e realist në kujtimet e autorit Ai jep jo vetëm ngjarjet dhe personazhet e kësaj tragjedie, por dhe atmosferën politike, qëndrimin e shoqërisë shqiptare të diferencuar, ku nga një anë tregohet tradhtia dhe kapitullimi i klasës politike e nga ana tjetër fryma e lartë e patriotizmit të rinisë shqiptare, që i kundërvihet çizmes së pushtuesit dhe demagogjisë fashiste. Kronika e ngjarjeve gërshetohet me episode të qëndresës në radhë të parë të rinisë. Liceisti ynë gjendet në mes tyre nëpër demonstrata dhe aksione antifashiste. Ai aktivizohet si pjesëtar i grupit komunist të Korçës, duke iu përmbajtur disiplinës dhe fshehtësisë së rreptë, por ndryshe nga të tjerët brenda vetes nuk pajtohet me disa praktika sektare dhe mendime të gabuara teorike. Ky qëndrim kritik do të bëhet me kohë një nga tiparet e karakterit të tij. Ishte koha kur disa komunistë të Grupit të Korçës si A. Lulo e S. Premte etj. shkëputen prej tij dhe bashkë me ta dhe K. Frashëri. Këta kritikojnë teoritë e përcipta dhe praktikat e gabuara të grupit dhe krijojnë Grupin e të Rinjve.

