Janulla Rrapi: Ja si e organizoi Ismail Kadare kurthin ndaj meje, me sigurimsit që kishte fshehur në shtëpi
Historia e familjes Rrapi me familjen Kadare nuk është e panjohur për publikun shqiptar, megjithatë, për të gjithë ata që ende nuk e kanë të qartë nisjen, zhvillimin dhe përfundimin e kësaj drame të shumëpërfolur me media, tashmë ajo është hedhur në një roman. Autorja është vetë ajo, ajo që bashkë me dy fëmijët e saj përjetoi vitet më të vështira të jetës, vetëm pse djali i saj dashuronte vajzën e Ismail Kadaresë. Kanë kaluar 30 vite nga ajo histori plot vuajtje e dhimbje që zgjati jo pak, megjithatë Janulla Rrapi e kujton sikur të ishte dje... I është ngulitur thellë në memorie çdo detaj, që nga akuzat, përballjet e vështira me Kadaretë, policinë, gjykatat, internimin, shoqërinë, vuajtjet dhe sëmundjen e djalit... Për të gjitha këto, ajo ka folur në romanin “Djali i ëndrrës së vrarë”, ndërsa me ne, në intervistën e mëposhtme
Znj. Janulla, së pari më lejoni t’ju uroj për romanin tuaj që sapo keni botuar, “Djali i ëndrrës së vrarë”. Një pjesë e mirë e publikut shqiptar, nëpërmjet medieve elektronike dhe atyre të shkruara, është njohur me historinë tuaj familjare dhe peripecitë e kaluara përgjatë regjimit komunist. Së fundmi, ju keni vendosur që këtë episod të dhimbshëm ta hidhni edhe në një roman, i cili prej pak ditësh gjendet në libraritë e kryeqytetit. A mund të na thoni shkurtimisht se kujt i drejtohet ky libër, çfarë mesazhi përcjell ai, dhe pse zgjodhët pikërisht këtë moment për botimin e tij?
Ju falënderoj për këtë intervistë pasi, më së fundi, pas shumë ditësh përgojimesh në disa nga gazetat shqiptare, m’u dha edhe mua mundësia, nëpërmjet organit tuaj, të flas. Kur them të flas, e kam fjalën të mbrohem nga disa sulme e përsëritje akuzash që vazhdojnë të na helmojnë. Historia e dashurisë së djalit tim, Renato, dhe vajzës së Ismail Kadaresë, Gresa, në Tiranën e viteve ‘80 mori dhenë, sepse, po shprehem në mënyrë figurative, u ngjante dy familjeve, Kapuleti dhe Montegi, te tragjedia e Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”. Por tragjedia e vërtetë i ndodhi djalit tim. Vërtet kanë kaluar 30 vjet që nga ajo kohë, kur nën zë flitej kudo për ketë dashuri të pabarabartë klasore, por shumë njerëz sot e kujtojnë dhe e gjykojnë. Pasi erdhëm në Amerikë dhe Renato filloi të rehabilitohej disi në klinika të specializuara, mjekët dhe miq amerikanë kërkonin të dinin shkakun dhe arsyet që e kishin çuar në këtë gjendje këtë djalë që reflekton veç fisnikëri dhe butësi. Kam dhënë shumë intervista atëherë këtu, pasi e ndieja veten të çliruar e të lirë. Pas viteve 2000, historia tragjike e familjes sime u rikujtua edhe në Tiranë, pasi m’u kërkua nga disa medie të shkruara dhe elektronike ta përshkruaja atë nëpërmjet intervistave. Kështu që, siç shpreheni ju gazetarët, çështja “Kadare” doli plotësisht në dritë, duke dëgjuar edhe palën e dëmtuar, që ishim ne. Deri atëherë kishte folur e vepruar vetëm shkrimtari, nëpërmjet shpjegimeve që jepte te libri i tij “Pesha e kryqit”, kur e ndiqte Sigurimi i Shtetit nëpërmjet një “gruaje spiune dhe imorale dhe djalit të saj rrugaç”, ndërsa ai aktivizoi “ushtrinë e tij private” për t’ua treguar atyre vendin, duke i persekutuar dhe masakruar. Ngjarja nuk është e re dhe mbase nuk ka më interes të tregohet me akuza dhe kundër akuza. Por shpirti im prej nëne nuk kishte qetësi. Atëherë vendosa që tragjedinë e