Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Jo shumë larg barbarëve

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
Nga Luan Rama

Fragment nga libri “Burri që donte të vdiste” mbi ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri

… Gjithë atë natë nuk fjeti. Plaga e vogël në dorë i pulsonte vazhdimisht. E dezinfektoi dhe nisi ta fashonte. Gjatë kohës që fashonte plagën, çuditërisht veten e shikonte të shtrirë, të vdekur, pra të vetëvrarë, ashtu me gojë të hapur dhe dikë, një figurë e turbullt burri me këmbë të hapura që donte t’i mbyllte gojën me forcë meqë trupi kishte kohë që i kishte ngrirë dhe goja nuk mbyllej. Ndjeu fashon që po i lidhte kokën me mjekrën, të cilën po e shtrëngonte fort dhe papritmas dalloi se sipër tij ishte fytyra e Bedriut që po mundohej t’i mbyllte gojën. I kishte humbur të gjitha forcat, madje as të lëvizte duart, por ja, ai imazh e bëri të kërcente përpjetë nga tërbimi. O zot, pëshpëriti me vete duke shkundur kokën si të donte të vinte në vete. Dhe kështu, me sytë nga dritarja priti agun. Jashtë qentë lehnin gjithnjë e më shumë. Macet mjaullinin të egërsuara gjithashtu. Një botë e tërë e egërsuar: qentë, macet, njerëzit që shkrehnin armët, presidenti që klithte për mbrojtjen e fitoreve të arritura të “demokracisë”, një katrahurë e gjallë, marramendëse… parlamenti me maçokër të çuditshëm, kokëmëdhenj, që mjaullinin me zë të çjerrë. Pastaj një korr qensh që nisi…

Dhe qentë të revoltuar, qeshi hidhur ai. Tashmë kishte hequr dorë nga vetëvrasja me revole. Ishte diçka e shëmtuar, jo burrërore, diçka e pisët. E megjithatë donte të vdiste. Asgjë nuk ia lehtësonte dhimbjet e shpirtit. Madje që të nesërmen, i mbyllur brenda shtëpisë, që komshinjtë mos ti shikonin dorën e fashuar dhe ta kuptonin që ajo krismë revoleje kishte ardhur nga apartamenti i tij, mendoi se më së fundi e kishte gjetur se si do të vdiste. Diçka më të denjë, diçka aksidentale, të zakonshme, që askush të mos e akuzonte për vetëvrasje, si një njeri të dobët. Një vdekje normale.

Kështu, me sytë mbyllur shikonte një skenë që animohej vazhdimisht, si të ishte një skenë kinematografike: ai që me paratë e fundit që i kanë mbetur në llogari, ka blerë një makinë rrangallë, dhe që një ditë shiu shkon e përplaset me një bunker, diku në rrugën Tiranë-Durrës, andej ku bunkerët qëndronin ende si trofe të një revolucioni.

I dukej vetja si në film, një lloj aktori që do të bënte përplasjen e supozuar, vdekjen e supozuar, por që për të do të ishte reale. Po, sepse kur vinte çasti i përplasjes ai ndjente një shkundje të tmerrshme në trup, një humbje totale, një dhimbje në gjoks, aq sa kujtonte se po i dilte zemra nga krahërori…. E megjithatë, ky ishte veç një variant… ndoshta.

Por sidoqoftë, gjithë atë javë nuk ndodhi asgjë. Ndërkohë krismat nisën të shpërthejnë akoma më shumë nëpër qytet. Tani provoheshin të gjitha llojet e armëve: ruse, kineze, jugosllave, ato të uzinës së Gramshit, mortaja të vogla, grykëmëdha, vendosur për qef në tarraca pallatesh, madje në një gazetë angleze dukej një fshatar me karrocë që tërhiqte një avion «Mig» sovjetik dalë boje. Ishte diçka absurde, e paimagjinueshme. Tashmë duhej të ishte pronë e atij fshatari që dukej aq i pushtetshëm ballë atij avioni. Ngjarjet dhe vrasjet e policëve në Lushnje e Fier, njerëzit që plaçkisnin depot e armëve, qytetarët që kërkonin armët, bosët fajdexhinj që ishin zhdukur bashkë me paratë e tyre, gjithë kjo e kishte bërë të mundshme shpërthimin e vullkanit.