Lëvizja komuniste shqiptare, në varësi të situatës politike, kur ka shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, gjendet përballë problemesh e detyrash të vështira e mbi të gjitha, kur momenti historik kërkonte bashkimin e grupeve. Kristo Frashëri bëhet pjesë e këtij procesi, madje është tepër aktiv dhe kontribuon përmes përgatitjes teorike serioze, mendimeve të guximshme dhe veprimtarisë revolucionare. Falë këtyre vlerave, me krijimin e PKSH, ai bëhet një prej anëtarëve të saj të parë. Në kujtimet e tij jepet në përmasa të gjera e me hollësi e për më tepër me vërtetësi, jashtë çdo skeme, gjithë procesi i kësaj dukurie të re historike që shfaqet në jetën shqiptare. Më shumë se entuziazëm, te Kristua manifestohet një qëndrim realist, madje kritik. Ai nuk pajtohet me faktin që PKSH po ngrihet mbi shembullin e parimeve dhe strukturave bolshevike të centralizmit ekstrem, të disiplinës së hekurt, që kritikat bëhen nga lartë poshtë dhe jo e kundërta, të fshehtësisë së skajshme. Të gjitha këto përfshiheshin në rezolucionin që miratoi mbledhja e themelimit të PKSH, me të cilat Kristua dhe drejtuesit e Grupit të të Rinjve s’ishin dakord, por që me formimin e PKSH u tërhoqën formalisht. Po kështu Kristua nuk pajtohej me Rezolucionin, ku s’përmendet fare çështja e revolucionit socialist, mbasi nuk ekzistojnë në Shqipëri kushtet social-ekonomike, ndaj i vetmi objektiv është lufta antifashiste për çlirimin e vendit. Ky qëndrim do të ngjallë debate dhe mospajtime të Kristos me udhëheqësit e rinj së pari me K. Xoxen e M. Popoviçin e pastaj me E. Hoxhën. Megjithatë ai do të zgjidhet përgjegjës i një prej celulave të para të PKSH dhe do të intensifikojë më tej veprimtarinë e tij revolucionare. Do të vihet në krye të demonstratave , do të jetë një nga organizatorët e grevës së Postëtelegrafeve, do të burgoset, do të internohet në Itali. Të bën përshtypje se rrëfimi i tij për këtë ngjarje dhe për shokët përshkruhet dhe evokohet me një frymë me sinqeritet e pa mburrje, madje nuk i fsheh gabimet e tij, por as dhe nuk heq dorë nga pikëpamjet e veta. Ç’është e vërteta, ndjehet përgatitja e tij intelektuale, njohja e gjerë me literaturën ideologjike e politike. Në këtë atmosferë të tensionuar Kristua portretizon shokët e tij udhëheqës si E. Hoxhën, K. Xoxen, T. Jakovën, Miladinin etj. E bën këtë pa mllefe, ndershmërisht dhe për të qenë i besueshëm i ballafaqon në sfondin e mendimeve të kundërta. Vend parësor do të zërë figura e E. Hoxhës si një militant aktiv, me të cilin nuk pajtohet me disa pikëpamje e veprime të tij, por evoluimin e këtyre situatave e jep me vërtetësi, në mënyrë bindëse. Pas kthimit nga internimi, ai do të dalë në ilegalitet, por do të shkarkohet nga detyra e përgjegjësit të celulës. Fillon për të periudha e dyshimit dhe e mosbesimit, si bartës i pikëpamjeve të “grupazheve” dhe të rezervave që ka ndaj udhëheqjes. Kështu vjen një ditë dhe ai përjashtohet përkohësisht nga partia bashkë me disa shokë të tjerë. Ishte kjo një goditje e rëndë për Kriston, por ai nuk e jep veten, tregon kurajë e forcë karakteri. Pas dënimit, ai gjendet në një pozitë të vështirë, mbasi duke qenë një ilegal i përjashtuar, humbet lidhjet, ndërsa vigjilenca patologjike e E. Hoxhës e ndjek nga pas. Me urdhër të tij, atë e nisin të shoqëruar për në malësinë e Elbasanit dhe aty inkuadrohet si partizan në njësitet vendore. Është i admirueshëm qëndrimi i tij. Ndonëse i vrarë shpirtërisht dhe i rrethuar nga dyshimet, ndërsa përjeton vrasjen e Anastas Lulos, ai nuk e humbet besimin në kauzën e idealit të lirisë. Gjen forca në vetvete, e mbledh veten dhe u nënshtrohet ligjeve të luftës dhe detyrave që i ngarkohen qoftë dhe si partizan i thjeshtë. Kështu, pa shkuar gjatë, urdhërohet të niset për në Martanesh dhe pas pak kohe prej andej për në Mat, duke përballuar sakrifica e duke kryer misione si gjithë luftëtarët e tjerë. Drama që ai përjeton, një lloj diskriminimi që ndjen, sedra e fyer, rastet e provokimeve nuk e lëkundin nga rruga e luftës për çlirim. Ai është i vendosur, pavarësisht nga trajtimi dhe sakrificat me të cilat duhet të ndeshet) të mos jepet kurrsesi. U përshtatet kushteve të vështira pa pretendime, duke iu bindur ndërgjegjes patriotike, mbështetur fort pas idealeve revolucionare me të cilat është brymosur. Në Mat partizani Kristo Frashëri takon dhe lidhet me figura të tjera të luftës si M. Kaçaçi, B. Minxhozi, H. Fejzo, por i jepet rasti të njihet e të bisedojë dhe me Abaz Kupin. Pasi lëviz me detyra nëpër fshatrat e Matit, ku njihet me mikpritjen dhe jetën e tyre, ai urdhërohet të niset për në Dibër dhe atje inkuadrohet në çetën lokale e pastaj në batalionin e Dibrës. Atje u mirëprit nga komandanti i tij Haxhi Lleshi, i cili u gëzua që i kish ardhur një partizan intelektual, por në ditët në vijim ai do të ndjente një lloj ftohtësie dhe nga komandanti. Një letër që kishin sjell për të, kish bërë të ndryshonte qëndrimi ndaj tij. Por i mësuar me këto situata, Kristua nuk e jep veten, aq më tepër se mjedisi miqësor i dibranëve, patriotizmi dhe optimizmi i tyre i zgjon, siç shkruan ai, “mbresa të jashtëzakonshme”. Dibra do të bëhet për partizanin e ardhur nga Tirana terreni kryesor i luftës, ku për muaj të tërë do të marrë pjesë jo vetëm në veprimtaritë politike, por dhe në luftën kundër pushtuesve dhe tradhtarëve vendas, ku mes të tjerash veçon betejën e Sofroçanit. Janë ditë e net të ngarkuara me detyra të vështira, që lypin trimëri, sakrifica, besim, këmbëngulje të cilat e kalisin dhe e vënë në sprovë luftëtarin e ri. Të bën përshtypje gatishmëria e tij dhe përkushtimi në kryerjen e detyrave luftarake, kalitja dhe përshtatja me kushtet e vështira dhe detyrat që i vinin në rrezik jetën, por që ai s’do të dinte të zmbrapsej. Kështu do të forcohet e zgjerohet miqësia luftarake e intelektualit të ri me partizanët dhe komandantët dibranë. Tani ai përpiqet të shkëputet nga e kaluara, të shohë përpara dhe të kryejë me ndërgjegje akoma më të lartë detyrat që lypte lufta për çlirim. Në këto rrethana ai përjeton kapitullimin e Italisë fashiste dhe dërgohet me detyra në Dibrën e Madhe, ku zhvillohen bisedime me komandantin e divizionit “Firence”, në të cilat asiston edhe Kristua. Kujtimet e tij të kësaj kohe janë të ngarkuara me ngjarje e situata nga më interesantet, me njohje të ndryshme. Partizanët do të mermin në dorëzim kazermat dhe gjithë depot e ushtrisë së mundur italiane. Ai tani u ngarkua me detyrën që të drejtonte sektorin e shtypit dhe kjo do t’i jepte mundësi të njihej nga afër me problemet e situatat e ditës dhe me drejtuesit shqiptarë e maqedonas. Një vend qendror në kujtimet e kësaj kohe zë Haxhi Lleshi, të cilin e paraqet si një udhëheqës të mençur e të urtë, trim dhe të thjeshtë, që ndikon pozitivisht në jetën e tij.

Por lufta s’ka mbaruar, pavarësisht nga kapitullimi fashist. Kristos do t’i duhet të marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e Dibrës së çliruar, kur vendin e italianëve e kishin zënë pushtuesit gjermanë. Ishin këto beteja heroike, ku u përfshin dhe gratë e fëmijët, që nga faqet më emocionuese të librit. Kristua në këtë betejë do të kalojë nga situatat më të rënda të jetës partizane. Pas luftimeve të ashpra dhe në pamundësi për të përballuar ushtrinë gjermane, forcat partizane u tërhoqën. Tërheqja e partizanëve do të ishte një odise e vërtetë përmes maleve të Martaneshit, në mes shiut, dëborës e të ftohtit. Kristua dhe disa partizanë do të sëmuren rëndë, aq sa do të strehohen në Tërnovë në një nga shtëpitë malësore. Aty ai do të qëndronte deri sa të merrte disi veten dhe pastaj, me një letër përcjellëse të Haxhi Lleshit, u nis në këmbë për mjekim për në Tiranë. Rastësisht gjatë rrugës, kujton Kristua, u takua me Enver Hoxhën dhe pasi u përshëndetën, duke pasur parasysh dyshimet e udhëheqësit, i tregoi letrën autorizuese të H. Lleshit. Kësisoj, ata u ndanë, por në një letër që më vonë Enveri i dërgon G. Nushit, ai do t’i shkruante. “Këtej kaloi Kristo Frashëri. Po shkon për në Tiranë. Kini kujdes. Duket se ai si partizan nuk pati sukses të organizojë në çetë një lëvizje antiparti. Tani vjen për të njëjtin qëllim në Tiranë.” I shkreti Kristo, edhe i sëmurë gjatë operacionit të dimrit, nuk i ndahet dyshimi. Më në fund hyn ilegalisht në Tiranë, duke u strehuar në shtëpinë e një miku, ashtu si vëllai i vogël, Gjergji, që qe strehuar te një tjetër bazë ilegale. Prindërit do të vinin t’i takonin fshehurazi.