djalit tim ta jap në formën e një libri të thjeshtë, të përshkruaj Tiranën, të rinjtë e asaj kohe, dëshirat dhe ëndrrat e tyre, shpesh të vrara. Kjo i ndodhi Renato Rrapit, por, në një formë të ngjashme me të, po kështu i ndodhi edhe sportistit të njohur Asllan Rusi, apo edhe shumë të rinjve të tjerë, që historitë e tyre të dashurisë mbylleshin dhunshëm. Pra këtë histori të jetuar ia drejtoj rinisë së sotme, që të njihet me rininë e baballarëve e nënave të tyre që jetuan kohën më të egër të diktaturës. Ndërsa, për sa i përket kohës kur libri im doli në botim, kjo qe thjesht një rastësi, që përkon edhe me Panairin e Librit në Tiranë. Në këtë libër gjithçka është shkruar thjesht dhe me ndjenjë, pa pretenduar të ketë vlera artistike apo unë të jem “romanciere”. Aty ka folur një zemër e dhembshur nëne.
Kalvari i vuajtjeve tuaja gjatë viteve 80 kishte dhe një shkak, për të cilin ju keni dhe një emër. Dhe është pikërisht shkrimtari i njohur Ismail Kadare dhe familja e tij. Djali juaj dashuronte vajzën e Kadaresë. Ju keni deklaruar se kur historia u mësua nga familja Kadare, vajza e këtyre të fundit u detyrua ta abortonte fëmijën, megjithëse ishte 6-muajshe shtatzënë. Pra dashuria mes dy të rinjve dhe këmbëngulja e vazhdueshme e djalit tuaj në vazhdimin e kësaj historie, do të çonte më tej në reagimin e ashpër të Ismail Kadaresë, deri në kërkesën e tij ndaj regjimit për burgosjen tuaj. Një fund i trishtë për dashurinë e dy të rinjve, për ju si familje me internimin në Kosovë të Madhe, dhe veçanërisht për djalin tuaj, i cili do të përjetonte një sërë torturash, deri me përfundimin e tij në spital psikiatrik. Kanë kaluar 30 vite nga kjo histori, por a gjeni ju sot një shpjegim përse duhet të kishte pasur pikërisht këtë fund? A kërkuat ju apo familja Kadare një zgjidhje tjetër me pasoja ndoshta më të lehta se të këtyre përmasave?
Siç përshkruhet edhe në libër, shtëpia jonë ndodhej pas Pesëmbëdhjetëkatëshit, siç i thoshin atëherë Hotel Tirana Internacional, pranë shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare, në qendër të Tiranës. Renato ishte nxënës në Liceun Artistik, studionte për violinë, ndërsa Gresa ishte në gjimnazin “Sami Frashëri”. Pra ishin pothuajse moshatarë, 17-vjeçarë. Kishin të njëjtën shoqëri, djem e vajza të shkolluar e të talentuar nga familje të mira. Renato ishte i zhvilluar shumë mirë fizikisht dhe qe djalë i këndshëm, që përshtatej mirë me shoqërinë. Ishin djem të rinj që u pëlqente muzika, letërsia, filmi, por që ndiqnin edhe modën, edhe pse ishte e ndaluar. Siç ndodhte në ato kohë, dashuritë midis të rinjve ishin të fshehta, sidomos për vajzat. Në shtëpinë tonë vinin shumë shokë e shoqe të Renatos, pasi aty ndiheshin vërtet rehat. Mes kësaj shoqërie ishte edhe vajza e Kadareve. Kur unë e pikasa këtë lidhje të tyre, kurrsesi nuk e kam përkrahur, sepse djali ishte i ri dhe, si çdo prind kur ka një fëmijë në këtë moshë, mendon ta drejtojë në rrugën e shkollës. Por ngjarjet rrodhën kaq shpejt, sa pa pritur e pa kujtuar një natë marr vesh shtatzëninë e Gresës. Këtu filloi edhe kalvari i vërtetë i vuajtjeve tona. Si ka mundësi një nënë, aq më tepër një intelektuale siç ishte zonja Elena, të mos e shikonte gjendjen shëndetësore të së bijës me një shtatzëni në muajin e gjashtë? Kjo ishte e pabesueshme! Përse kjo familje nuk e kontrollonte vajzën dhe shoqërinë e saj, kur e kishin aq merak reputacionin dhe emrin e tyre të mirë? Pastaj, cili