Po, mendoi më së fundi ai, mënyra më e mirë ishte të vritej në këtë zallamahi dhe kaos të madh ku qëllohej nga të gjitha anët. Shteti kishte rënë, tanket kishin dalë në bulevard… turmat e revoltuara të popullit të nisura nga Vlora po i drejtoheshin Tiranës…

Gjithçka i kujtonte historinë e Revolucionit francez, i cili kështu kishte filluar, nga shtypja e popullit dhe ata varfanjakë të mjerë gjithë rrecka që i ishin sulur drejt Versajës së mbretit, me cfurqe në duar, gra, burra, pleq… për jetë a vdekje, kundër Luigjit XVI dhe mbretëreshës Maria Antuaneta… ndërsa këtu, këtu mbreti ishte president…

Nën atë shi të imët që binte pareshtur Arturi vazhdoi të ecë në trotuar duke menduar se kështu mund të vritej kollaj dhe s’kishte më nevojë të vetëvritej… një dorë e huaj do ta vriste ashtu kot, qorrazi… dhe atëherë do të thonin të paktën se ishte një viktimë e pushtetit të mafies. Pastaj zbriti anash lumit të vogël të Lanës, duke parë nga Piramida e diktatorit të mëparshëm që fekste nën një dritë të zbehtë. Rrugët ishin pothuaj bosh.

Shtetrrethimi kishte filluar që para dy orësh. Kalimtarët e fundit nxitonin të zhdukeshin ndërsa ai ecte ngadalë me atë hap të rëndë siç ecën një njeri që do të vdesë. Dikush e shau tutje, një tjetër i thirri të largohej se do të hante ndonjë plumb bythëve. Por ai vazhdonte në atë udhë që shpresonte se do ta çonte drejt vdekjes. Piramida afrohej gjithnjë e më shumë. Ndaloi një çast dhe vështroi nga ajo ngrehinë e bardhë e lëmuar në mermer ku çuditërisht tashmë ishte kthyer në një lisharse, në një trampoline, ku gjatë verës fëmijët rrëshqisnin nga lart poshtë, të bindur se hija e gogolit aty brenda nuk ekzistonte më. Dhe ai vështroi i habitur mbi refleksin e një drite të zbehtë që binte mbi të me idenë se përse ish diktatorit i kishte pëlqyer ideja e një piramide. Vallë shpresonte se do të strehohej në të si dikur faraonët e dinastisë Ramses të Egjiptit të lashtë, pra në botën e përjetësisë, apo se gjithçka kishte lidhje me emrin e tij?…

Tutje u dëgjua zhurma e një tanku që gërryente asfaltin e bulevardit të madh të Tiranës. Krismat filluan. Breshëri që ndiqnin njëra-tjetrën. Pastaj një mortajë. Ishte e pamundur të kuptoje se nga ç’drejtim vinte, pasi kur ende nuk ishte shuar një zhurmë, menjëherë nga ana tjetër, shpërthente një breshëri tjetër. Treqind metra më tutje ishte presidenca.

Një makinë xhips kaloi me shpejtësi dhe plot zhurmë. Nga e majta u dëgjua një breshëri. Një tjetër iu përgjigj rreth pesëdhjetë metra pas tij. Xhipi ndaloi pranë tij dhe dikush me një xhup të zi dhe grykën e një automatiku në dorë i thirri nga xhami i hapur i dritares:

– Ej, idiot, nga shkon kështu, ktheu mbrapsht… nuk e di që është shtetrrethim?