Ishte dimri 1943, kur Tirana qe e pushtuar nga gjermanët dhe vijonte operacioni i tyre. Më 28 shkurt, Gjergjin bashkë me tre shokë të tij i arrestuan nazistët dhe i pushkatuan. Merret me mend dhimbja e madhe e prindërve dhe e Kristos, që qëndronte ilegal në pritje të rimëkëmbjes së çetave partizane në trevat periferike të Tiranës. Sapo i përmirësohet shëndeti dhe situata politike, ai shkon në Priskë dhe radhitet në Batalionin e Dajtit, ku prej andej sulmon kampe të armikut natën. Më pas, me formimin e Brigadës XXIII, Kristua niset për në veri, i inkuadruar në radhët e saj përsëri si partizan i thjeshtë, sado që kish dhënë prova trimërie e besnikërie. Drama e tij vazhdonte, por ai prapë nuk jepej. Do të luftonte deri në fund për çlirimin e atdheut, pavarësisht se nuk gëzonte besimin e atyre që drejtonin. Bashkë me brigadën e tij, ai do të ndiqte armikun deri në Shkodër, duke u bërë një nga çlirimtarët e saj. Kjo ditë triumfi shënonte epilogun e rrugës së gjatë që kish përshkuar historiani i ardhshëm përmes sakrificash, pa më të voglin pretendim e mburrje. Dhe do të ishte një rastësi e çuditshme që, krejt padashur, ai do të caktohej nga Mehmet Shehu për të organizuar mbrëmjen e fitores historike për popullin e Shkodrës dhe çlirimtarët e saj. Një detyrë e vështirë, por e nderuar, plot emocione e përgjegjësi, që Kristua, deri atëherë i mënjanuar, e kreu me sukses të plotë. Pas kësaj ngjarjeje iu dha grada n/toger dhe do të merrej me sektorin e agjitpropit, duke redaktuar revistën “Ushtari i ri”, ku shkrimet e tij publicistike do të zinin vendin kryesor.

I çmobilizuar nga ushtria, ai kthehet në Tiranën e lirë me ëndrrën e hershme për të ndjekur studimet ekonomike jashtë shtetit. Ashtu si gjithë shokët e tij përgatiti dokumentet dhe i paraqiti, por kërkesa iu refuzua si “i papërshtatshëm”. Me këtë që ndodhi kuptoi se shokët lartë nuk ia falnin të kaluarën, përjashtimin nga partia, ndërsa syri vigjilent vazhdonte ta përndiqte. Megjithatë, duke qenë se gjatë kohës së internimit në Itali kish ndjekur disa kurse ekonomike universitare, drejtori i kuadrit të Bankës së Shtetit, një shoku i tij i Liceut, e mori në punë. Në fillim ai do të kryente detyra të rëndomta, por i gëzohej faktit që në drejtimin e Bankës qenë figura të shquara të fushës bankare si K. Boshnjaku e Dh. Pasko. Ishte koha kur dhe Banka e Shtetit i nënshtrohej reformave radikale, për ta kthyer institucionin nga një bankë kapitaliste në bankë socialiste, gjë që ai dhe specialistët e tjerë e konsideronin si një masë të parakohshme. Pavarësisht nga kjo, Kriston do ta caktonin në sektorin e kreditit, një sektor kyç, pra shumë i rëndësishëm, që atë si nëpunës i ri e gëzoi, por nga na tjetër, nuk i largohej dyshimi se detyra e vështirë që i ngarkohej ishte një provë. Megjithatë, ai nuk u dorëzua, por iu përkushtua punës seriozisht, falë vullnetit dhe inteligjencës, përgatitjes profesionale dhe besimit në forcat e veta, dhe më në fund ia doli me sukses të realizonte reformën në sektorin e kreditit. Kjo arritje i forcoi pozitat profesionale dhe i afirmoi vlerat e tij. Ndërkaq filloi të japë mësim në Teknikumin Financiar dhe të hartojë dy tekste shkollore “Historia e monedhës në Shqipëri” dhe “Historia bankare në Shqipëri”. Megjithatë, nëpunësi i ri, që s’i kish mbushur të tridhjetat, nuk ishte i kënaqur nga puna e bankierit, atë e joshnin interesa të tjera. Iu zgjua fuqishëm pasioni vjetër për studime në fushën e historisë së Shqipërisë. Me kohë erdhi duke iu zvjerdhur puna administrative, aq më tepër në shtetin e ri stalinist, ku e kaluara e tij nuk kish ndërmend të harrohej dhe syri i udhëheqësit në një mënyrë a në një tjetër vijonte ta ndiqte. Mendjen e kish të largohej nga Banka dhe të gjente një detyrë që ta lidhte me studimet.