është ai prind që vë në rrezik edhe jetën e vajzës, për të abortuar një embrion të zhvilluar dhe të formuar? Mëkati i tyre ishte jo vetëm që i ndanë dhunshëm dy të rinjtë, por ia ndërprenë jetën edhe një krijese. E kam thënë edhe më parë, me ndarjen klasore të asaj kohe e kisha të qartë që familja jonë nuk qasej te pragu i shkrimtarit të madh, por unë u kërkova atyre t’i ndihmonim këta të rinj akoma axhaminj ta përballonin me qetësi situatën në të cilën ndodheshin. Renato ishte djalë inteligjent dhe me një të ardhme që premtonte.
Ismail Kadare ka shkruar disa herë mbi këtë histori, por duke e trajtuar si një moment të jetës së tij, kur përndiqej nga Sigurimi i shtetit. Megjithëse jo me emër konkret për ju apo djalin tuaj, ai ka pretenduar vazhdimisht se shqetësohej nga Sigurimi i Shtetit dhe se ky episod në jetën e tij u thur nga sigurimi, për shkak të shkrimeve të tij kundër regjimit. Lexuesit e Kadaresë ndahen në dy kategori, në atë që beson variantin e tij që ai vërtet ndiqej nga sigurimi, dhe se ju ishit futur në jetën e tij pikërisht nga kjo strukturë. Ndërsa kategoria tjetër beson se Kadare jo vetëm që nuk është përndjekur kurrë nga sigurimi, por madje ka qenë dhe i përkëdheluri i regjimit. Ju, siç pretendoni që e keni njohur nga afër shkrimtarin në atë moment të vështirë të jetës suaj, çfarë mund të na thoni mbi këtë dyzim?
Më mirë se kushdo, nëse përndiqej apo jo Ismail Kadare nga Sigurimi i Shtetit, duhet ta dinë arkivat e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Por ne dhe gjithë publiku për këto përndjekje jemi njohur nga libri i tij “Pesha e kryqit” që e botoi në Paris, menjëherë pas largimit të tij të bujshëm. Aty ka përshkruar me hollësi dhe me paranojë kohën kur mendonte se përndiqej nga Sigurimi, ndërsa punonjësit e Sigurimit, siç e përshkruan edhe vetë, i ka gjithë kohën në shtëpinë e tij. Aty e gjeta edhe unë Vladimir Meçen, punonjësin e Sigurimit, kur me kërkesë të Elenës shkova të bisedoj se ç’do të bënim me fëmijët dhe me shtatzëninë e Gresës. Duke i dalë në mbrojtje shkrimtarit, sigurimsi m’u hakërrua gjithë tmerr në fytyrë. Më pas më dhanë telefonin të flisja me punonjësin tjetër po të Sigurimit, Neshat Tozaj, që edhe ai më kërcënoi e më foli me ashpërsi të largohesha sa më parë nga ajo shtëpi, ku kisha shkuar me kërkesë të zonjës së saj. Pra I. Kadareja tani ua kishte lënë sigurimsave në dorë fatin e dashurisë së vajzës së tij. Ndërsa “gabimin” që bëri Ismaili te “Pesha e kryqit”, duke folur e duke përshkruar me hollësi miqtë e tij të kupolës së lartë famëkeqe, që i gjendeshin aq afër duke i siguruar edhe armë, edhe “ushtrinë e tij private”, nuk e bëri më pas Elena, te libri i saj voluminoz “Kohë e pamjaftueshme”. Nuk gjen asnjë fjalë në atë libër të përshkruajë ngjarjen më tronditëse të jetës së bijës së saj. Aty lexon lloj-lloj historish të çiftit Kadare, por ajo periudhë dyvjeçare, ku bënë mëkatin më të madh ndaj dashurisë dhe krijesës së pa lindur, është fshirë nga kujtesa e tyre. Ismail Kadare, si shkrimtari më i mirë i letërsisë sonë të Realizmit Socialist, ka tronditur këdo që ka lexuar “Kush e solli Doruntinën” me emocionin e fortë të dashurisë njerëzore. Me artin e tij ai ka gërmuar nëpër legjenda e histori, por si e harron një krim që ka bërë mbi evlatin e tij, për të mos thënë edhe mbi një të ri krejt të pafajshëm, që me torturat që i bënë miqtë e tij të sigurimit e lanë invalid të përjetshëm?
