Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

“Kam një kryq të gazetarisë, një gisht në mendje dhe një në zemër”

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
Nga Entela Resuli

Në arkivin tim kam edhe unë një intervistë me Fatos Baxhakun. Është një bisedë nga ato të gjatat, të zhvilluara me një gotë përpara, ku koha nuk ndihet. Ta ofronte këtë ndjesi profesor Baxhaku edhe kur nuk e njihje nga afër (për mua ishte hera e parë që e takoja) e bënte bisedën e shtruar dhe plot rrëfime.

Kemi folur për politikën, për martesën, për familjen, për fshatin, e deri për pasionin për të koleksionuar gurë dhe shkopinj barinjsh, të cilat i mblidhte në zonat ku udhëtonte.

Për profesor Baxhakun në këto orë kanë folur shumë kolegë të cilët e kanë njohur më nga afër, ndërsa unë po ju përcjell edhe njëherë bisedën e gjatë në një kafene modeste në rrugën e Durrësit që e zhvilluam gjashtë vite më parë…


Fatos Baxhaku nuk është nga ata gazetarë që pëlqen të japë mend. Edhe nëse e shqetëson diçka, mendimin e tij ta japë në qoshkun e një gazete. I tillë është edhe zhanri që ka zgjedhur të lëvrojë. Ka pëlqyer gjithmonë të shkruajë reportazhin, një mundësi për të marrë frymë lirisht, jashtë uniformës së gazetarit të bindur që gjen rëndon në redaksitë e sotme. Edhe në jetën e përditshme kështu është gazetari Baxhaku. Është aq miqësor me njerëzit e thjeshtë, sa nuk është e vështirë ta konstatosh një gjë të tillë. Gazetarin e njohur gjejmë jo në qoshkun e tij tradicional. E takojmë në një kënd pranë shtëpisë ku banon, në Rrugën e Durrësit. Është liria që ka dëshiruar. Prej vitesh Baxhaku ka hequr dorë nga drejtimi i redaksive. Thotë se drejtimi i punës në stafe nuk bën për modelin e tij. Shumë oferta ka refuzuar, sa pranon që ka disa kohë, që edhe vetë botuesit kanë reshtur së rënit telefonit të tij.

-Z Baxhaku, si i sheh politika banorët e fshatit?

Politika këta njerëz i shikon si votë, nuk i sheh si qenie njerëzore. Se në vetvete politika është një sferë e mbyllur, brenda një sfere të madhe që quhet shoqëri. Shumë prej tyre, politikanët për të justifikuar atë demagogjinë, thonë që politika ka rregullat e veta, mos na gjykoni. Për shembull, në shoqëri ti nuk mund ta tradhtosh shokun, në politikë po. Duke qenë se ka rregulla të tjera morale, të të sjellurit, të qëndrimit, të të folurit, të cilat vetë politikanët i përzgjedhin, natyrisht krijohet një hendek i madh. Hendek të cilin ata mundohen ta kalojnë në fushata zgjedhore. Shkojnë nëpër shkolla, përkëdhelin kolopuçët, çojnë edhe ndonjë thes me miell apo fasule. Kështu që, unë nuk kam ndonjë këshillë për t’i dhënë politikës. Por unë di atë që mendojnë njerëzit poshtë. Dhe ajo çka mendojnë njerëzit poshtë, është një lloj zhgënjimi prej të gjitha palëve. Këtu duhet t’i vërë gishtin kokës politika, sepse nëse dalin jashtë loje të gjitha krahët, atëherë humbet përseja e ekzistencës. Ajo që unë kam parë, me përjashtim të militantëve, të interesaxhinjve të vegjël, ndonjëri që do të bëhet polic..po e përgjithshmja është një lloj zhgënjimi.

-Manipulohen njerëzit nga politika?

Kjo varet nga niveli kulturor. Ne e kemi trashëguar që nga perandoria osmane, të priturit nga lart. Dikur e kishte Beu, pastaj erdhi Partia e Punës, tani politika. Kemi një lloj tradite lindore të mospjesëmarrjes aktive qytetare. Të mos pasurit një ide tënden të pandikuar. Kemi qejf disi të gënjejmë. Na vjen mirë të gënjejmë dhe të flemë gjumë rehat.

-Z. Baxhaku folëm për politikën dhe njerëzit. Po për nacionalizmin, çfarë mendimi keni?