Dhe qe një koincidencë interesante, madje vendimtare për jetën e Kristos, kur ai do të ishte i pranishëm në një konferencë shkencore kushtuar përvjetorit të Skënderbeut (17 janar 1949) mbajtur nga prof. Aleks Buda, ku figura e heroit u trajtua në një dritë të re. Në fund të konferencës ai e takoi profesorin dhe pasi e uroi, i shfaqi një rezervë për një mendim të tij, por profesori sikur nuk e përfilli, sepse nuk reagoi, por pastaj e kapi për krahu dhe pyeti kush ishte e ç’punë bënte. Kur mori vesh punën që bënte i përmendi një poezi të Majakovskit që thumbonte llogaritarët si njerëz shumë të ftohtë për të shijuar letërsinë, ndërsa Kristua ia priti: “Jam gabimisht llogaritar”. Mjaftoi kjo njohje që profesori ta ftojë atë në zyrë dhe të bisedojnë.

Aty Kristua do t’i thoshte se nuk i pëlqente puna në bankë dhe se dëshira e tij ishte të merrej me studime në fushën e ekonomisë politike. “Kjo është gjë e bukur, – ia priti profesori. – Ekonomia është shtrati mbi të cilin ngrihet historia.” Dhe pas kësaj ai i propozoi temën studimore “Mbi rolin e fshatarësisë në historinë e Shqipërisë 1912-1939”, me një afat kohor prej tre muajsh për ta realizuar. Kristua, megjithëse nguroi në fillim, në fund e pranoi dhe pas pesë muajsh ia dorëzoi punimin profesorit. Ai e përgëzoi, por i bëri dhe vërejtje e sugjerime. Ishte kjo detyra e parë, pikënisja që do t’i jepte shanse për një drejtim tjetër të ardhmes së tij. Profesori nuk do ta harronte këtë studiues të ri premtues dhe në vitin 1951 e përfshin në grupin e historianëve për hartimin e “Historisë së Shqipërisë”. Ishte kjo një konsideratë dhe vlerësim që i bëhej historianit të ri, në një kohë kur ai vijonte të punonte në Bankë si shef i kreditit, por që nuk kish kryer akoma studimet e larta. Ndërkaq u hapën institutet e arta dhe ndërsa Kristua dëshironte të ndiqte studimet për histori në Institutin e Lartë Pedagogjik, drejtuesit e Bankës ia refuzuan dhe i kërkuan të regjistrohej në Fakultetin Ekonomik. Falë këmbënguljes së Kristos, ai u hyri studimeve për histori në Institutin Pedagogjik.

Projekti për hartimin e Historisë së Shqipërisë kishte hyrë në rrugë zyrtare, por emri i tij në listën e autorëve haste në pengesa. Vetëm falë këmbënguljes dhe interesimit të prof. Budës transferimi i Kristos nga Banka në Institutin e Shkencave mbetej i hapur. Por ndërsa koha kalonte, në fushën e shkencës shtroheshin detyra të reja. Kështu, nga lartë në vitin 1952, u dha orientimi i mbajtjes së një konference shkencore me temën: “Formimi i kombit shqiptar dhe fillimet e lëvizjes nacionale shqiptare”. Meqenëse konferenca do të zhvillohej në formë debati, u propozua që të paraqiteshin dy referate, nga të cilët njëri iu ngarkua S. Pollos dhe tjetri, me këmbënguljen e A. Budës, K. Frashërit. Por historiani i ri e refuzoi dhe, siç e shpjegon ai vet, druhej se mos mendimet e tij do të merreshin si teza jo marksiste. Atëherë u la që ai të diskutonte si gjithë të tjerët dhe kështu ndodhi. Kristua edhe kësaj radhe i shpëtoi ndonjë rreziku të mundshëm që i vinte nga e kaluara dhe nga fakti që ai vazhdonte të ishte nën vëzhgim. Por kjo nuk e pengoi që të paraqesë mendimet e tij të argumentuara e me nivel për çështje themelore të temës së konferencës. Ishte ky një hap i ri, por i matur që Kristua bënte në rrugën e studimeve historike dhe e afirmoi si një historian të talentuar e shumë premtues. Pas këtij suksesi, falë aftësive dhe meritave të veta, më në fund ai u emërua zyrtarisht historian pranë Institutit të Shkencave (1955), edhe pse akoma nuk i kish kryer studimet e larta. Por largimi nga Banka, nga dashuria e tij e parë profesionale, do të ishte për të e dhimbshme, aq sa në kujtimet e veta do ta quajë “tradhti shpirtërore”.

Megjithatë, në sektorin e historisë, drejtuar nga prof. Aleks Buda, shpejt ai do të gjejë veten dhe do t’u përkushtohet akoma më thellë studimeve duke pasur si shëmbëlltyrë e mbështetje shefin e sektorit, dashamirësin e përhershëm dhe njohësin e gjithë periudhave të historisë së Shqipërisë.