Ju në librin tuaj nuk i përmendi emrat konkretë të personazheve. Pse “mbronit” Kadarenë e të gjithë personazhet reale që u përfshinë me dashje apo jo, në konfliktin tuaj me Kadaretë?
Përgjigje: Jua thashë edhe më lart, qëllimi im në këtë libër nuk ishte të “nxirrja dufin” e vuajtjeve të mia. Këtë pyetje këto ditë ma kanë bërë edhe shumë miq e dashamirës në rrjetet sociale, që me këtë rast edhe i falënderoj për përkrahjen morale që më japin. Kam pasur shumë raste më parë, ashtu si edhe me këtë intervistën tani me ju, ku e kam bërë publike gjithçka na ndodhi ne si familje. Ndërsa me këtë libër kam dashur të qetësoj disi shpirtin tim. Aty është e gjithë jeta ime, që nga dita e lindjes. Në libër kam treguar se cila është prejardhja ime, nga vi, kush kanë qenë të parët e mi, sa të pasur e patriotë ishin njerëzit e mi, sa e ndershme ishte familja e burrit tim, babait të Renatos. Në libër kam përmendur me iniciale apo edhe me emrin e plotë njerëz të mirë të asaj kohe që na përkrahën e u munduan të na ndihmonin sipas mundësive që kishin, sidomos të internuarit që gjetëm në Kosovë të Madhe. Edhe pse ishte kohë e vështirë, gjithnjë do të gjeje njerëz të ndershëm. Aty kam përmendur edhe avokatin e nderuar që njihej nga shumë njerëz, zotin Koço Dilo, kur mbesa e tij, Greta, i kërkoi këshillë si të vepronte, se hetuesi, atë dhe dy shoqeve të saj po u bënte shantazh kundër Renatos. Pra libri nuk flet vetëm për Shokun X.
Megjithëse romani juaj është botuar prej vetëm pak ditësh, në shtyp nuk kaloi pa u vënë re. Pati nga ata që vazhdojnë të mendojnë e deklarojnë se ju dhe djali juaj s’keni qenë gjë tjetër veçse të infiltruar nga sigurimi i shtetit dhe se romani juaj ishte kryekëput një trillim. Si do t’u përgjigjeshit këtyre reagimeve?
Familja ime ka 20 vjet që jeton në SHBA. Gjithë këto vite në Shqipëri nuk kanë kaluar pa akuza e shpifje të bëra nga persekutorët që duan të hutojnë mendjet e njerëzve, duke kujtuar se po mbulojnë mëkatet e tyre. Akuzën ndaj meje si të infiltruar nga Sigurimi i Shtetit e gjejmë vetëm te veprat e Kadaresë, që ia ka thënë në mirëbesim Neshat Tozaj. Nëse Ismail Kadare ka akuza të forta ndaj meje, le të më çojë në gjyq e të nxjerrë dokumente e fakte. Pse nuk është prononcuar vetë direkt familja Kadare gjithë këto vite, por nxjerr “avokatët mbrojtës” të shkruajnë në medie shpifje e sharje ndaj një gruaje që e ka përballuar vetë me kurajë e guxim gjithë këtë periudhë sulmesh?
