Krerët e policisë greke, shqiptare e maqedonase bëhen bashkë, mediat greke: Ja çfarë u diskutua
Një takim mes krerëve të lartë të policisë të tre shteteve, respektivisht Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është zhvilluar këtë fundjavë. Mediat greke, zbulojnë detaje nga takimi në fjalë.
Sipas tyre, fokus i takimit ishte bashkëpunimi i frytshëm policor mes tre vendeve, si dhe është përsëritur ideja e përforcimit të marrëdhënieve mes palëve. Takimi mes krerëve policorë është bërë në Janinë dhe Korçë. Nga radhët e policisë greke, pjesëmarrës kanë qenë Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Janinës, Vassilios Mouselimis dhe Drejtori i Policisë së Thesprotisë, Ioannis Papas.
Nga pala e Policisë shqiptare, morën pjesë Drejtori i Policisë Rajonale Kufitare në Gjirokastër, Arben Joca dhe Drejtori i Kufirit të Rajonit në Vlorë, Luigj Vathi. Gjatë takimeve, u konfirmua bashkëpunimi shumë i mirë midis policisë së të dy vendeve, si dhe u vu në dukje nevoja për forcim të mëtejshëm dhe marrëdhënia konstruktive që është zhvilluar në vitet e fundit, për të mirën e sigurisë dhe stabilitetit në kufijtë e dy vende.
Takimet dhe kontaktet midis zyrtarëve policorë të të dy vendeve do të vazhdojnë, në kontekstin e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e bashkëpunimit policor për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, përfundojnë mediat helene.
(BalkanWeb)