Tani Kristua nuk ishte më një historian amator, por profesionist ndaj dhe kërkesat ndaj vetes dhe interesat e projektet e tij do të zgjeroheshin e do të merrnin peshë akoma më të madhe. Për habinë e kolegëve, ai që në fillim të punës botoi në Buletinin shkencor studimin “Lufta çlirimtare e Vlorës 1920”. Ishte kjo një provë serioze e historianit të ri, që i nxiti drejtuesit t’i ngarkojnë një tjetër studim akoma më të vështirë, me temë jashtëzakonisht delikate, që kish të bënte me kryengritjen e fshatarësisë së Shqipërisë se mesme dhe udhëheqësit të saj Haxhi Qamilit. Në këtë kohë opinioni shqiptar kish mendime negative për figurën e tij, kurse nga ana tjetër Enver Hoxha i kish dalë në mbrojtje duke e cilësuar “një fshatar revolucionar”, pra si njeri të popullit e të partisë. Kuptohet se në ç’pozitë të vështirë do të vihej Kristua që kish mendime krejt të kundërta me udhëheqësin. Duke u konsultuar me drejtuesit e tij A. Buda dhe S. Pollo, ata i garantuan se do të ishin pranë tij dhe e këshilluan të tregonte kujdes me gjuhën dhe logjikën e argumentit, duke shtuar se studimi do të botohej kryesisht në Buletinin shkencor. Kristua provoi të guxonte, por për shkak të pozitës politike u detyrua të bënte disa lëshime dytësore, gjë që e shmangu përplasjen zyrtare. “Në fakt, kujton Kristua, ky ishte i vetmi rast që unë kam shkruar në kundërshtim me bindjet e mia.”

Historiani i ri ndërkaq kreu studimet e larta duke mbajtur temën e diplomës mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit. Në këtë kohë u krijua Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, ku ai u përfshi si një nga kuadrot e sprovuara në fushën e historisë politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Kjo i hapi rrugën për t’u përfshirë në projektplanin e grupit të punës si autor dhe redaktor për hartimin e historisë së Shqipërisë nga lashtësia deri në kohët e reja. Emri i tij do të renditej si bashkautori i dy vëllimeve të Historisë së Shqipërisë, të cilat u botuan dhe u mirëpritën nga opinioni shkencor, madje autorët e tyre u nderuan me Çmimin e Republikës të klasit të parë. Më në fund, ai mori dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Me këtë vlerësim u duk sikur kishin marrë fund telashet e historianit problematik, por në fakt nuk ndodhi kështu. U hap rishtazi debati mbi Haxhi Qamilin dhe lëvizjen fshatare dhe pozita e tij u trondit për shkak se kapitullin e kësaj ngjarjeje historike në tekstin e Historisë së Shqipërisë e kish hartuar ai.

Ndërsa kolegët përgjegjës të Historisë së Shqipërisë bënë autokritikë, Kristua për habinë e të gjithëve mbrojti pikëpamjet e tij, duke shprehur hapur se “nuk mund t’i vënë dyshim idetë e shokut Enver, por deri me sot nuk kam qenë i bindur për to… dhe do të rishoh pikëpamjet e mia në dritën e fjalimit të tij. Madje premtoj se do t’i analizoj mendimet e mia dhe do t’i përvetësoj pikëpamjet e drejta të Partisë.”

Megjithëse i dhanë kohë të reflektojë dhe u vu nën presionin e autoriteteve të partisë dhe drejtuesit e Institutit, ai refuzoi të ndryshojë mendim, sepse nuk donte t’i kundërvihej bindjeve të tij. Atëherë kolegët u detyruan të bëjnë korrigjime dhe teksti doli pa emër autori.

Pavarësisht nga ky qëndrim kurajoz i Kristos që kish rrezikuar pozitën e tij politike, me emrin e nderuar që kish krijuar si historian serioz, ai pranoi kërkesën për të hartuar “Historinë e Shqipërisë” për të huaj, duke marrë përsipër i vetëm këtë detyrë. Një punë kjo e jashtëzakonshme, plot sfida, të cilën ai, me përgatitjen e lartë profesionale dhe zellin e madh, arriti ta kryejë në një kohë rekord. Vepra pastaj u përkthye në anglisht, frëngjisht dhe rusisht dhe hyri në qarkullim shkencor jashtë vendit, për të cilën kishin aq nevojë. Por edhe ky sukses i merituar i autorit u pasua nga telashe burokratike të institucionit që e ngarkoi, duke refuzuar t’i japë honorarin e veprës. Letra ankimuese që autori i dërgoi kryeministrit M. Shehu, nuk bëri asnjë efekt, vetëm se zgjoi zemërimin e tij. Kështu Kristua, edhe pse kishte fituar gjyqin, nuk mori asnjë honorar e jo vetëm kaq, por pati pasoja në pozitën e tij. Ishte koha e revolucionarizimit të jetës së vendit, që nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez kish filluar qarkullimi i kuadrove në bazë, duke mos kursyer as studiuesit. Kështu, historiani Kristo Frashëri, në kulmin e punës studimore, u transferua në Përmet si mësues historie në gjimnaz. E ndërpreu gati dhunshëm punën shkencore, u shkëput nga familja, iu përgjysmua rroga, braktisi arkivat dhe bibliotekat e Tiranës dhe u vendos në qytetin e vogël buzë Vjosës duke iu nënshtruar një jete spartane. Sigurisht të pesë vitet që kaloi në provincë nuk qenë të lehtë. Përballoi probleme dhe vështirësi deri edhe intriga dhe diskriminime, por ai nuk u dha falë karakterit dhe personalitetit të tij. Do të kryente detyrat e mësimdhënies, por nga ana tjetër, drejtoi dhe hartoi historinë e Përmetit dhe kontribuoi për ngritjen e muzeut të qytetit. Ai do të mbetej dinjitoz, i nderuar dhe i çmuar nga opinioni për vlerat e tij. Por vitet e Përmetit do t’i kushtonin, po të kemi parasysh që qarkullimi do ta ulte nivelin e tij, nga një studiues e mësimdhënës universitar në një mësues gjimnazi, do ta shkëpusnin nga puna shkencore, do t’i krijonin probleme ekonomike aq sa do ta detyronin të shiste qindra vëllime me vlerë albanologjike nga biblioteka e tij, që do ta përjetonte, siç pohon në autobiografi: “më dukej sikur po nxirrja në treg pjesë nga trupi im ”.