A e keni menduar qoftë edhe një herë të vetme në jetë, që ta falnit Ismail Kadarenë, për çka u shkaktoi në jetë?
Pyetje me vend. Jo vetëm si nënë, por edhe si besimtare në Zot, me kohë kam dashur ta bëj një gjë të tillë. **** ka pasur edhe periudha kur kam treguar dobësi dhe kam tentuar të hyj në komunikim me të, pasi koha nuk kthehet më pas. Kam pritur reflektim ndaj tij. Edhe nëse nuk do ta bënte publikisht, gjë që do ta nderonte atë si njeri dhe si shkrimtar i madh, të paktën të shprehte njëfarë pendese jo ndaj meje, por ndaj Renatos që i sterrosi jetën. Renato di të falë dhe nga goja e tij kurrë nuk ka dalë ndonjë fjalë e rëndë, se ai, edhe në vuajtjen e tij është fisnik. Të mos flasim pastaj për dëmshpërblim material, si viktimë e diktaturës. Por si Renato në Shqipëri ka me mijëra të pa dëmshpërblyer. Nëse do ta bënte një gjë të tillë i pari Ismail Kadare, emri i tij tani do të lartësohej jo vetëm si shkrimtar, por, në radhë të parë, si njeri.
A keni menduar ta përktheni këtë roman në gjuhë të huaja? Nëse po, përse do ta bënit?
Nxitjen për të shkruar jetën e familjes sime, së pari ma dhanë miqtë e mi këtu në Amerikë. Janë popull i ndjeshëm dhe i dashur. Ata i dinë krimet e komunizmit, por kur kanë dëgjuar se krimi ndërhynte deri te dashuria e dy 17-vjeçarëve, sidomos tek aborti i një fetusi gjashtë muajsh, janë tronditur shumë. Gjatë kohës që e shkruaja e kur konsultohesha me ca mikesha të mija amerikane, më nxitën që libri të përkthehet edhe në anglisht, pasi mendojnë se një ngjarje e tillë, e shkruar thjesht, paraqet shumë interes për vetë amerikanët. Jam në kontakte për të gjetur përkthyes.
Pas viteve ‘90, kur u larguat në Amerikë ku jetoni edhe sot, ju filluat të shpreheshit publikisht mbi konfliktin tuaj me familjen Kadare si dhe pasojat e këtij konflikti. A keni pasur kërcënime gjatë këtyre viteve, që të heshtnit për këtë histori?
Nuk mund të them se kam pasur kërcënime, nëse do t’i quajmë të tilla akuzat direkt në medie të disa “avokatëve mbrojtës”, në rolin e gazetarit apo analistit. Ndërsa ndërhyrje për të heshtur e për të mos i trazuar më ujërat po.
A keni kërkuar ndonjëherë ballafaqim sy më sy me Ismail Kadarenë, mbi këtë ngjarje të ndodhur 30 vite më parë?
Ua thashë edhe pak më sipër. Unë pres reagim direkt nga ata. Por ata kanë heshtur. Po e përsëris, që nga libri i tij “Pesha e kryqit”, por edhe aty nuk më ka cilësuar as mua, as Renaton me emër. Shpresoj që më në fund të më kërkojë një ballafaqim me fakte, e jo ta fshijë fare edhe nga kujtesa.
Nëse ai do të pranonte një sqarim me ju, çfarë do të donit t’ia thoshit ballazi, sikur të ishte qoftë dhe fjala e parë dhe e vetme që do të flisnit me të?
Së pari, duke pasur përballë një shkrimtar të madh, do t’i lavdëroja veprën. Do të prisja reagimin e tij, shpresoj të mos jetë si ai i asaj nate kur shkova për të biseduar për problemin e fëmijëve, e më pas do ta pyesja nëse do mund të shkruante një libër për këtë ngjarje, por jo në rolin e babait. Nuk jam aq e pamëshirshme!
