Katër leksione për jetën nga filozofi i lashtë grek, Epikuri
Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, janë treshja e artë e filozofisë antike, dhe kjo për arsye të forta. Të tre ata luajtën një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e ideve perëndimore. Por, shpesh këta njerëz të mëdhenj, mund të lënë në hije individë të tjerë të shkëlqyer.
Epikuri jetoi në vitet 341-270 Para Krishtit, dhe shkroi më shumë se 300 vepra gjatë jetës së tij. Megjithëse shumica e tyre kanë humbur, ajo që mbetet prej filozofisë së Epikurit, është e mbushur me njohuri të përjetshme.
Mençuria çon në kënaqësi
Epikuri thekson rëndësinë e kënaqësisë, por jo kënaqësinë siç e njohim sot:“Me kënaqësi nënkuptojmë mungesën e dhimbjes në trup dhe të brengave shpirtërore. Ajo nuk vjen si pasojë e pijeve dhe argëtimit të pafund… është një arsyetim i matur … duke i larguar ato mendime negative, përmes të cilave shqetësimet e mëdha e zotërojnë shpirtin tonë.”- Letër drejtuar Menoeceut, nga Epikuri.
Me fjalë të tjera, mençuria është çelësi i një jete të mirë. Ajo na ndalon që ne thjesht të shpresojmë tek fati i mirë, dhe na jep fuqinë për të drejtuar jetën tonë duke përdorur arsyen. Dhe të qenit i vetëdijshëm se e kemi një fuqi të tillë, çon gjithashtu në një ekzistencë më paqësore, pasi stresi vjen kur ne ndiejmë se nuk kemi më kontroll mbi jetët tona.
Për më tepër, Epikuri argumenton se nuk është kurrë vonë për të përqafuar mençurinë. Pavarësisht nga mosha apo gjërat që mund të kemi bërë apo nuk kemi bërë gjatë gjithë jetës sonë, nuk është kurrë vonë për të qenë të mençur.
Frika nga vdekja është një marrëzi
Frika nga vdekja është e zakonshme – dhe nuk është për t’u habitur. Ideja që jetët tona do të ndalen një ditë, nuk është një mendim i këndshëm. Por Epikuri nuk ka shumë simpati për ata që jetojnë me këtë frikë:
“Budalla është personi që thotë se i trembet vdekjes, jo sepse ajo do të dhembë kur të vijë, por sepse dhemb në perspektivë.” – letër drejtuar Menoeceut, nga Epikuri.
Këtu, filozofi i madh argumenton se dhimbja ndaj vdekjes vjen nga shqetësimi, jo nga vetë ngjarja në vetvete. Ai nuk ishte aspak i shqetësuar për idenë e vdekjes. Lumturia, sipas Epikurit, është e vështirë për ata që fiksohen vetëm tek vdekja e tyre.
Në vend të kësaj, individi i mençur fokusohet tek gjërat mbi të cilat ai ka kontroll:“Është e mundur të kihet siguri ndaj gjërave të tjera, por për sa i përket vdekjes, të gjithë ne njerëzit jetojmë në një qytet pa mure.” – letër drejtuar Menoeceut, nga Epikuri.
Fama dhe pasuria, nuk çojnë drejt përmbushjes
Të jetosh në shekullin XXI, është në të njëjtën kohë edhe një bekim edhe një mallkim. Ndërsa shumë prej nesh përfitojnë nga jetëgjatësia e madhe dhe një ekzistencë (relativisht) paqësore, ne tundohemi vazhdimisht nga tërheqja drejt famës dhe pasurisë.
Megjithatë, asnjëra nga këto dëshira sipërfaqësore, nuk ka aftësinë të na bëjë vërtet të lumtur. Në të vërtetë, imazhi i njeriut të lumtur tek të qenit i famshëm dhe i pasur, është pothuajse një klishe. Epikuri e njohu edhe këtë, duke argumentuar se fama dhe pasuria nuk e ushqejnë shpirtin:
“Shpirti as nuk i shpëton shqetësimit, dhe as nuk fiton gëzime të vlefshme përmes zotërimit të pasurisë së madhe, as nga nderimi apo admirimi që të dhuron turma, apo përmes ndonjë prej gjërave të tjera të kërkuara nga dëshira e pakufizuar.”- Thënie të Epikuriy.
Problemi tjetër me tërheqjen materiale, është se ajo na pengon të vlerësojmë atë që tashmë kemi. Në vend që të kërkojmë më shumë, Epikuri na inkurajon të shohim përreth dhe të jemi mirënjohës për gjërat që tashmë kemi.
Miqësia është jetike
Ndërsa Epikuri është një avokat i vetë-mjaftueshmërisë, ai gjithashtu e pranon gjallërinë që vjen nga miqësia:“Nga të gjitha përfitimet që vijnë nga mençuria për të pasur lumturi gjatë gjithë jetës, më e rëndësishmja është pasja e miqve.” – Doktrinat Kryesore, Epikuri.
Përtej kënaqësive të dukshme të bisedës dhe punës me miqtë e ngushtë, Epikuri argumenton se miqtë na bëjnë të ndihemi më të sigurt. Me fjalë të tjera, kur gjendemi në situata të vështira, kemi dikë të cilit i drejtohemi.
Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm me ata që krijojmë miqësi – individët egoistë vështirë se do të na gjenden pranë në momentet tona të vështira. Prandaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm me ata që lejojmë të hyjnë në jetët tona. Ata që nxitojnë të krijojnë miqësi, rrallë gjejnë shoqëri të mirëfilltë.
Është për të ardhur keq, që kaq shumë ide të Epikurit kanë humbur. Ajo që ka mbetur nga puna e tij, nuk do të pushojë kurrë së qeni e vlefshme. Shumë prej nesh shqetësohen për vdekjen dhe grumbullimin e pasurisë materiale. Nëse do të kalonim më shumë kohë duke u përqendruar në mençurinë individuale dhe miqësitë e ngushta, jetët tona do të ishin shumë më të kënaqshme.
/ Medium – Bota.al