Kjo jetë e detyruar do të zgjaste afro pesë vjet dhe pas kësaj shkëputjeje, atë e rikthyen në Tiranë, në një kohë kur po ngrihej Akademia e Shkencave. Në këtë institucion të lartë do të kishte vendin e tij dhe Kristo Frashëri në mes personaliteteve të shkencës shqiptare. Atë do ta prisnin detyra e angazhime të reja shkencore, për të cilat ai do të përkushtohej me aftësitë dhe seriozitetin që e karakterizonte. Aksioni më i madh shkencor në këtë kohë do të ishte përkujtimi jubilar i 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, për të cilën do të organizoheshin veç Konferencës kombëtare në Tiranë edhe konferenca në qytete kryesore të vendit, ku Kristua do të caktohej në redaksinë qendrore që do të drejtonte gjithë punën shkencore e organizative të festës kombëtare. Ndofta barrën më të rëndë të këtij aksioni do ta mbante Kristua që, veç detyrave organizative, do të hartonte dhe botonte dy monografi “Lidhja shqiptare e Prizrenit ’ dhe “Abdyl Frashëri”, pa harruar dhe dy albumet “Vëllezërit Frashëri” dhe “Lidhja shqiptare e Prizrenit”. Po gjatë dekadës së viteve 70 ai do të punonte si bashkautor i veprës në gjuhën frënge “Historia e Shqipërisë nga origjina deri në ditët tona”.

Veprimtaria e historianit tonë të palodhur nuk kish të mbaruar. Pas 100 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ai u ngarkua të kontribuonte në ngritjen në Krujë të Muzeut kombëtar kushtuar Skënderbeut. Me pasion e kompetencë shkencore, ai u mor me detyrën e pajisjes së brendshme me objekte muzeale dhe fizionominë historike të sallave dhe ambienteve të Muzeut, S’ka dyshim se në detyrën komplekse e të vështirë të jetësimit të këtij institucioni përfshihet dhe puna e kualifikuar e historianit Kristo Frashëri. Krahas kësaj detyre që zgjati për dy vjet (1980- 1982) dhe u krye me sukses të plotë, Kristua do të vijonte veprimtarinë e tij shkencore si bashkautor i “Historisë së Shqipërisë” (1984) dhe autor i studimeve vetjake me vlerë.

Puna e tij si historian i epokës socialiste do të mbyllej në dhjetorin e vitit 1990, që koincidonte rastësisht me 800 vjetorin e themelimit të Shtetit të Arbrit, ku në simpoziumin e mbajtur me këtë rast, ai do të paraqitej me kumtesën “Rrethanat historike të formimit të shtetit të parë shqiptar mesjetar.”

Por nuk ishte koincidenca e përvjetorit të kësaj ngjarjeje historike ajo që ngriti një kufi të ri në jetën dhe veprimtarinë shkencore të Kristo Frashërit. Ishte shpërthimi i lëvizjes së studentëve, mitingjet e tyre nën parullat liri demokraci që i ngjallën shpresa historianit dhe e bënë të përjetonte me optimizëm gjithë ç’po ndodhte. Para syve të tij, siç kujton ai, po shkruhej historia e Shqipërisë, kapitulli i demokracisë, po fillonte epoka e mendimit dhe fjalës së lirë, për të cilën ai jo vetëm kish ëndërruar, por kish kontribuar e sakrifikuar për dekada të tëra. Më në

fund ishte rrëzuar shteti totalitar dhe po vendosej pluralizmi partiak. Po historiani patriot e demokrat nuk aderoi në asnjë parti. Vendi i tij tani ishte në frontin e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të njeriut. Ndaj së bashku me mikun e tij, prof. A. Puton krijojnë “Forumin e të drejtave të njeriut”, një institucion demokratik jo politik, por humanitar, jo opozitar, por në rolin e oponencës shoqërore. Në fillim nënkryetar e më vonë kryetar i Komitetit shqiptar të Helsinkit, ai për afro një dekadë do t’i përkushtohet i tëri kauzës së të drejtave të njeriut, duke filluar nga lirimi i të burgosurve politikë, mbrojtja e të drejtave qytetare, liria e mendimit dhe e shtypit, interesimi për fatin e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, lufta kundër dhunës etj.

Veprimtaria e tij humanitare tani do të shtrihej jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë Shqipërisë. Ai dhe kolegët e tij do të ktheheshin në misionarë të lirisë, të të drejtave njerëzore dhe kombëtare. Udhëtimet e shpeshta nëpër botë, duke filluar nga Kosova e vendet fqinjë, nëpër Europë e deri në SHBA, do të kishin të bënin me takime pune me zyrtarë e diplomatë të huaj, me konferenca dhe bisedime, me kontakte me emigracionin shqiptar. Kristo Frashëri gjithnjë i palodhur e i përkushtuar, në lëvizje sa asnjëherë, do të ishte në lartësinë e detyrave si historian dhe emisar i lirisë e paqes njerëzore në mbrojtje të së drejtës dhe parimeve demokratike.