Dikush ka thënë që: “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Ballkani ngatërron patriotizmin me nacionalizmin. Aq më tepër të spekulosh me simbole kombëtare, por të spekulosh aq shumë sa t’u vij njerëzve në majë të hundës. Atëherë kjo është thjesht një lojë politike për të marrë votat e të zhgënjyerve, votat e të varfërve dhe të asaj pjese që mendon se e keqja vjen gjithmonë nga jashtë. Unë kam frikë se këtë herë nacionalizmi do të marrë disa vota, por ky është një rrezik shumë i madh.

-Çfarë i duhet opozitës për të marrë pushtetin?

Opozitës i duhet të bindë popullin, por jo me premtime demagogjike. Jo duke u nisur nga ideja që të themi se ky popull e ha. Opozitës i duhet të bëjë një politikë me këmbë në tokë. Nga të dyja krahët ka premtime të cilat e konsiderojnë popullin si një fëmijë të metë. Nëse do të ishin të dy krahët me premtime reale, atëherë do të ishte ideale. Por në këto kushte, duhet të zgjedhim gënjeshtarin më të mirë.

-Pak ditë më parë, gjykatë shpalli vendimin e 21 janarit i cili mbeti pa fajtor. Si e pritët këtë lajm?

Mua mu duk e çuditshme. M’u duk e çuditshme për aq sa e njohim ne këtë ngjarje dhe për ato që kemi parë në ekran është evidente që kemi katër të vrarë nga forcat qeveritare. Se nga kush, qysh tek, hajde ta gjejmë, por janë katër të vrarë nga armët e shtetit dhe për këtë nuk ka dyshim. Kështu që edhe nëse nuk janë njerëzit konkretë, komandanti apo gardisti, drejtësia duhet të gjejë kush ishin. Këtu kthehemi te zhgënjimi nga drejtësia. Ndonjëherë merremi seriozisht me dikë që ka vjedhur një makinë se sa me këto krime shtetërore. Krime me pasoja të pariparueshme.

***

“Gazetari i mirë është ai që barazohet me fshatarin në rrugë”

Mëngjesi i gazetarit Baxhaku është ai i një ushtari. Puna herët e ka kurdisur që të zgjohet me të dalë dielli. Është një ves që i vjen nga lëvizja e shpeshtë në zona të largëta, që lidhen me punën e tij me reportazhet. Në këtë pjesë të dytë të intervistës, gazetari flet për punën në gazetari dhe problemet që po kalon sot media në Shqipëri.

-Z. Baxhaku, ju zgjoheni herët në mëngjes?

Që nga koha kur bëja udhëtimet jam kthyer në një ushtarak të vërtetë. Sado vonë që të bie në gjumë, në orën 6.00 dua apo jo më del gjumi vetë. Pastaj dal apo jo nga shtëpia është zgjedhja ime. Por kam një zgjim si puna e gjelit. Është krijuar si refleks i shërbimeve që bënim dikur.

-Po nga shtëpia kur dilni?

Varet. Mua po më ndodh diçka që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë po më pëlqen shtëpia. Kam një kënd timin atje me një bibliotekë dhe kompjuter, kështu që kur nuk jam i detyruar të dal, nuk dal. Më pëlqen të rri dhe të sajoj ndonjë punë që nuk ma kërkon njeri.

-Çfarë ju shqetëson në këtë qytet?

Zhurma dhe mungesa e respektit për këmbësorët. Unë jam këmbësor i përhershëm. Nuk kam makinë. Nuk e mbaj sepse nuk përqendrohem dot në timon dhe kam frikë mos i bëjë dëm vetes dhe të tjerëve.

-Ju njohim si kryeredaktor. Pse u shkëputët nga gazeta si drejtues?

Po, është e vërtetë. E kam bërë disa herë kryeredaktorin, por në të gjitha rastet nuk kam qenë unë nismëtari. Më shumë më ka pëlqyer të jem pak më i lirë sesa liria që të kushtëzon një orar, një zyrë e mbyllur. Nga ana tjetër nuk kam shumë qejf të jap urdhra. Të japësh urdhra më duket e shëmtuar.

-Filluat menjëherë punë si kryeredaktor?

Po, po. Kryeredaktor i tri vetëve. Nuk kishte kuptim, por duhej shënuar emri.

-Si ecët në ato fillime të punës?

Më pas, gazetaria eci, falë edhe shumë të rinjve dhe shkollës së gazetarisë. Shumë të rinj erdhën nga rrethet me shumë pasion, të cilët më thënë të drejtën kanë punuar më shumë sakrificë dhe më shumë nga ne që kishim një pjatë gjellë në darkë, një shtrat dhe një dush. Ata që erdhën vërtetë kanë qenë heronj të asaj kohe.