Këto ditë në Tiranë çelet panairi i librit. Keni menduar të jeni e pranishme për promovimin e librit tuaj, duke qenë se në rrjetet sociale shohim që keni dhe mjaft mbështetës e dashamirës që ju urojnë e komplimentojnë për këtë botim?
Përgjigje: Kam dëgjuar të flitet shumë mirë për Panairin e Librit në Tiranë, që është si një festë e vërtetë. Këtu ku jam, jetoj çdo ditë me ngjarjet që ndodhin në Shqipëri. Ndjek çdo gjë dhe me mendje e zemër jam në Shqipëri, te miqtë e mi të shumtë. Më merr malli për çdo gjë të atij vendi, pasi kam edhe shumë kujtime të bukura, sidomos kur isha shitëse tek ushqimorja e mundohesha jashtë listës t’u siguroja ndonjë ushqim qytetarëve të mi, për të mos i nxjerrë duarbosh nga dyqani. Jemi shumë larg dhe mundësitë për të ardhur janë të kufizuara. Por Renato, nëpërmjet internetit, sajon ca “udhëtime” me avionë dhe mua më “lë” te pista e Rinasit.
E keni menduar një rikthim të mundshëm për të jetuar në Shqipëri bashkë me djalin tuaj?
As që bëhet fjalë për këtë, edhe pse Renato e do shumë Shqipërinë dhe flet me shumë krenari për të. Pastaj, ku të shkojmë? Apartamentin që na e dhanë pas shumë mundimesh kur u kthyem nga internimi, kur ne u larguam, na e morën edhe se doli ligji që shtëpitë e të persekutuarve t’u ktheheshin, miqtë e vënë nga Kadareja na e morën duke sajuar një dokument me firmë false sikur unë ia u kisha shitur për 20 mijë lekë.
Pjesë nga libri "Djali i ëndrrës së vrarë"
Janka po vonohej për punë. Asaj që i ishte frikësuar nuk po i shpëtonte: dukej qartë që familja e Shokut X e kishte marrë vesh dashurinë e dy të rinjve dhe, me “ushtrinë e tij private” kishte dhënë sinjalin e parë, duke shpallur luftën. Djali i saj ishte rritur në mes të kujdesit e përkëdhelisë. Sa kishte babanë gjallë, edhe kur bënte ndonjë prapësi e Janka i jepte ndonjë pëllëmbë të lehtë, ai e tërhiqte me butësi djalin, ndërsa Jankës i thoshte të mos e mësonte me dhunë, që të mos egërsohej fëmija. Rei ka ndjerë vetëm dashuri e butësi si në familje edhe në shkollë e në shoqëri. Kurrë nuk ishte sherrxhi e grindavec në lojë me shokët. Edhe violina kishte ndikuar në shpirtin e tij të brishtë, ndërsa tani dashuria për Gentën e kishte bërë tolerant edhe ndaj tekave të saj. E ja, na dalin tani dy burra derra që i zënë pritë djalit dhe e katandisin në atë gjendje! Ç’të bënte? Si mund ta duronte këtë situatë? Ta duronte për hir të vajzës që i biri e donte me gjithë fuqinë e shpirtit, apo për hir të pozitës që ka në këtë vend Shoku X? Sinjali i parë i mospëlqimit prej tyre ishte dhënë dhunshëm. Nëse shoqëria me vajzën e Shokut X do të vazhdonte, ç’do të vinte më pas? Aty për aty e vendosi: ajo vajzë nuk do të shkelte më në atë shtëpi. Do të bisedonte shtruar me djalin, ashtu siç ajo dinte kur në familje kishte probleme serioze për t’u zgjidhur, e do ta bindte që kjo dashuri nuk ishte për të, se ai ishte ende tepër i ri, se do të merrte diplomën e Liceut, do të kishte përpara konkursin për aktrim, se do të merrte pjesë në shumë skena xhirimi filmash e, kështu me radhë, do të kishte të tjera njohje e me siguri dashuri të vërteta ...
