Herën e parë, me të vdekur nga ethet Margorie MacCall u varros shpejt e shpejt. Frika e një epidemie ishte e madhe. Aq shpejt sa nuk u përpoqën gjatë t’i heqin një unazë me vlerë. Gishti i ishte ënjtur shumë.
Grabitësit e varreve, që me sa duket kishin marrë pjesë në varrim, u kthyen po atë natë. Gërmuan shpejt e shpejt, por me t’u gjendur para kufomës, u doli i njëjti problem: unaza nuk dilte nga gishti i ënjtur. Vendosën t’ia presin.
Shpërtheu gjaku dhe bashkë me të edhe ulërimat e Margorisë!
Çfarë u bë më pas me grabitësit nuk dihet shumë. (Thuhet se ranë përmbys aty).
Për Margorinë dihet mirë se u drejtua nga shtëpia e saj.
John-i, i shoqi, ishte brenda.
Kur dëgjon trokitje në portë u thotë John-i kalamajve:
- Nëse nëna juaj nuk do të kishte vdekur, do të betohesha se është ajo që po troket.
Hapi derën dhe kur pa gruan të veshur me rrobat e vdekjes dhe gishtin që i kullonte gjak, ra për tokë. Të nesërmen u varros te parcela nga ku ishte ngritur Margoria.
E mbetur e ve, Margoria ishte në të drejtën e saj të martohej përsëri. Madje, gjeti një burë për së mbari dhe pati plot fëmijë të tjerë.
Kur së fundi vdiq me tamam, u varros në varrezat e Shankill në Lurgan, Irlandë.
Aty, ku edhe sot e kësaj dite shihet mbishkrimi: Jetoi një herë, u varros dy herë.
Dashnor Kokonozi/fotografitë që kanë bërë historinë