-Me kalimin e kohës, si ndryshoi gazetaria. Gjithmonë e më shumë thuhet se nuk është ajo gazetaria që duhej të ishte?

Media ka qenë në pararojë të zhvillimit. Media dhe industria e ndërtimit kanë bërë bumin e Shqipërisë në këto 20 vite. Media, sigurisht falë zhvillimit të teknologjisë dhe pasioneve të personazheve të caktuara ka ecur. Megjithatë media sado pararojë të jetë, është përsëri produkt i këtij vendi. Nuk mund të pretendojmë të kemi një media si në Amerikë dhe një vend si në Afganistan. Kështu që ne të gjithë jemi produkt i të mirave dhe të këqijave të këtij vendi. Kështu është edhe media. Dikur kam thënë që është si një lloj adoleshenti i mirë, por prapë adoleshent mbetet, që shpesh herë është kokëkrisur dhe bën veprime të pashpjegueshme. Tani ka ardhur radha ta tërheq këtë. Mosha e adoleshencës ka kaluar. Dua të them që është një media në zhvillim dhe do të jetë shumë më e mirë nëse çlirohet nga vargonjtë politiko-financiar të qarqeve të caktuara. E dini çfarë!? Media tek ne ka një problem shumë të madh. Nuk ka lindur si biznes për të fituar. Sa i vërtetë lajmi aq më shumë shitet. Tek ne ka ndodhur e kundërta. Kanë lindur më parë bizneset dhe më pas media është krijuar për të mbrojtur bizneset. Kjo hije, nuk po i ndahet, nuk po i ndahet e nuk po i ndahet..

-Në syrin tuaj si është media sot?

Kaotike. Po dëgjoj për koleg që pushohen befas nga puna, sot për nesër, kjo është gjë shumë e rëndë. Për fat të keq ne kemi edhe disa shoqata gazetarësh të cilat nuk ndihen për të mbrojtur interesat e gazetarëve. Nuk kemi sindikata të gazetarëve që të mbrojnë të punësuarit. Kemi akoma kolegë që punojnë pa kontratë, në të zezë, ndërkohë që media duhet vetë ta demaskojë këtë gjë. Gazetari që duhet ta demaskojë është vetë në të zezë.

– Që nga momenti kur jeni shkëputur, ju kanë kërkuar sërish të bëni kryeredaktorin?

Kanë tre vite që nuk më ka thënë njeri. Tashmë e dinë që nuk jam më i prirë për këtë gjë.

-Ju ndiheni mirë në këtë pozicion. Të qenit një gazetar i lirë?

Ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ka të mirën që të jep një lloj lirie. Nuk ke orare, nuk ke këto mbledhjet e redaksive që ndonjëherë bëhen monotone e kështu me radhë. Nga ana tjetër duhet të bësh disa sakrifica sepse është një zgjedhje, çdo gjë paguhet.

-Kur ishit kryeredaktor, cilat ishin parimet tuaja të cilat ia kërkonit edhe gazetarëve tuaj?

Ata ma kujtojnë me të qeshur tani, pasi asnjë nuk e zbaton më. Kam pasur një lloj kryqi të gazetarisë që ishte, një gisht në mendje dhe një gisht në zemër. Kjo do të thotë që duhet edhe zemër edhe mendje. Mendje ta gjesh lajmin dhe zemër ta thuash. Kjo është. Megjithëse nuk është ndonjë zanat i ndërlikuar si Fizika për shembull që duhet të mësosh formulën, por ka një formulë tjetër që duhet të jesh sa më i barabartë me ata që ke përballë. I barabartë me publikun, me njerëzit që interviston, se ne ndonjëherë e teprojmë me këtë pushtetin X. Në rregull ne jemi pushteti, po jemi në një nivel tjetër, jo në nivelin e punonjësit që punon. Në atë nivel duhet të jemi po aq të barabartë sa ai fshatari që takojmë rrugës.

-Z. Baxhaku të bën gazetaria të pasur?