Subjekti dhe e vërteta do ta mbajnë në këmbë librin e Janullës
Elinda MARKU
Shkrimtarët shqiptarë, sidomos ata të realizmit socialist, përfshi këtu edhe ndonjërin prej atyre që u burgosën atëhere dhe tash vetëquhen shkrimtarët disidentë, pa arritur kurrë të arratisen njëherë e përfundimisht nga letërsia e realizmit socialist, letërsia e inferioritetit, letërsia e servilizmit, letërsia për t'u bërë emër më shumë se letërsia që të bën shkrimtar, nuk janë tjetër veç dregëza në turpin e letërsisë shqipe. Këtë e vërteton më së miri, këto ditë bash vetë "romani" i Janulla Rrapit, subjektin e të cilit e dinin të gjithë ata të ashtuquajtur shkrimtarë, por askujt nuk ia mbajti shpirti, talenti, të ulej një herë me Janulla Rrapin të mbante shënime rreth këtij subjekti e të shkruante romanin e saj, që mund të shndërrohej në një kryevepër artistike në fakt. Pra janë pikërisht këto gjoja shkrimtarë, që unë vazhdoj t’i shoh e të më duken si dregëza vdekjeprurëse të letërsisë, ia "imponuan" Janullës me inferioritetin e tyre, ose me frikën ndaj Kadaresë, që është një lloj frike edhe ndaj të vërtetës së tyre letrare e jo letrare, me shterpësinë e tyre, me hipokrizinë e tyre dhe me simpatinë e madhe ndaj Kadaresë, të ulej e ta shkruante vetë romanin e saj. E nuk ka pse e vret ndërgjegjja as Janullën as ata që e duan letërsinë tjetërlloj nga dashuria e shkrimtarëve tanë, se ky roman mund të mos jetë ndoshta aspak në lartësinë e duhur letrare. Ndodh për herë të parë që subjekti dhe e vërteta do ta mbajnë në këmbë një libër, librin e Janullës. Ndodh për herë të parë që një romani, ky romani i Janulla Rrapit do ta mbajë në këmbë e vërteta. Guximi për ta thënë këtë të vërtetë ashtu siç është me ato mundësi që ka autorja. Askush nuk pretendon që Janulla Rrapi të ketë shkruar "Njëqind vjet vetmi" por e vërteta, dhimbja prej nënë ia kalon edhe Nobelit të marrë tashmë, përveç Nobelit që nuk e mori se nuk e mori letërsia e realizmit socialist me Kadarenë tonë, shkrimtar e personazh së fundi. Meqë jemi në prag të Panairit, dhe meqë romani i Janulla Rrapit merr pjesë në këtë panair, unë do t'i propozoja jurisë së sivjetme, që këtë radhë të mos e japin çmimin e diktuar nga klani i këtyre dregëzave, të mos e japin çmimin nga gjoja kriteret artistike të librit që mund të shpallin fitues, sepse me gjasë me sa pashë emrat e jurisë, as që nuk do të mund ta dinë se cili libër ka më shumë art se të tjerët, le ta shpallin fitues të këtij panairi, librin më të shitur e më të përfolur, që i bie të jetë edhe libri më i lexuar. Në fund të fundit, shkrimtarët e realizmit socialist dhe bash vetë Kadareja do të ketë hise-pjesë në këtë çmim. Fati që ka Kadareja për çmimin nuk i ndahet as po qe se romani i Janulla Rrapit do ta fitojë këtë çmim. Kësaj here, Kadareja merr çmim jo ashtu si të gjitha herët, pra si autor, por edhe si personazh. Nga frika se mos i bëjnë dëm Kadaresë, arritën të shkojnë dëm gjithë atë subjekt të dhimbshëm, që mund ta kishin pasqyruar me bukuri nëpërmjet letërsisë. Shkrimtarët -dregëza që tash gjoja thartohen se Janulla Rrapi po dëmtokërka letërsinë me romanin e saj pa letërsi, në fakt thartohen e merakosen vetëm për Kadarenë dhe veten e tyre. Kushedi sa Janulla më të vogla së kjo jona, mund të dalin me romanet e tyre, ku mund të kenë të tjerë "Kadare" të vegjël si personazhe.
