U
Universal
Guest
Dihet që Franca është Francë, dhe kur është në lojë triada e shenjtë e modernitetit, pretendon gjithmonë të ketë fjalën e fundit, me koston që ta bëjë lirinë “të lirë për të ngacmuar”, apo, si në kohët e Charlie Hebdo, liberté d’impertinence, një nënspecie e diskutueshme e lirisë së shprehjes. Por politikisht korrektja bën shaka të shëmtuara. Atëherë ishte shumë politikisht korrekt dhe konformist, slogani “Je suis Charlie Hebdo” dhe shumë politikisht jokorrekt, dhe antikonformist, të kishe të drejtën të thoje “Je ne suis pas Charlie Hebdo”. Për mërinë e një slogani që ka bërë shkollë për breza të tërë grash, sot palma e joshjes i kalon atyre që mund t’i lejojnë vetes të thonë “Je ne suis pas Catherine Deneuve”
Nga Ida Dominijani
Zbulimi i ngacmimeve dhe shantazheve seksuale në Hollyëood dhe në gjithë botën amerikane të punës, tregon se këto nuk janë kohë të mira, as për dëshirën, as për ushtrimin e seksualitetit mes grave dhe burrave. Siç kish ndodhur tashmë në Itali me skandalet seksuale të epokës berluskoniane, ai që del në dritë nuk është vetëm tundimi i përhershëm mashkullor për të abuzuar me pushtetin, që i redukton gratë në objekte për t’u zotëruar dhe lirinë femërore në disponueshmëri për t’u dorëzuar. Eshtë gjithashtu, dhe mbase mbi të gjitha, një mjerim i përhapur i seksualitetit mashkullor, që shkëmben pushtet, favore, me thërrime, si për shembull një masazh nën një rrobdëshambër, një masturbim në qiell të hapur, një varësi nga një burrëri e pasigurtë. Një mjerim seksual që shkon krah për krah me një mjerim në marrëdhënie, ose më saktë, një paaftësi po kaq e përhapur mashkullore për t’u lidhur me tjetrën, me dëshirat dhe mohimet e saj, me forcën dhe dobësinë e saj, me lirinë dhe nevojat e saj.
Saktësisht kinemaja hollivudiane, po ta vëresh me kujdes, na kishte mësuar gradualisht, gjatë dekadës së fundit, me këtë mjerim progresiv, për të mos thënë zhdukje, të seksualitetit në marrëdhëniet mes burrave dhe grave, me një rrëshkitje të lehtë por të perceptueshme, nga skenat e seksit plot pasion në vitet nëntëdhjetë, në ato skena të luajtura pothuaj gjithmonë në një kufi të paqartë mes seksit dhe dhunës, seksit dhe zotërimit, seksit dhe performancës. Në fund të fundit, do të mjaftonte suksesi befasues, e jo rastësisht i njëkohshëm me #metoo, i një rrëfimi si “Cat person”, për të na dhënë një ide mbi gjendjen e gjërave: në këtë rast nuk ka hije dhune e as ngacmimesh, por mjerimi sentimental është i njëjtë, alfabeti i joshjes ka precipituar në harresë dhe çdo pasion është shuar.
Ajo që po del nga “#metoo” dhe nga “Time’s up” është tapa e heshtjes-dorëzimit femëror, që mbulonte këtë situatë. Në shikim të parë, sigurisht bëhet fjalë për lëvije kundër ngacmimeve dhe shantazheve seksuale, si dhe abuzimit mashkullor me pushtetin që qëndron prapa tyre. Por ashtu siç kish ndodhur në Itali disa vite më parë, marrja e fjalës nga femrat ka pasojën e zbulimit të diçkaje më të thellë, një “dispozitiv seksualiteti”, për ta thënë me shprehjen e Foucault, ku dëshira nuk ka më vend dhe seksi është reduktuar në kontraktim, shantazh, performancë. Dhe dalja prej këtu është urgjente, nëse i kemi për zemër fatet e seksualitetit si shprehje e lirë dhe krijuese e një specieje njerëzore.