Disa po, relativisht të pasur, të paktën deri me një shtëpi në Durrës. Kjo punë nuk duhet të mendohet si një profesion që të bën të pasur. Po ashtu nuk mund të them që të lë të varfër. Për mua gazetari është një figurë e shtresës së mesme, apo pjesa më e ulët e shtresës së mesme, që do të thotë diku te mësuesi i fillores. Sepse gazetaria është më shumë mënyrë jetese. Nuk është profesion gazetaria, nuk është si mjeku, vendos tani të studiosh dhe bëhesh. Gazetar është mënyra se si vishesh, si ha, se si jeton.. Personalisht nuk jam penduar që kam zgjedhur këtë rrugë. Më ka dhënë shumë kënaqësi.

-Takoni gazetar sot?

Gjithnjë më pak.

-Z. Baxhaku, më mirë kështu, i lirë?

Punohet. Nuk e ndjej veten mirë në zyrë. Duhet të jesh i egër, i vrazhdë. Unë kam qejf të qesh. Mua më vinte letra e gjobave e grisja. Gazetari 300 mijë lekë rrogë merrte. Ti vendosje dhe gjobë? E pakuptueshme.

-Çfarë këshille do i jepnit një gazetari?

Të vras mendjen. Mos ta zërë gjumi pa gjetur dy tema që nuk i ka njeri për nesër, nëse do. Shikoni! Unë jam shumë shok me Armand Shkullakun. Në një periudhë, kur ai ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” dhe unë i “Gazeta Shqiptare”, rrinim, thuajse gjithë ditën, në kohën e lirë bashkë dhe nuk flisnim asnjë fjalë për punën: Sa e bukur koha sot… (qesh). Ishim shokë, por kur binte telefoni largoheshim. Sa mbaronim gazetën, në 12.00 të natës, takoheshim përsëri dhe pyesnim njëri-tjetrin: Me çfarë e hape ti?. Një herë, ja futa kot unë. Ishte koha e Zani Çaushit. Më thotë: Me ça e hape? “Si me ça e hape,- i them,- qenke i mbaruar ti. Është kapur Zani”. “U çua i shkret të shkonte të ndryshonte gazetën. E mora në telefon i thash: “Hajde, hajde, se bëra shaka.” Pas një jave: “Me ça e hape,- më thotë mua. “Hiç,- i them, -me një titull partie. Po ti? “Me Zani Caushin,- tha. “E kapën. ik mos u tall”. Do ti që ashtu ishte. Ishte kapur me të vërtetë. E hëngra unë aty (qesh).

-Mund të jenë dy shokë të mirë gazetar?

Sigurisht. Nuk ka redaksi pa qenë shokë. Duhen mbështetur njëri -tjetri.

-Ju jeni prind?

Po, i dy vajzave. E madhja është në Amerikë ka përfunduar studimet për Sociologji. E dyta është këtu, ka mbaruar Regji. E vogla them se është ndikuar nga unë në zgjedhjen e profesionit. Rrinim bashkë. Edhe ajo ka shumë dëshirë të udhëtojë.

-Si i keni marrëdhëniet me vajzat?

Shumë të mira. Unë jam martuar shumë i ri dhe zëre se jemi si shokë. Tani jam i divorcuar. Puna e këtij zanati është më shumë si mision. Duhet të kesh përkrah një person që të të kuptoj deri në fund, ndryshe të thotë: “Çfarë bëre 15 orë në punë.”

-Divorci juaj ka ardhur si pasojë e kësaj arsye?

Jo vetëm. Njëra nga arsyet ishte edhe kjo.

-A ja vlen të prishësh familjen për profesionin?

Zgjedhje personale është edhe kjo. Është pak egoizëm.

-Çfarë ju nervozon?

Budallai më nervozon. Ai lloj budallai që i bën keq të tjerëve, pa i bërë mirë as vetes.

***


Fatos Baxhaku/ Foto: Roland Tasho


“Jashtë bulevardit, Shqipëria është një vend i lodhur”

-Z. Baxhaku, ju keni udhëtuar shumë nëpër Shqipëri për shkak të punës suaj. Si është Shqipëria jashtë Tiranës?


Për të përfytyruar Shqipërinë jashtë Tiranës, Vlorës apo Durrësit, të qyteteve të mëdha, secili prej nesh duhet të përfytyrojë gjyshin, po gjyshin pak të lodhur që nuk ka kohë të bëj llastime e të tregojë përralla. Ka shumë pak bukë të të japë dhe nxehet. Ndonjëherë të lidh te këmba e karriges, se ka për të punuar arën. Pastaj befas shfaq një mirësi pafund. Nëse keni parasysh gjyshin, gjyshërit e mi të paktën kështu kanë qenë. Kështu është Shqipëria jashtë Tiranës, një gjë e lodhur, hera herës e zhgënjyer, por që nuk e humbet kurrë shpresën dhe që merret shumë me të ardhmen.