Pas disa vitesh i angazhuar i tëri në veprimtarinë humanitare, Kristo Frashëri do t’i kthehej më në fund punës shkencore, madje si nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë post të lartë, ai dha kontribute të vyera, sidomos për zgjidhjen dhe interpretimin e një vargu problemesh që kishin të bënin me çështjen kombëtare. Artikujt, polemikat, Çala e tij në konferencat ballkanike, bisedimet e kontaktet me personalitete të huaja homologe etj janë disa nga foshat kryesore të punës së tij që i përballonte me përgatitje shkencore dhe kurajë nga pozita patriotike e demokratike.

Megjithëse koha kalonte, detyrat dhe angazhimet e Kristos nuk kishin të mbaruar. Koha e pensionit kish kaluar e mbikaluar. Ai tani ishte në prag të tetëdhjetave dhe s’kish zgjidhje tjetër veç të dilte në pension. Dhe ajo ditë erdhi jo për t’u qetësuar si gjithë të tjerët, por për të vijuar punën shkencore në kushte të tjera, duke qenë i lirë dhe i shkëputur nga zyra. Filloi kështu një periudhë tjetër pune, zgjimi i energjive intelektuale si asnjëherë tjetër. Vitet dhe gjithë ajo veprimtari shkencore shumëvjeçare e kishin mpakur e plakur fizikisht, por shpirtërisht e mendërisht kurrsesi, përkundrazi. Rinisi nga puna sikur të ishte në fillim të rrugës, ngarkuar me projekte, rrethuar me dokumente dhe skedarë të pafund, gjithë energji dhe optimizëm duke sfiduar moshën dhe haraçet e veprave të kaluara. U “burgos” në studion e tij, u shndërrua në një martir të punës, gjithnjë i paepur e besimplotë, megjithëse dalëngadalë po i mpakej shikimi e dëgjimi, po i ngathtësohej dora, po kurrsesi truri, mendja, logjika dhe kujtesa, nervi i jetës aktive. Tani që po afrohen gati dy dekada nga rinisja, bilanci i punës së tij shkencore është thuajse i pabesueshëm. Në këto vite profesor Frashëri ndërmori një varg studimesh historike, ekonomike, kulturore, ku përfshihen monografi e biografi, vështrime dhe shqyrtime historike-politike, kumtesa dhe artikuj problemorë, hartoi vetë ose me bashkautorë “Histori të Shqipërisë”, histori të qyteteve dhe fshatrave, histori të lëvizjeve politike, zhvilloi polemika dhe dha intervista të panumërta, botoi broshura të ndryshme dhe hartoi albume të rinj, përgatiti vëllime burimesh historike me dokumente, tekste shkollash etj. Bibliografia e veprimtarisë së tij shkencore përfshin 360 zëra studimesh, nga të cilat mbi 30 libra.

Kështu mund të përmendim veprat e tij më përfaqësuese shkencore të periudhës postkomuniste si “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405-1468) (2002), “Historia dhe përkatësia etnike e himaqotëve” (2004), “Historia e Tiranës” (2005), “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH” (2006), “Historia e qytetërimit shqiptar” (2008), “Historia antike e Kosovës, Dardania” (2008), “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve” (2011), “Historia e Dibrës” (2012), “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (2012), “Abdyl Frashëri” (2013), “Etnogjeneza e shqiptarëve” (2013), “Sulejman Naibi dhe letërsia shqipe e shek. XVIII” (2013), “Ahmet Zogu, vështrim historik” (2014), “Fillimet e krishterimit në viset shqiptare” (2000), “Historia e Përmetit”, “Frashëri, shkëlqimi dhe rrënimi i tij” (2010), “Mbi historinë e Ballit Kombëtar” (2012), “Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera” (2006) etj.

Në bilancin e veprimtarisë shkencore të prof. Frashërit të kësaj periudhe përfshihen dhe një varg polemikash për probleme të historisë shqiptare dhe më gjerë,që nuk po i përmendim. Por ajo çka është shumë e rëndësishme të nënvizojmë në punën e madhe që ka zhvilluar ai është rrokja e tërë periudhave të hershme, nga lashtësia, Koha e Skënderbeut, Mesjeta, Rilindja, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Vlorës, Kryengritja e Qershorit 1924, Regjimi i Zogut, Okupacioni fashist, Lufta antifashiste, Koha e socializmit e deri te Tranzicioni demokratik.

Për tërë këto periudha dhe ngjarje historike, prof. Frashëri ka sjellë mendime dhe vështrime origjinale, ka bërë zbulime të reja dhe interpretime të thella shkencore. Pjesëmarrja dhe aktivizimi në lëvizjen revolucionare të kohës, kontaktet që herët me filozofinë marksiste, por dhe me shkollat e tjera filozofike, njohja me shkencat sociologjike dhe me teorinë e politikës, leximi i disa prej kryeveprave të letërsisë botërore,i dhanë atij një formim serioz e të gjithanshëm kulturor e mbi të gjitha përftuan te ai një botëkuptim shkencor, të frymëzuar nga materializmi dialektik dhe historik, të cilit i qëndroi besnik gjithë jetën. Filozofia marksiste nuk do të ishte për të një qëllim në vetvete, por një udhëheqje për veprim, për të zbuluar e interpretuar fenomenet social-politike. Një platformë e frymëzim të tillë e gjejmë dhe në përshkrimin e jetës së tij. I mbështetur në kujtesën e tij të fortë, nga buron një pasuri e pafund kujtimesh, por dhe duke shfrytëzuar një varg dokumentesh autentike, të gërshetuara e të plotësuara me njëra-tjetrën, sjellin para lexuesit jetëshkrimin e një personaliteti, ku bashkëveprojnë rrëfimtari me historianin, gjë që i jep veprës vërtetësi të dokumentuar e bindëse, si dhe larmi emocionale.