Për këtë arsye, është krejt jashtë bendi dhe kohe reagimi, deri tani kryesisht mashkullor si dhe kryesisht italian, që thërret se rezultat i #metoo është obskurantizmi “politically correct” i një totalitarizmi ndalues dhe seksofob. Krejt e kundërta është e vërtetë: #metoo është rasti kur gruaja merr fjalën, kundër situatës aktuale të mjerimit mashkullor. Lind nga një situatë e cila ka çuar tashmë në vdekje seksualitetin, dhe ndoshta mund ta bëjë të ringjallet, një herë që çlirohet nga dispozitivi.
Të habit fakti që, po këto argumenta i përdor tani një grup grash franceze – intelektuale, artiste, psikanaliste, gazetare, mes të tjerash një kampione e njohur e joshjes si Catherine Deneuve – të cilat hidhen në mbrojtje të “lirisë për të ngacmuar, pavarësisht nga liria seksuale”, a thua #metoo kishte instaluar një regjim ndalimi, ku askush nuk mund të zgjatet tek tjetra dhe asnjëra nuk mund të zgjatet tek tjetri, a thua armiku i grave janë burrat në tërësinë e tyre, fjala femërore, në vend se të çlirohet, vetëburgoset në një kod vetëndalues politikisht korrekt, dhe gratë, në vend që të fitojnë diçka, vetësegregohen në rolin e “viktimave të përjetshme, të dominuara nga demonë”.
Fuqi e fantazmave mashkullore të brendësuara edhe prej mendjes femërore, apo “dallim kulturor” francez vs hegjemonisë “puritane” amerikane?
Nuk ka grua në botë që të mos dijë të dallojë një “vardisje këmbëngulëse dhe të avashtë”, nga një përdhunim, siç druhen firmëtaret e apelit francez: ato vetë nuk mund të mos e dijnë. Nuk ka njeri të shëndoshë mendërisht, që nuk ka regjistruar, në vijim të #metoo apo thjeshtë ceremonisë së fundit të Golden Globes nën shenjën e “Time’s up”, që gjithçka qarkullon mes thyerëseve amerikane të heshtjes, përveç një vetëviktimizimi inercial dhe pasiv: e gjithë kjo tingëllon si një fuqizim, dhe është goxha çliruese edhe për ata burra që e shohin me kërshëri dhe besim, në vend se të kapen pas çadrave të një burrërie dekadente.
Edhe këtë, simotrat franceze nuk mund të mos e kenë vënë re. Por dihet që Franca është Francë, dhe kur është në lojë triada e shenjtë e modernitetit, pretendon gjithmonë të ketë fjalën e fundit, me koston që ta bëjë lirinë “të lirë për të ngacmuar”, apo, si në kohët e Charlie Hebdo, liberté d’impertinence, një nënspecie e diskutueshme e lirisë së shprehjes.
Por politikisht korrektja bën shaka të shëmtuara. Atëherë ishte shumë politikisht korrekt dhe konformist, slogani “Je suis Charlie Hebdo” dhe shumë politikisht jokorrekt, dhe antikonformist, të kishe të drejtën të thoje “Je ne suis pas Charlie Hebdo”: në SHBA ishin të shumtë ata që e përdorën, edhe në mediat kryesore, në emër të një lirie të fesë, që nuk mund të shkelej prej lirisë së satirës.
Çështje këndvështrimesh. Në fund të fundit, edhe simbolet e joshjes nuk janë të përjetshme dhe e ndjejnë përdorimin e kohës. Për mërinë e një slogani që ka bërë shkollë për breza të tërë grash, sot palma e joshjes i kalon atyre që mund t’i lejojnë vetes të thonë “Je ne suis pas Catherine Deneuve”. / Internazionale