Ai qëndroi një çast duke vështruar qetësisht dhe me një vështrim të egër, por ata nxitonin, ishte kohë lufte dhe makina u nis sërrish. Megjithatë ai vazhdoi të ecë. Nuk u kthye. Të tjera krisma dëgjoheshin më larg. Tutje, në dritaret e pallateve, dukeshin dritat e zbehta të apartamenteve, por shumica ishin të fikura, ndoshta nga frika se mos dikush qëllonte kuturu mbi ta.

Gjithnjë duke u afruar nga bulevardi, ai dëgjoi papritur zërin e një njeriu tjetër po me një xhup meshini që i bërtiti:

– Ej, ti, idiot, ku shkon. Ndalo!

Për një çast ai ndaloi. Ja pra, momenti tashmë po afrohej. Tjetri do ta merrte për një rrebel, një kryengritës, një kundërshtar të presidentit, do të ngrinte revolen dhe do ta qëllonte. Kështu kjo histori do të mbaronte ashtu siç kishte dashur ai. Dhe duke menduar kështu ia dha vrapit, jo për të ikur prapa, por për tu sulur përpara.

– Ndal të thashë o pusht! – bërtiti tjetri dhe ja ku një breshëri ushtoi.

Në fillim Arturi ndjeu t’i fërshëllenin plumba jo larg vetvetes, por pastaj ndjeu të rrëzohej edhe pse nuk kishte ndjerë asnjë goditje plumbi në trup. Vallë kështu ndodhte kur qëlloheshe me plumb dhe që për momentin nuk e ndjen goditjen?… Ç’kishte ndodhur vallë?

Gjithçka ishte e frikshme atë natë. Dhe ai besonte se po shkonte drejt vdekjes dhe se pak çaste i kishin mbetur nga bota e të gjallëve. “Gjithë kjo barbari”, – pëshpëriti me vete dhe i erdhi keq për qytetin e tij që kërrusej nga frika gjithnjë e më shumë, për vendin e tij. Përse vallë? Nga erdhi kjo barbari, nga zbriti? Apo e kemi patur të fshehur në vetvete, në genet tona, thellë qenies sonë, për tu shfaqur kështu në këto ditë tragjike në mënyrën më vandale, më kriminale dhe ku bota shqiptare po mbetej brenda një krimi të madh. Sa botë barbare!

Ndjeu neveri, e para herë që ndjeu neveri për këta njerëz “triumfatorë” që mbanin vendin nën zgjedhë. Dhe kjo sikur i dha kurajo të vazhdonte, pasi ai donte të përballej me ta, të vdiste nga ta, ti shpërfillte. Hidhte hapat dhe mendonte gjithnjë për barbarët. Madje një ditë në televizor kishte parë filmin e një franko-shqiptareje me titull “Larg barbarëve”… Dhe përsëri mendoi për vdekjen e tij në këtë kaos të madh krismash, uturimash e klithjesh, që nuk donte ta jetonte, dhe ata njerëz me xhupe meshini i dukeshin si ca ëngjëj të zinj që vërtiteshin nëpër sheshet kryesore. Gjithçka fliste për një vetëvrasje kolektive, absurde, në ditët e barbarisë.

Ndërkohë, të tjera breshëri u dëgjuan më larg, si duket nga të tjerë që qëllonin drejt presidencës. Papritmas ndjeu gojën ti mbushej me një lloj lëngu të ngrohtë. Duhet të jetë gjak, mendoi. Buzët i dhimbnin dhe atëherë u kujtua se ishte penguar dhe ishte rrëzuar me fytyrë nga asfalti. Për një çast ra një qetësi e çuditshme, u dëgjuan vetëm pikat e shiut që i binin mbi fytyrë, pastaj disa hapa të rënda që mesa duket, tjetri që po afrohej, kishte mbathur disa çizme me gozhdë që bënin zhurmë. Njeriu u afrua dhe në dritën e zbehtë ai pa atë hije që iu vërsul dhe e qëlloi me shqelm në fytyrë!