Gjithë struktura e tij është ngritur mbi etapat kryesore të jetës, duke evokuar ngjarje të rëndësishme, pa rënë në vogëlsira dhe në subjektivizëm, por dhënA në një kontekst social e historik, me detaje domethënëse, populluar me personazhe të vërtetë, të cilët i portretizon dhe karakterizon objektivisht, i përmbahet një logjike bindëse e të arsyeshme, jep mendime dhe gjykime përgjithësisht të ekuilibruara, por zhvillon dhe debate dhe evokon pozicione të kundërta. Është i përmbajtur në emocione dhe i shmanget shfrimeve vetjake, siç nuk joshet nga fantazia letrare dhe retorika.

Pavarësisht nga jeta e gjatë dhe veprimtaria studimore shumëplanëshe, të marra këto në kontekstin social-historik të kohës, të ngarkuara me ngjarje e konflikte të mëdha, me situata tepër të vështira e me rreziqe nga më të ndryshmet, nuk mund të mos konstatohet, siç del nga libri i tij, se Kristo Frashëri, paraqitet një personalitet unik, njeri me karakter dhe konseguent, parimor dhe besnik i së vërtetës, i patrembur dhe i vendosur përballë situatave komplekse e konflikteve që zgjonin kufizimet e kohës. Ndonëse gjatë luftës, por edhe pas çlirimit përjeton dramën e heshtjes, ai nuk bie kurrë në konformizëm e aq më tepër në servilizëm, po ngaherë dinjitoz, duke gjetur veten dhe kuptimin e jetës në punë. Puna dhe vetëm puna do të mbetej diviza e njeriut, e qytetarit, e historianit Kristo Frashëri. Nën këtë divizë evokohet dhe përshkruhet jeta e tij në libër. Procesi i punës i Kristo Frashërit paraqitet me një gamë të gjerë, që nga rrokja e temave kyçe, në shpirtin e tij kërkues, si një gjurmues i palodhur, i mirinformuar dhe me horizont të gjerë, sistematik e metodist, kritik e i rreptë, i saktë deri në hollësi e mbi të gjitha më ndërgjegje të lartë shkencore. Një punë e tillë është kryer suksesshëm brenda jetës së tij që ka ecur në vijën e progresit, në krah të lirisë e të së drejtës, i udhëhequr nga e vërteta dhe për të vërtetën.

Kristo Frashëri është një zë origjinal në historiografinë shqiptare. Jeta e tij shkencore shpërfaqet qartë dhe bindshëm në librin e tij: ai është talent i fuqishëm në fushën e vet, tepër produktiv e i shumëllojshëm, i prirë nga shtigje të reja, shoqëruar me kurajë e argumente, me një bagazh jashtëzakonisht të pasur, serioz dhe kurajoz. Veçanërisht në evokimin e jetës së tij është treguar i sinqertë dhe realist, çuditërisht pa kurrfarë nostalgjie e romantike. Mënyra e rrëfimit duket e thjeshtë, por mban peshën e së vërtetës, të argumentit dhe të informacionit të nevojshëm. Gjuha e të treguarit është e saktë dhe transparente, komunikatave dhe e rrjedhshme, gjë që e bën veprën tepër tërheqëse. Në këtë rast më vijnë ndërmend fjalët e shkrimtarit dhe burrështetit anglez Benjamin Disraeli “Mos lexoni histori, por jetëshkrime, sepse kjo është jeta pa histori.” E tillë është dhe vepra e Kristo Frashërit “Jeta e një historiani”, ku autori, ndonëse është historian i dorës së parë, nuk vihet në këtë rol kur tregon për jetën e tij, edhe pse ajo është e gërshetuar dhe e pleksur me ngjarje historike.

Edhe sipas biografit të famshëm Emil Ludvig, “në përshkrimin e jetës së tij ka rëndësi qëndrimi i autorit, sa ai është në gjendje të zbulojë vetveten”. Kristo Frashëri e ka arritur këtë në librin e vet: të zbulojë dimensionet shpirtërore, raportet e veta njerëzore me realitetin e kohës, karakterin dhe botën e tij të brendshme, por të gjitha këto me sens mase, në përputhje e harmoni me natyrën e tij. Nuk gjen kurrfarë iluzionesh mitike, pra nuk i ngre mite vetes, që NoH i quan kuçedra më shtatë kokë, përkundrazi është modest dhe e njeh veten realisht ashtu siç është. Ndonëse ..me kujtimeve është politika, ai nuk lë në hije jetën personale, por prapë tregohet i kursyer, deri dhe dhimbja për vëllain dëshmor jepet e përmbajtur, apo shmang ankesat dhe pakënaqësitë për padrejtësitë që i janë bërë, ndjehet qëndrimi burrëror dhe besimi në vetvete dhe në bindjet e tij. Dramën që përjetoj kryesisht gjatë luftës dhe në vitet e para të çlirimit e kalon me urtësi, heshtje dhe vetëpërmbajtje të admirueshme, por mbi të gjitha me korrektësi e përkushtim në kryerjen e detyrave gjatë luftës dhe me punë të pareshtur e produktive pas çlirimit. I tillë paraqitet diagrami i jetës së gjatë e të pasur të qytetarit, luftëtarit, intelektualit dhe historianit Kristo Frashëri.
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back