Romancierja Janulla
Nga Edison YPI
Kur dëgjova që ka dalë një romanciere e re në moshë të thyer me emrin Janulla, nuk pësova atak në zemër, as nuk më ra të fikët. Më zuri pak lemza se m’u kujtua një rast tjetër i ngjajshëm i disa viteve më parë. Por s’kishte qënë aq e thjeshtë. Pasdite pashë një zjarr të madh. Vajta të shoh flakët që po lëpinin qiellin. Kuriozët si unë më sqaruan arsyen e gjithatij zjarri. Zjarrvënësi, një lexues i thekur librash, moshatar dhe mik i romancieres Janulla, kishte hedhur në shesh të gjithë librat e bibliotekës së shtëpisë, mbi 8 mijë vëllime, u kishte vënë zjarrin, dhe ishte arratisur s’dihet se ku. Arsyen e djegjes e kishte lënë në një pusulle. Ja teksti i pusullës; Unë i mjeri lexova gjithë jetën dhe nuk shkruajta dot asnjë rresht. Romancierja Janulla, që me përjashtim të denoncimeve në Sigurim, nuk lexoi gjithë jetën asgjë, shkrojti një roman të tërë. Në dreq të gjitha. Me libra, me lexime, me shkrime. Tash e tutje do mbyllem në një shpellë. Ku nuk do lexoj, as nuk do shkruaj. Do merrem me meditime për injoranten Janulla që shkroi një roman dhe kushedi se sa të tjerë do shkruaj në të ardhmen. Ndërkohë që librat digjeshin, nga turma vinin piskama nga më të ndryshmet; “Mesjetë”, “Inkuizicion”, “Internet”, “Fejsbuk”, “Xhordano Bruno”.
Marrë me shkurtime nga gazeta “MAPO”
Sigurimi presion Kadaresë me djalin e Janullës
Nga Ndriçim Kulla
Dy aktorët në rolet që u dha Sigurimi i Shtetit. Por çfarë mund të bënte “Zeusi”, kur në “Olimp” nuk kishte ku të gjente një tjetër “Apollon”? Ndërkohë regjimi kishte gjetur mënyra të tjera, me të cilat mendonte se kishte për ta nënshtruar shkrimtarin që kishte treguar se ishte i pakontrollueshëm. Që disa javë para se të mbahej ky plenum ndaj familjes së Kadaresë nisi një trysni tinëzare e ideuar dhe e zbatuar nga Sigurimi i Shtetit. Për këtë gjë u përdor një problem i stisur familjar i cili u keqpërdor si edhe herë të tjera nga Sigurimit të Shtetit. Djali i cili kishte luajtur ndonjë rol si aktor në ndonjë film, luajti rolin e atij që është i dashuruar me vajzën e Kadaresë, ndërsa nëna e tij luajti rolin që i përshtatej më shumë gruas që gjoja e nxitur nga ndjenjat e nënës shkon dhe bën presion te dera e familjes Kadare, gjoja se ata e ndalojnë vajzën t’ i përgjigjet dashurisë për djalin e saj. Aty jashtë ishte dhe banda e rrugaçëve e mbledhur nga Sigurimi i Shtetit, që qëllonte me gurë dritaret e shtëpisë së Kadaresë. Kur kjo histori që vazhdoi për një kohë të gjatë u kuptua se pas saj qëndronte Sigurimi i Shtetit. Me këtë konservatorët dhe veçanërisht gruaja e diktatorit që ishte udhëheqësja e tyre kërkonte t’i thoshte shkrimtarit: “Nënshtrohu ndaj nesh, ndryshe do t’ ia bëjmë jetën të padurueshme familjes tënde”. Marrë me shkurtime nga gazeta
“Shekulli”.
Intervistoi Anila DODAJ