– Qelbësirë! Doni të bëni dhe revolucion, pa le!

Ndërkohë u afrua dhe një tjetër, i cili i zgjati automatikun dhe ia futi grykën e armës në gojë.

«Tani më së fundi do të vdes!» mendoi Arturi dhe mbylli sytë. Nuk donte ta shihte çastin kur ai do ta shkrehte. Dhe menjëherë ndjeu sikur gjithë trupi i tij po humbte peshën e vet, po humbte atë ngërç që kishte kaq kohë që e kishte ngërthyer dhe nuk e lëshonte natën e ditën, sikur të donte ta mbyste ngadalë, çdo ditë e nga pak, gjersa më së fundi ti jepte fund gjithçkaje. Por çudi, ai ndjeu jo vetëm që shpirti t’i lehtësohej, por një ndjesi çlirimi e pushtoi, sikur diçka, ti ikte nga trupi, sikur vetë ai, me atë dhimbje të madhe t’i përvidhej karkasës së trupit të tij, ta linte aty të paqtë, nën atë qiell të errët, të zi, funebër, të paqtë, pa brerje, pa mallkuar vetveten. Madje pikërisht kur tjetri i futi në gojë grykën e armës së ftohtë dhe dhëmbët i kërcitën, për disa sekonda, si në një flash, ai pa vetveten e tij tek ecte në kodrinën e varrezave për të shkuar dhe hyrë me hapa të lehtë në varrin e tij.

Por ja, dikush ishte afruar me shpejtësi që fliste në gjuhën italiane:

– Aspetatte… Sono un giornalista… Signore, poliziotto, vi prego… «La Stampa»!

Tjetri tërhoqi grykën e automatikut nga goja e tij dhe të dy njerëzit me xhupat e zinj u kthyen nga njeriu që po afrohej me një aparat në dorë.

– Eccola!… – dhe gazetari iu tregoi kartën e tij të gazetarit.

Ai ishte ende shtrirë, me gojën e përgjakur dhe ato figura ishin për të veçse hije, figura të turbullta: gazetari që klithte, një breshëri që qëlloi tutje dhe zhurmat e një tanku që lëvizte jo larg mbi asfalt. Gjithçka po zhvillohej me shpejtësi dhe zhurmat nisën të dobësohen e të shuhen gjithnjë e më shumë. Ashtu, me kokën pështetur në asfalt; tashmë gjithçka u shua para tij… Dhe zërat e tërbuar të gardës presidenciale nisën të shuhen. Një qetësi e mistershme pllakosi ndërkohë.

Pse vallë heshti gjithçka, u habit ai… Hapi pak sytë dhe si nëpër mjegull vështroi tutje Piramidën që shkëlqente nga një dritë e zbehtë, por tashmë ajo iu duk më e madhe dhe më e frikshme. Piramida e diktatorit, ndërtuar nga vajza e tij, një piramidë e mbirë çuditërisht në brigjet e Adriatikut lartësohej gjithnjë e më shumë drejt qiellit. Dhe ja, në mes të atij misteri dhe përçudnije të madhe, atij iu duk se portat e rënda të Piramidës, si portat prej guri të piramidave buzë Nilit, nisën të hapen ngadalë, hijerënda. Trompetat nisën të bien si në kohën e vet profetit Moisi dhe ja tek doli figura madhështore e perandorit vetë. Por për habinë e tij, ishte vetë Presidenti që me atë veshje të çuditshme, jo me ar, siç visheshin faraonët, por me një xhup meshini, që i kujtonte një dramë të Bertold Breht, po dilte tashmë me hap të vendosur dhe me dorën lart përshëndeste s’dihej kë, s’dihej ku, pasi aty nuk kishte gjurmë njeriu. Hidhte hapin e madh si të shkonte në luftë.

Çudi, mendoi, një president me xhup meshini!…

afa-97-berisha-trazira-770x383-300x149.png
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back