-Gjatë këtyre udhëtimeve keni takuar, keni parë shumë njerëz. Çfarë ju ka mbetur në mendje?

Duke u nisur edhe nga origjina (nëna ime ka qenë nga Shkodra), duke pasur gjuhën e nënës, kam një ndjeshmëri për gegnishten, kështu që ndihem pak më i çliruar kur flas gegnisht. Një nga zonat ku kam shkuar është edhe Mirdita. Është një zonë tradicionalisht e izoluar si nga pikëpamja fetare, ligjore, ekonomike e politike. Për hir të këtij izolimi kanë mbetur ende në këmbë rrëfenja, veshje, kulla, peizazhe, portrete. Dhe nga ky vend unë kam një amanet nga nëna Mrikë që ka dhënë shpirt para disa kohësh. Ishte muaji gusht, po binte shi dhe ne ishim strehuar në një Kullë. Ishte një shtëpi si e zymtë, aq më tepër, bëhej e zymtë nga shiu që binte jashtë me ato dritaret e vogla. Nuk e di se ç’pata, më kapi një trishtim. Më thonë që më janë mbushur sytë me lot, por unë nuk e kam kuptuar. Nëna Mrikë më thotë pastaj, hajde dalim pak këtej dhe më pyeti: Çfarë punon? I them, gazetar. Ça do me thënë gazetar? Po ja këto që themi bashkë, unë i shkruaj. Me tha: “Do ma mbash një fjalë”? Në qoftë se shkruan kaq bukur sa po qan jemi në rregull. Këtë amanet mundohem ta mbaj. Ka plot historia, e aventura, sepse këtë punë e kam filluar që në Gazetën “Shqiptare”, në 1996.

-Ju ruani kontaktet me njerëzit?

Me shumë prej tyre. I kam bërë edhe miq tani, ndonjëherë marrë rrugën dhe shkoj kur fejojnë fëmijët.

-Kur shkoni në udhëtime, çfarë sillni në fund të ditës në shtëpi?

Dikur koleksionoja gur, por unë kam një shtëpi të vogël dhe ajo u mbush plot ndaj edhe e ndërpreva. Ishin gur që i merrja kudo që shkoja. Zakonisht i mblidhja nëpër lumenj. Më pas mblidhja shkopinj çobanësh, edhe kjo fazë kaloi.

-Cili është fshati më interesant që keni parë?

Të gjithë janë interesant. Mua më ka pëlqyer shumë Vithkuqi, që është fshat ku detyrat janë të ndara. Po kështu edhe Zogaj i Shkodrës, aty ku fshatarët kanë bërë një kooperativë.

-Prej sa kohësh jetoni në këtë lagje, në rrugën e Durrësit?

Unë jam këtu prej vitit 2001. Shtëpia e mëparshme ka qenë pranë shkollës “11 janari”.

-Ju keni lindur në Tiranë. Ju kujtohet ky qytet në fëmijërinë tuaj?

Po, si jo. Më kujtohet më e gjelbër dhe më pak e rrëmujshme, më e qetë. Prindërit e mi kanë qenë mësues dhe këtë gjë ja kanë trashëguar edhe fëmijëve të tyre. Babai ka qenë dekan i Fakultetit të Shkencave, ime më ka qenë mësuese Gjuhë dhe Letërsie. Kam dy vëllezër, një më i madh, një më i vogël. I madhi është profesor në Matematik, i vogëli ishte mësues italishteje, tani është emigrant në Kanada.

-Keni studiuar histori, po sot çfarë raportesh keni me të?

Unë vazhdoj të lexoj shumë histori. Libra me kujtime, dokumente. Dikur kam lexuar shumë edhe letërsi, por tani nuk kam më kohë.

-Cili është vendi që nëse nuk do të jetonit në Tiranë, do e zgjidhnit për jetesë?

Pogradeci. E para se aty kam shkuar qysh fëmijë. E dyta më pëlqen, pasi në periudhën e verës nuk punoj dot. E kam problem vapën dhe në Pogradec nuk e ndjen. Dhe e treta në Pogradec kam kaluar dashuritë e mia të mëdha. Kështu që, nëse ka mundësi një barakë në Pogradec mirë do të ishte.

***

Bisedoi Entela Resuli. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë


e.k/Dita
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back